“Nuk do ta fitosh këtë luftë”: Kellogg thotë se Putini po shfaq dobësi ndërsa lufta zvarritet
Ish-i dërguari amerikan Kellogg deklaroi se Ukraina duhet të vendosë vetë se si të luftojë kundër Rusisë, përfshirë këtu edhe çështjen nëse duhet të godasë rafineritë ruse. Ai i cilësoi tensionet mes Trumpit dhe Zelenskit si “zhurmë” dhe bëri thirrje për vazhdimin e presionit ndaj Putinit, duke argumentuar se Rusia ka dështuar në arritjen e objektivave të saj strategjike.
Keith Kellogg, ish-i dërguar amerikan dhe gjeneral, deklaroi se Ukraina duhet të përcaktojë vetë mënyrën se si lufton kundër Rusisë, përfshirë mundësinë e goditjes së rafinerive ruse. Njëkohësisht, ai i minimizoi tensionet publike mes presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, duke i konsideruar ato si retorikë që nuk duhet interpretuar së tepërmi.
Duke folur për Bloomberg Television në kuadër të Forumit të Sigurisë në Varshavë, Kellogg argumentoi se vendimet ushtarake të Ukrainës duhet t’i lihen Kievit dhe se Rusisë nuk duhet t’i lejohet ta trajtojë infrastrukturën e saj të karburantit si një zonë të paprekshme nga sulmet.
“Të gjithë duhet të tërhiqemi pak dhe ta lëmë Ukrainën të vendosë se çfarë do të bëjë dhe si do të sulmojë,” tha Kellogg.
Ai gjithashtu hodhi poshtë shqetësimet se shkëmbimet e fundit mes Trumpit dhe Zelenskit mund të sinjalizojnë një rikthim të tensioneve që kulmuan me takimin e tyre të diskutueshëm në Zyrën Ovale në fillim të vitit 2025.
Kellogg i përshkroi të dy presidentët si liderë kokëfortë që shprehin hapur mendimet e tyre, duke shtuar se dallimet gjuhësore dhe nuancat e përkthimit mund të kontribuojnë në keqkuptime.
“Mendoj se njerëzit duhet të tërhiqen pak dhe thjesht ta konsiderojnë këtë si zhurmë, qoftë edhe kur vjen nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara,” tha ai.
Kellogg thotë se ukrainasit duhet të jenë ata që vendosin për zgjedhjet
Kellogg deklaroi se vendimet për mbajtjen e zgjedhjeve në Ukrainë duhet t’u takojnë ukrainasve, e jo Uashingtonit apo qeverive të tjera të huaja.
Ai e pranoi se legjitimiteti demokratik është një çështje e rëndësishme, duke vënë në dukje se mandati presidencial në Ukrainë është pesëvjeçar dhe se Zelensky ka qëndruar në detyrë përtej kësaj periudhe. Megjithatë, ai theksoi gjithashtu se Ukraina ndodhet në gjendje të ligjit ushtarak, periudhë gjatë së cilës nuk mbahen zgjedhje kombëtare.
“Kjo u takon ukrainasve, jo Shteteve të Bashkuara dhe as ndonjë pale tjetër,” tha Kellogg. Putini nuk ka arritur t’i përmbushë qëllimet strategjike
Kellogg argumentoi se presidenti rus Vladimir Putin po përpiqet t’i mbijetojë qëndresës së Ukrainës dhe mbështetësve të saj ndërkombëtarë, duke vënë bast se lodhja e publikut pas vitesh lufte përfundimisht do ta dobësojë vendosmërinë e tyre.
Ai tha se presioni i vazhdueshëm ndaj Moskës ishte i nevojshëm, sepse Rusia nuk i kishte arritur objektivat e saj strategjike, pavarësisht territoreve që kishte pushtuar.
Kellogg përmendi gjithashtu vlerësime që flasin për një shifër mes 1.2 dhe 1.5 milionë viktimash (të vrarë dhe të plagosur) në radhët e ushtrisë ruse dhe tha se Rusia po humbte rreth 30,000 trupa në muaj.
Për të ilustruar përmasat e humbjeve të Rusisë, ai i krahasoi ato me përvojën e Bashkimit Sovjetik në Afganistan, duke thënë se ushtria sovjetike humbi rreth 18,000 njerëz gjatë asaj lufte para se të tërhiqej.
Kellogg e përshkroi qasjen aktuale të Putinit si një shenjë dobësie dhe jo force, dhe tha se vendet perëndimore duhet të vazhdojnë ta mbështesin Ukrainën për aq kohë sa të jetë e nevojshme.
“Thjesht duhet të vazhdojmë të ushtrojmë presion mbi të [Putinin] dhe të përsërisim vazhdimisht: ‘Ti nuk po e fiton këtë luftë’. Ne do të jemi këtu për aq kohë sa duhet për ta arritur këtë dhe për të vazhduar presionin ndaj tij. Mendoj se reagimi i tij tani është një reagim dobësie, jo force.”
Kellogg kritikoi gjithashtu qasjen e Putinit ndaj një marrëveshjeje për naftën (dizelin) me SHBA-në.
“Dhe ajo që ai po përpiqet të thotë me marrëveshjen e naftës me Shtetet e Bashkuara – nuk është vërtet një marrëveshje e mirë. Ajo nuk është gjithëpërfshirëse dhe më tregon dobësinë e tij, jo forcën,” tha Kellogg.
Ai shtoi se Putini po përpiqej të përfitonte nga zgjedhjet e ardhshme në SHBA dhe nga presidenca e Trumpit:
“Ai po përpiqet të përfitojë nga zgjedhjet që po afrojnë në Shtetet e Bashkuara. Ai po përpiqet të përfitojë nga presidenti Trump tani, dhe shumica e njerëzve e kuptojnë këtë lojë.”
Kellogg mbron sulmet ndaj rafinerive ruse
Kellogg mbrojti sërish sulmet e Ukrainës ndaj objektivave ushtarake ruse dhe infrastrukturës së karburantit, duke hedhur poshtë idenë se objekte të tilla duhet të jenë të paprekshme. Ai argumentoi se lejimi i një kundërshtari për të ruajtur zona të paprekshme gjatë luftës mund të ishte një gabim strategjik, duke përmendur si shembuj prodhimin e karburantit dhe rafineritë.
Kellogg tha se ndikimi në tregun global të naftës “diesel” kishte qenë i kufizuar, duke shtuar se Ukraina kishte treguar aftësi për të goditur objektiva brenda Rusisë, ndërkohë që forcat ruse vazhdonin të sulmonin qytetet dhe zonat civile ukrainase./KP
Fraksion.com

