AktualitetEkonomiPolitikëTë fundit

“Kujdes borxhin!”, Banka e Shqipërisë sugjeron reformimin e skemës së pensioneve

Banka e Shqipërisë kërkon një planifikim më të njëtrajtshëm të shpenzimeve buxhetore, reformim të skemës së pensioneve dhe forcim të mekanizmave për administrimin e rreziqeve fiskale, në kuadër të rekomandimeve për projektbuxhetin e vitit 2027.

Gjatë diskutimit në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, zëvendësguvernatorja e dytë e Bankës së Shqipërisë, Natasha Ahmetaj, theksoi se një shpërndarje më e mirë e shpenzimeve përgjatë vitit, veçanërisht e investimeve publike, do të ndikonte në përdorimin më efikas të burimeve financiare.

“Banka e Shqipërisë nënvizon nevojën e një planifikimi dhe realizimi më të njëtrajtshëm të shpenzimeve buxhetore, e sidomos të realizimit të investimeve, gjatë vitit. Kjo praktikë do të mundësonte përdorimin më efikas të burimeve publike”, tha Ahmetaj.

Sipas Ahmetajt, emigracioni, plakja e popullsisë dhe rënia e numrit të personave në moshë pune pritet të shtojnë presionet mbi skemat e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

“Trendet e pafavorshme demografike, si emigracioni, plakja e popullsisë dhe rënia e popullsisë në moshë pune, pritet të shtojnë presionet mbi skemat e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, duke thelluar sfidat për qëndrueshmërinë e financave publike. Kjo nënvizon rëndësinë e reformave. Në këtë kontekst, Banka e Shqipërisë inkurajon reformimin e sistemit të pensioneve, të cilat synojnë vendosjen e një ekuilibri të qëndrueshëm mes përfitimit dhe kapacitetit financiar të skemës”, deklaroi ajo.

Zëvendësguvernatorja vlerësoi edhe nevojën për të shqyrtuar mundësitë e përshtatjes së skemës publike të pensioneve, zgjerimit të bazës së kontribuuesve dhe zhvillimit të skemave plotësuese.

“Vlerësojmë shqyrtimin e mundësive për përshtatje të skemës publike, zgjerimin e bazës së kontribuuesve dhe zgjerimin e skemave plotësuese të mëtejshme. E nevojshme është përfshirja e statistikave demografike për planifikimin fiskal”, theksoi Ahmetaj.

Zëvendësguvernatorja e dytë e BSH-së u ndal edhe tek administrimi i rreziqeve fiskale, duke kërkuar vëmendje të shtuar ndaj ndikimit që mund të kenë zhvillimet ekonomike dhe ndryshimet në kushtet e financimit mbi borxhin publik dhe treguesit buxhetorë.

“Përmirësimi i administrimit të rreziqeve fiskale, në një mjedis ekonomik të karakterizuar nga pasiguri, forcimi i mekanizmave për identifikimin dhe administrimin e rreziqeve është i rëndësishëm. Vëmendje i duhet kushtuar kostove të borxhit apo të financimit”, u shpreh ajo.

“Ne gjykojmë se vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet ndikimit që mund të kenë mbi treguesit buxhetorë dhe trajektoren e borxhit publik zhvillimet më pak të favorshme ekonomike dhe ndryshimet në kushtet e financimit”, vijoi zëvendësguvernatorja e dytë e BSH.

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com