“Rama kërcënoi Veliajn, hiq dorë nga Bashkia ose do të kalbesh në burg”/ Këlliçi: Ofertë mafioze për kryebashkiakun, Toni Gogu të japë sqarime
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar pas raportimeve lidhur me një takim të pretenduar mes minsitrit Toni Gogu dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, në burgun e Fierit.
Sipas Këlliçit, gjatë takimit, Gogu i ka përcjellë Veliajt një mesazh në emër të kryeministrit Edi Rama, përmes të cilit ky i fundit i kërkonte të hiqte dorë nga Bashkia e Tiranës, në të kundërt do të përballej me SPAK-un dhe do të përfundonte në burg.
Nënkryetari i PD-së e cilësoi këtë një ofertë mafioze dhe shantazh të pretenduar nga kryeministri ndaj ish-bashkëpunëtorit të tij politik. Ai kërkoi gjithashtu që Toni Gogu të japë sqarime të plota për takimin dhe mesazhin që, sipas pretendimeve të Plarent Ndrecës, i është përcjellë Veliajt.
Në reagimin e tij, Këlliçi drejtoi akuza edhe ndaj SPAK-ut, duke pretenduar se institucioni përdoret nga Edi Rama si instrument për të goditur kundërshtarët politikë dhe për të zgjidhur konfliktet brenda Partisë Socialiste. Ai e lidhi këtë pretendim edhe me çështjet që, sipas tij, kanë prekur Partinë Demokratike dhe kryetarin e saj, Sali Berisha.
Në përfundim, nënkryetari i PD-së kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, krijimin e një qeverie kujdestare dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme.
Deklarata e Belind Këlliçit:
Të nderuar qytetarë,
Shprehja e Ramës ‘hëngshin kokat e njëri-tjetrit’ për grupet e ndryshme kriminale në vend, tashmë ka prekur vetë Organizatën mëmë kriminale, e ashtuquajtura “Rilindje”. Tanimë Rama e Veliaj po hanë kokat e njëri-tjetrit, në luftën e klaneve brenda ‘Rilindjes’ së kalbur, për pushtet dhe dominim politik.
Mediat kanë trajtuar sot gjerësisht deklaratën e të pandehurit Plarent Ndreca. Sipas këtij të fundit, të premtë në mesnatë, pastori Oltion Gogu, alias Toni Gogu, në rolin e zedhënësit të Kreut të Organizatës kriminale ‘Rilindja’, ka takuar në Burgun e Fierit kreun e Grupit të Strukturuar Kriminal 5D Erion Veliajn, ku i ka përcjellë një ofertë mafioze të kryeministrit, një lloj oferte që nuk mund të refuzohej, njëlloj si në rastin e filmit Kumbari.
Sipas Plarent Ndrecës, mesazhi ka qenë: “Hiq dorë nga bashkia ose do të të vë SPAK në shpinë dhe do të të kalb në burg!”. Ky ishte thelbi i një serie kërcënimesh të kreut të organizatës kriminale, për ish-bashkëpunëtorin e tij dhe kryebashkiakun e Tiranës, që e mori kryeqytetin me vota të vjedhura dhe para të krimit të organizuar.
Të dashur qytetarë,
Ju e dini historinë time dhe të demokratëve të Tiranës me Erion Veliajn. Ai mori një garë të manipuluar me vota të vjedhura dhe narkoeuro, por Partia Demokratike nuk iu nda për 44 javë me rradhë, me protesta të paprecedenta dhe disa padi në SPAK.
Sot ai është në qeli, edhe prej këmbënguljes sonë të përbashkët, të demokratëve dhe qytetarëve të Tiranës.
Megjithatë, duke ndarë kundërshtarin politik nga njeriu dhe të drejtat e tij themelore, nëse denoncimi i Plarent Ndrecës qëndron, ne e dënojmë shantazhin mafioz të kryeministrit Rama dhe i kërkojmë publikisht Oltion Gogut, të japë sqarime shteruese për këtë çështje.
Erion Veliaj duhet të përgjigjet përballë ligjit, dhe jo atyre që e përdorin ligjin për të mbajtur me çdo kusht pushtetin, për të shkatërruar si kundërshtarët politikë, por edhe ata brenda partisë.
Kërcënimi i Ramës për Veliajn nuk lidhet vetem me këta 2 krerë të narkoshtetit, dhe as me shërbëtorin e tyre që hera herës aktron si pastor, Oltion Gogun, alias Toni Gogu.
Aty del qartë fytyra e vërtetë e Organizatës Partnere të PS, SPAK, të cilën Rama, siç del në bisedë, e përdor si qen sulmi, për ata që kërkon të heqë qafe brenda partisë.
Tani e keni fare të qartë se kur ua ndërsen kështu SPAK-un të vetëve, si e ka përdorur atë kundër Partisë Demokratike dhe personalisht Sali Berishës.
Kjo është drejtësia me regji të cilën ne kemi denoncuar prej vitesh.
Kjo është fytyra e vërtetë dhe e shëmtuar e narkoshtetit të parë në Europë, të themeluar nga Edi Rama.
Ka vetëm një rrugëdalje: dorëheqje të Ramës, qeveri kujdestare dhe zgjedhje të lira e të ndershme!
Ju faleminderit.
Fraksion.cim

