AktualitetOp-EdTë fundit

Agim Nesho: “Jam Mysliman” e ngre Ben Blushin në nivelin e shkrimtarëve botërorë

Ish-ambasadori Agim Nesho ka komentuar romanin ‘Jam Mysliman’ të autorit Ben Blushi, duke e cilësuar atë si një vepër që trajton çështje thelbësore të shoqërisë moderne dhe që e vendos autorin në një nivel të lartë letrar.

Në vlerësimin e tij, Nesho thekson se Blushi shfaqet si një shkrimtar me kulturë të gjerë dhe aftësi të spikatura për të ndërtuar personazhe dhe për të reflektuar mbi ndikimin e ideologjisë, fesë dhe realitetit social në jetën e individit.

Sipas tij, romani sjell në fokus përplasjen mes qytetërimeve dhe besimeve të ndryshme, një debat që autori e vendos në realitetin shqiptar, duke e lidhur me sfidat e një shoqërie multifetare si Shqipëria. Nesho nënvizon se libri trajton edhe frikën dhe mosbesimin që mund të lindë mes komuniteteve, si dhe rrezikun që vjen nga instrumentalizimi i fesë për qëllime politike.

Ai vëren se Blushi bën dallimin mes besimit fetar dhe islamizmit politik, duke argumentuar se ky i fundit krijon ndarje dhe tensione, ndërsa besimi në vetvete përfaqëson paqe dhe bashkëjetesë. Në analizën e tij, Nesho ndalet edhe te mesazhi i autorit për shoqërinë moderne, duke theksuar se ajo nuk duhet të mbetet peng e normave të vjetra fetare, por të mbështetet mbi zhvillimin social dhe kulturor.

REAGIMI

Nuk ka Profet ne vendin e tij

Lexova librin e Ben Blushit “Jam Mysliman”, një libër që e ngre autorin në një nivel të lartë të letërsisë botërore, ku cështjet kryesore të zhvillimit të shoqërisë njerëzore trajtohen me penën e aftë dhe mendimet e qarta në Shqipërinë e ditëve tona.
Duke qenë një shkrimtar i formuar me kulturë të gjerë dhe një penë të shkëlqyer që di të portretizojë personazhet e jetës me mendimet, emocionet, besimet e tyre të cilat në kohën tonë formohen dhe përpunohen lehtësisht nga rrjetet sociale, ideologjia, feja dhe manipulohet nga institucionet dhe njerëzit që kërkojnë pushtet.
I formuar për të ngritur debatin në nivel filozofik, i aftë dhe provokues për të ngritur problematikën e mendimeve të kundërta dhe guximtar për të gjetur zgjidhje ndoshta për dicka që vetë autori vuan të gjejë të vërtetën, Blushi trajton në libër cështjen e përplasjes së civilizimeve të zhvilluara me kulturë të ndryshme besimi, të cilat shikohen si antagoniste me njëra-tjetrën dhe të papranueshme për tu integruar së bashku. Këtë antagonizëm Blushi e sjell në Tiranë në një shtet multi-fetar, me harmoni midis tyre por me mosbesim dhe frikë nga shoqëria, se njëra prej tyre duke respektuar institucionet e saj (sheriatin) mund të prishë balancat, të rrezikojë të ardhmen e tyre perëndimore (mospranimi i luftës së Skënderbeut në mbrojtje të civilizimit perëndimor) duke e kthyer vendin drejt një shoqërie primitive dhe të errët.
Lufta e deritanishme e Perëndimit, që kërkon të ruajë civilizimin e tij të ngritur mbi bazën e kristianizmit dhe armiqësor në pranimin e grupimeve myslimane, apo mediokriteti i disa të tjerëve për të selektuar dhe zgjedhur komunitetin bektashi si shembull, për të bërë ndryshimin ndaj myslimanëve të tjerë, Blushi jep përgjigjen e tij se myslimanët janë njësoj si pjesa tjetër e shoqërisë, një komunitet i respektueshëm, por është islamizmi politik që krijon ndarjen dhe mospranimin e tyre. Islami politik është luftë, urrejtje, dominim ndërsa myslimanizmi është paqe, vllazërim, kulturë.
Filozofia e Blushit është e qartë që kur instrumentalizohet feja për qëllime politike, justifikim të pushteteve teokratike, bota do të pësojë regres si në kohën e inkuizicioneve kristiane ashtu edhe islamit politik. Blushi shqetësohet kur shikon regresin e Shqipërisë që për hir të besimit tjetërsohen disa vlera të shoqërisë që do ta largojnë atë gjithmonë e më shumë nga progresi dhe e ardhmja. Ai insiston që shoqëria moderne nuk mund të mbetet peng e normave dhe traditës fetare, por duhet të bazohet në normat e reja që i ka pranuar zhvillimi social e kulturor i shoqërisë që duhet të jetë “feja jonë e re”.
Blushi, me romanin “Jam Mysliman”, vazhdon të mbetet shkrimtari më i mirë shqiptar pas viteve ’90, por futet dhe në grupin e shkrimtarëve botërore duke lartësuar letërsinë shqiptare.

 

Fraksion.com

 

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com