AktualitetRajoniTë fundit

Nga Millosheviq te debakli zgjedhor: Ngritja dhe rënia e socialistëve në Serbi

Pas më shumë se tri dekadash mbijetese politike, përfshirë rënien e regjimit të Sllobodan Millosheviqit dhe dy dekada nën udhëheqjen e Ivica Daçiqit, Partia Socialiste e Serbisë po përballet me humbjen e saj më të rëndë.

Një nga forcat politike më jetëgjata dhe më të afta për t’u përshtatur në vend, për herë të parë që nga themelimi i saj në vitin 1990, ka mbetur jashtë Parlamentit.

Në zgjedhjet e 25 tetorit, socialistët fituan pak më shumë se 90.000 vota, që janë të pamjaftueshme për ta kaluar pragun zgjedhor prej tre për qind.

Partinë e themeloi ish-presidenti autokratik i Serbisë, Sllobodan Millosheviq, ndërsa gjatë 20 vjetëve të fundit ajo udhëhiqet nga Ivica Daçiqi, i orientuar drejt Rusisë, i cili është ministër i Punëve të Brendshme në largim.

Që nga ardhja në pushtet e Partisë Përparimtare Serbe (SNS) në vitin 2012, socialistët kanë qenë partnerë të qëndrueshëm të saj në koalicionin qeverisës. Edhe Përparimtarët kanë shënuar humbjen e tyre të parë zgjedhore që nga ardhja në pushtet 14 vjet më parë, pasi Lista Studentore i fitoi bindshëm zgjedhjet me 2.2 milionë vota.

Partia që gjatë viteve ’90 e udhëhoqi vendin drejt luftërave në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë, i mbijetoi periudhës pas ndryshimeve të 5 tetorit të vitit 2000, kur u rrëzua regjimi i Millosheviqit.

Megjithatë, në prag të zgjedhjeve, SPS-ja mbeti pa disa funksionarë të lartë, ndërsa partinë e braktisi edhe një pjesë e të rinjve të saj.

“Socialistët nuk e kuptuan momentin historik në të cilin ndodhet Serbia dhe kjo do t’u kushtojë me zhdukjen e tyre politike”, thotë për Radio Evropa e Lirë (REL) politologu Dushko Radosavleviq.

Atmosfera e referendumit e fshiu SPS-në nga skena politike

Sipas rezultateve jozyrtare të zgjedhjeve, SPS-ja fitoi 2.16 për qind të votave, çka nuk mjaftoi për ta kaluar pragun zgjedhor. Zgjedhjet u karakterizuan nga pjesëmarrje e lartë e votuesve, prej 68 për qind; më e larta që nga zgjedhjet federale dhe presidenciale të shtatorit të vitit 2000.

Ndonëse në garën zgjedhore morën pjesë 18 lista, atmosfera ishte e ngjashme me atë të një referendumi dhe favoritë ishin dy lista: “Serbia e Bashkuar”, e udhëhequr nga SNS-ja, dhe lista e krijuar nga protestat masive kundër qeverisë dhe bllokadat studentore, pas vdekjes së 16 personave nga shembja e një strehe në hyrje të stacionit hekurudhor, më 1 nëntor 2024.

“Socialistët nuk arritën ta kuptonin këtë. Deri në fund, ata mbetën viktima të politikës që vetë e vunë në jetë gjatë viteve ’90, e cila bazohet në plaçkitjen e paskrupullt të qytetarëve”, thotë Radosavleviq.

Kreu i socialistëve, Ivica Daçiq, deklaroi të dielën në mbrëmje se nuk ishte i kënaqur me rezultatin dhe vlerësoi se ai ishte pasojë e “atmosferës së referendumit”.

“Partia Socialiste e Serbisë, së bashku me partnerët e saj të koalicionit, u përpoq që në një atmosferë të tillë, me një listë të veçantë që përfaqësonte identitetin e saj, të zinte një hapësirë të caktuar politike dhe, për fat të keq, nuk arritëm ta siguronim rezultatin e dëshiruar”, tha Daçiq në shtabin zgjedhor të SPS-së në Beograd.

Ai e cilësoi humbjen si “një betejë të humbur” dhe shtoi se “do të vazhdojmë të luftojmë për Serbinë”.

Ky është rezultati më i dobët zgjedhor i SPS-së që nga fillimi i koalicionit me Përparimtarët, por ai dëshmon edhe një prirje të rënies së mbështetjes elektorale për partinë. Në zgjedhjet e vitit 2012, partia kishte fituar afro 570.000 vota, dy vjet më vonë pak më shumë se 480.000, ndërsa në vitin 2023 rreth 250.000 vota.

Largimi i një pjese të anëtarësisë

Një pjesë e anëtarësisë kishte shprehur pakënaqësi për mënyrën se si udhëhiqej SPS-ja. Një nga figurat më të spikatura në këtë grup ishte Branko Ruzhiq, deri vonë nënkryetar i SPS-së, i cili në fund të gushtit u përjashtua njëzëri nga partia.

Si arsyetim për përjashtimin, SPS-ja deklaroi se Ruzhiqi kishte shkelur “vazhdimisht dhe për një periudhë të gjatë kohore” statutin e partisë dhe nuk kishte zbatuar vendimet e organeve të saj.

Më herët, Ruzhiqi ishte pezulluar nga ushtrimi i funksionit në parti, pasi kishte mbështetur publikisht protestat studentore dhe kishte marrë pjesë në disa prej tubimeve.

Ruzhiq nuk pranoi të fliste për REL-in lidhur me rezultatin që arriti ish-partia e tij.

Një muaj e gjysmë pas përjashtimit të Ruzhiqit, SPS-në e braktisi edhe Boris Milliqeviq, i cili kishte qenë anëtar i socialistëve për 16 vjet.

Milliqeviq, i cili kishte qenë këshilltar i Ruzhiqit në kohën kur ky i fundit u emërua ministër pa portofol, përgjegjës për integrimin evropian, në vitin 2013, thotë për REL-in se vendimin për t’u larguar nga partia nuk e kishte koordinuar me Ruzhiqin.

Si shkak për rezultatin e dobët të SPS-së, ai sheh pjesëmarrjen jashtëzakonisht të lartë të votuesve, por edhe faktin se një pjesë e anëtarësisë e braktisi partinë në prag të zgjedhjeve.

“Kjo pakënaqësi shpërtheu pikërisht në atë moment. Nuk ishte një veprim i koordinuar, por, me afrimin e atij momenti, kundërshtimi ndaj kësaj antipolitike bëhej gjithnjë e më i madh dhe duhej të dilte në sipërfaqe”, thotë Milliqeviq.

Milliqeviq u largua nga SPS-ja në tetor, rreth dy javë para zgjedhjeve parlamentare, në një kohë kur sondazhet e opinionit publik tregonin se Partia Socialiste e Serbisë po luftonte për ta kaluar pragun zgjedhor.

Vendimin e tij e arsyetoi në një postim në Instagram, ku shkroi se “partia zgjodhi të heshtte përballë shkeljes së të drejtave të njeriut të qytetarëve dhe rrënimit të institucioneve”. Ai kritikoi gjithashtu faktin që SPS-ja “zgjodhi politikën kundër Evropës dhe glorifikimin e një krimineli lufte”.

I pyetur se pse u largua vetëm dy javë para zgjedhjeve nga një parti që është në koalicion me Partinë Përparimtare Serbe që nga viti 2012, Milliqeviq thotë se paraprakisht kishte tentuar, përmes kanaleve partiake, të tërhiqte vëmendjen ndaj kursit të gabuar që kishte marrë partia.

“Ne kishim paralajmëruar me kohë udhëheqjen e partisë për politikën problematike që po ndiqte, që nga dhjetori i vitit 2024 dhe janari i vitit 2025, kur u diskutua për politikën e atëhershme të partisë, e cila nuk ndryshoi”, thotë ai.

Sipas tij, si përgjigje merrte “ose shpërfillje, ose disa përgjigje të shkurtra negative”.

Milliqeviq thotë se sondazhet e opinionit publik para zgjedhjeve, të cilat tregonin se SPS-ja do ta kishte të vështirë ta kalonte pragun, nuk ndikuan në vendimin e tij për t’u larguar nga partia.

“Unë nuk kam bërë llogari politike dhe, nëse kam bërë, atëherë jam përpjekur ta bëj këtë në një moment kur pasojat janë më të mëdha”, thotë ai.

“Udhëheqje e shkëputur nga populli”

Politologu Radosavleviq konsideron se largimi i një pjese të anëtarësisë nga radhët e socialistëve nuk ndikoi në rezultatin e tillë të partisë.

“Edhe pa këtë, ata nuk do ta kishin mbështetjen. Ata u gjendën në anën e gabuar të historisë në momentin kur nisi vala e një lëvizjeje, për ta thënë në mënyrë poetike, çlirimtare”, vlerëson Radosavleviq.

Sipas tij, udhëheqja e partisë ishte “e shkëputur nga populli, madje edhe nga vetë anëtarësia e saj, e lëre më nga votuesit”.

Bashkëbiseduesi i REL-it nuk beson se SPS-ja do të arrijë të rikthehet në jetën politike në zgjedhjet e ardhshme.

“Kjo është një parti që e ka përfunduar veprimtarinë e saj dhe besoj se do ta shpërbëjë veten. Ndoshta disa anëtarë më të rinj mund të themelojnë një parti të re, e cila as në emër nuk do t’i referohet partisë së Daçiqit”, thotë Radosavleviq.

Pas largimit nga SPS-ja, Ruzhiq njoftoi se po punonte për themelimin e një partie të re, duke theksuar se atë dhe njerëzit që ndajnë të njëjtat bindje me të “nuk i bashkon ajo parti nga e cila dolëm, por mënyra se si e shohim Serbinë e së ardhmes”.

Lidhjet me Rusinë

Që nga themelimi, SPS-ja ka kultivuar lidhje të ngushta politike me Rusinë.

Partia ka zhvilluar bashkëpunim me partinë në pushtet në Rusi, Rusia e Bashkuar, ndërsa lideri i saj, Daçiq, ka theksuar vazhdimisht rëndësinë e mbështetjes ruse për Serbinë në çështjen e mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës.

Socialistët kundërshtuan vendosjen e sanksioneve ndaj Moskës pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, duke argumentuar se një veprim i tillë do të ishte në kundërshtim me interesat shtetërore të Serbisë.

Lidhjet me Rusinë i ruajnë edhe funksionarët e SPS-së. Kështu, në dhjetor të vitit 2023, Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë i ndau në Beograd nënkryetarit të socialistëve, Dushan Bajatoviq, Urdhrin e Federatës Ruse, për kontributin në zhvillimin dhe forcimin e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Bajatoviqi prej vitesh është në krye të kompanisë shtetërore të energjisë “Srbijagas”, e cila varet nga Rusia për një pjesë të veprimtarisë së saj, pasi prej andej importon gaz.

Në fund të vitit 2023, ai u shfaq në një tubim parazgjedhor të SPS-së, i veshur me një bluzë sportive të kuqe, me shkronjën e madhe latine “Z”, simbol i agresionit rus kundër Ukrainës.

I pyetur nëse largimi i SPS-së nga Parlamenti do të ndikojë në marrëdhëniet mes Serbisë dhe Rusisë, Radosavleviq thotë se kjo parti nuk e përfaqëson Serbinë.

“Nëse Rusia konsideron se kuadrot e SPS-së duhet ta përfaqësojnë Serbinë, atëherë Moska duhet ta rishqyrtojë qëndrimin e saj. Është e rëndësishme që sa më shpejt të formohet një qeveri e re, ndërsa marrëdhëniet me jashtë duhet të ndërtohen mbi respektin e ndërsjellë”, thekson Radosavleviq.

Nga Millosheviqi te Daçiqi

Partia Socialiste e Serbisë u themelua në vitin 1990, përmes bashkimit të Lidhjes së Komunistëve të Serbisë dhe Lidhjes Socialiste të Popullit Punues të Serbisë. Presidenti i saj i parë u zgjodh Sllobodan Millosheviqi, i cili qëndroi në krye të partisë deri në vdekjen e tij.

Menjëherë pas themelimit, SPS-ja u bë forca politike më e fuqishme në Serbi. Partia ishte në pushtet gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë, luftërave në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë, periudhës së sanksioneve ndërkombëtare dhe bombardimeve të NATO-s në vitin 1999.

Pas zgjedhjeve federale dhe presidenciale të vitit 2000 dhe protestave masive të 5 tetorit, Millosheviqi humbi pushtetin, ndërsa SPS-ja kaloi për herë të parë në opozitë.

Gjatë kësaj periudhe, Millosheviqi iu dorëzua Tribunalit të Hagës, ku u gjykua për krime lufte në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë. Megjithatë, ai nuk e priti shpalljen e aktgjykimit, pasi vdiq në njësinë e paraburgimit në vitin 2006.

Në atë kohë, drejtimin e partisë e mori Daçiqi, i cili gradualisht u distancua nga retorika e viteve ’90. Në vitin 2008, ai e futi SPS-në në koalicionin qeverisës me Partinë Demokratike, e cila në vitin 2000 kishte qenë forca kryesore e opozitës demokratike.

Në bazë të kësaj marrëveshjeje, Daçiqi u bë ministër i Punëve të Brendshme.

Pas zgjedhjeve të vitit 2012, SPS-ja formoi qeverinë me Partinë Përparimtare Serbe (SNS).

Daçiqi shërbeu për një periudhë të shkurtër si kryeministër i Serbisë, ndërsa më pas, për vite me radhë, mbajti poste të rëndësishme shtetërore, përfshirë atë të ministrit të Punëve të Jashtme dhe të kryetarit të Parlamentit./REL

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com