AktualitetBota+Të fundit

“Shkarkimi i Kimberly Guilfoyle”, Trump: Po e shqyrtojmë çështjen – po. Nuk jemi të kënaqur!

Presidenti Donald Trump tha të hënën se po shqyrton mundësinë e shkarkimit të Kimberly Guilfoyle-it nga posti i saj si ambasadore e SHBA-së në Greqi, pas një sërë raportimesh për sjellje të pahijshme, duke shtuar se “nuk është i kënaqur” me situatën.

“Po e shqyrtojmë çështjen – po. Nuk jemi të kënaqur,” u tha Trump gazetarëve kur u pyet nëse po mendonte ta shkarkonte atë.

Trump ka ndjekur raportimet sipas të cilave Guilfoyle – e cila ka qenë e fejuar me djalin e madh të Trumpit, Donald Trump Jr., për katër vjet – ka pranuar dhurata luksoze gjatë kohës që shërbente si ambasadore dhe ka kërkuar para në këmbim të mundësimit të kontakteve me figura të administratës, madje edhe para se të konfirmohej në detyrë. CNN raportoi të dielën se presidenti po peshonte mundësinë e shkarkimit të saj, ndërsa një burim i afërt me çështjen tha se pritej që ai të merrte një vendim së shpejti.

Avokatët e Guilfoyle-it i kanë mohuar akuzat për kërkim parash dhe i kanë cilësuar si çorientuese raportimet rreth udhëtimeve të saj, duke shtuar se ajo i ka respektuar rregullat federale lidhur me dhuratat dhe detyrimet për raportim.

Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm (OIG) pranë Departamentit të Shtetit po heton Guilfoyle-in në lidhje me akuzat për sjellje të pahijshme, tha të hënën për CNN një burim i njohur me këtë proces.

Zyra për shtyp e OIG-së nuk iu përgjigj një kërkese për koment. Zakonisht, kjo zyrë nuk jep komente mbi hetimet në vazhdim.

“Si çështje politike e brendshme, OIG-ja nuk konfirmon, mohon apo komenton çështje që janë objekt hetimi,” tha javën e kaluar për CNN një zëdhënës i OIG-së së Departamentit të Shtetit.

Raportimet rreth Guilfoyle-it kanë irrituar zyrtarë të lartë të administratës, veçanërisht pasi ato dolën në pah pikërisht kur Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, po vizitonte Athinën për të mbajtur një fjalim të rëndësishëm mbi demokracinë perëndimore, të realizuar nga Akropoli.

Presidenti nuk e mbrojti Guilfoyle-in kur u pyet nga CNN të premten lidhur me këto akuza.

“Sapo dëgjova për këtë. Gjynah. Domethënë, nuk e di,” tha Trump. “Sapo dëgjova pak gjëra rreth kësaj. Nuk di shumë, por ajo ka qenë gjithmonë shumë e sjellshme.”

CNN i është drejtuar Shtëpisë së Bardhë për një koment. Eric Deters, një ish-donator i Trump-it, tha se Guilfoyle i kishte kërkuar përmes një mesazhi t’i transferonte 100,000 dollarë për të shlyer një kartë krediti “American Express” në ditët para konfirmimit të saj nga Senati. Në fund, Deters nuk ia transferoi paratë Guilfoyle-it, duke thënë se nuk kishte likuiditet në atë kohë.

Lajmi për këto mesazhe u raportua fillimisht nga “Wall Street Journal”.

Avokatët e ambasadores thanë në një deklaratë për CNN se Deters i detyrohej para Guilfoyle-it për fjalime dhe shërbime konsulence, dhe i cilësuan deklaratat e tij si të pavërteta.

“Kur znj. Guilfoyle po përgatitej të linte jetën private për t’iu përkushtuar shërbimit publik, ajo veproi si çdo profesionist dhe u përpoq të mbyllte çështjet e pagesave të prapambetura. T’i kërkosh një klienti të paguajë për një punë të kryer tashmë nuk është korrupsion. Është e kundërta e korrupsionit,” shkruan avokatët e saj.

Gjithashtu, javën e kaluar Guilfoyle u tha zyrtarëve të administratës se nuk i kishte dërguar ajo ato mesazhe, sipas një personi të njohur me çështjen.

Guilfoyle ka ruajtur marrëdhënie të ngushta me familjen Trump. Pas ndarjes nga Donald Trump Jr., ajo mori detyrën prestigjioze në Greqi.

Aleatët e presidentit dhe të djalit të tij i thanë CNN-it se e konsiderojnë këtë episod si të sikletshëm, ndonëse nuk është e qartë nëse do të ketë pasoja për Guilfoyle-in. Trump e ka bërë të qartë vazhdimisht se nuk është i kënaqur kur aleatët përfitojnë financiarisht nga marrëdhënia e tyre me të.

Të hënën, Deters i tha CNN-it se nuk ishte kontaktuar nga zyra e inspektorit të përgjithshëm, por tha se kishte kontaktuar shefen e stafit të Shtëpisë së Bardhë, Susie Wiles, për t’i thënë se planifikon të padisë Guilfoyle-in për shpifje, pasi avokatët e saj vunë në dyshim vërtetësinë e mesazheve që ajo dyshohet se i kishte dërguar atij. Ai tha se nuk mori asnjë përgjigje.

“Situata nuk po përmirësohet për ta,” i tha Deters CNN-it lidhur me administratën Trump. “Do ta padis atë dhe avokatët e saj për shpifje, pasi pretenduan se mesazhet e saj ishin të falsifikuara. Kështu, ata do të përballen me një padi, ndërsa ajo do të jetë nën vëzhgimin e komiteteve dhe të mediave.”

CNN i kërkoi Shtëpisë së Bardhë një koment lidhur me planet e Deters-it për të ngritur padi. Të premten, nënkryetari JD Vance u përmbajt nga dhënia e një gjykimi mbi atë nëse duhet të ketë pasoja për Guilfoyle-n, duke thënë se refuzonte t’i “gjykonte njerëzit në gjykatën e opinionit publik”.

Megjithatë, nënkryetari u shpreh se, në përgjithësi, ndihej i pakënaqur me praktikat e shitjes së qasjes ndaj zyrtarëve. “Sigurisht që nuk më pëlqen kur dikush shet qasjen te një zyrtar tjetër qeveritar, e sidomos te një zyrtar i nivelit të lartë,” tha ai.

“Le të shohim se cili është realiteti. Dhe natyrisht, nëse ka ndodhur diçka e keqe, atëherë njerëzit duhet të mbajnë përgjegjësi për të,” tha ai.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com