AktualitetBota+Të fundit

BE propozon kompetenca të zgjeruara për Frontex-in

Komisioni Evropian ka paraqitur një plan të ri për t’i dhënë Frontex-it më shumë burime për të garantuar kthimin e migrantëve të parregullt, përfshirë edhe mbështetjen e vendeve jashtë BE-së.

Nisma e Komisionit Evropian për zgjerimin e kompetencave dhe burimeve për agjencinë kufitare Frontex vjen pas tragjedisë në Ceuta. Projektligji i propozuar i jep agjencisë Frontex më shumë burime për të vepruar edhe përtej territorit të Bashkimit Evropian.

Sipas planit, agjencia do të ketë kompetencën për të mbështetur vendet jashtë BE-së në kthimin e migrantëve në vendet e tyre të origjinës.

Propozimi vjen në një kohë kur shtetet anëtare të BE-së po i kushtojnë gjithnjë e më shumë vëmendje kthimeve, duke argumentuar se shumë prej personave të cilëve u kërkohet të largohen nga Bashkimi Evropian vazhdojnë të qëndrojnë në territorin e tij.

Roli i ri i Frontex-it vjen pas krizës humanitare në Ceuta

Tragjedia në enklavën spanjolle Ceuta u përdor nga disa shtete anëtare të BE-së si shembull për të argumentuar se Bashkimi Evropian mund të bëjë më shumë për të penguar njerëzit të arrijnë në territorin e tij.

Italia, për shembull, vendosi përkohësisht kontrolle kufitare për udhëtarët që vinin nga Spanja.

Kryeministri spanjoll në atë kohë kritikoi disa shtete anëtare të BE-së për reagimin e tyre „egoist” ndaj fluksit të migrantëve në Ceuta.

„Sot propozojmë që Frontex-i të bëhet aktori qendror i BE-së për kthimet”, u tha gazetarëve Magnus Brunner, komisioneri për Çështjet e Brendshme dhe Migracionin.

„Agjencia do të jetë në gjendje të veprojë më shpejt, me një forcë të reagimit të shpejtë që mund të dislokohet brenda 24 orësh dhe të identifikojë herët rreziqet, përpara se një situatë të shndërrohet në krizë”, shtoi Brunner.

Ceuta 2026 | Migrantët futen në mënyrë masive në Ceuta
Futja masive në CeutaFotografi: Marcos Moreno/EUROPA PRESS/dpa/picture alliance

Mundësia për të dëbuar migrantë nga vende jashtë BE-së nënkupton se Frontex-i, për shembull, mund të dëbojë nga Libia drejt vendit të origjinës një shtetas nga Bangladeshi. Libia është një nga vendet nga ku shumë migrantë nisin etapën e fundit të udhëtimit të tyre drejt Bashkimit Evropian.

Plani parashikon zgjerimin gradual të trupës së përhershme të Frontex-it në 30.000 oficerë, përmes krijimit të një „rezerve evropiane për kufijtë dhe kthimet” me 17.000 oficerë gjatë 15 viteve të ardhshme.

Sipas një deklarate të Komisionit, këta oficerë do të mbeten në dispozicion të shteteve anëtare dhe do të mund të dislokohen sipas nevojës.

Propozimi parashikon gjithashtu ngritjen e një Qendre të re të BE-së për Koordinimin e Kthimeve brenda Frontex-it dhe zgjerimin e rolit të agjencisë në të gjithë procesin e dëbimit.

Në plan përfshihet edhe krijimi i një qendre të re monitorimi online, e cila do të ndjekë zhvillimet që lidhen me kufijtë në mediat sociale dhe do të mbështesë masat kundër përmbajtjeve që lidhen me rreziqet për sigurinë kufitare.

Organizatat e të drejtave kritikojnë reformën e Frontex-it

Frontex-i ka për detyrë ruajtjen e kufijve të jashtëm të Bashkimit Evropian, si edhe garantimin e të drejtave të personave që sapo mbërrijnë.

Në të kaluarën agjencia është kritikuar për mungesë llogaridhënieje.

Reforma e planifikuar kufizon fushën e veprimit të mekanizmit të brendshëm të Frontex-it për mbikëqyrjen e respektimit të të drejtave, ndërsa ankesat do t’u përcillen autoriteteve kombëtare.

„Komisioni po i bën lëshime populizmit dhe së djathtës ekstreme në çështjen e migracionit”, tha Tineke Strik, eurodeputete holandeze e grupit Të Gjelbrit/Aleanca e Lirë Evropiane (Greens/EFA).

„Ne kemi nevojë për një qasje ndaj menaxhimit të kufijve që bazohet në të drejtat e njeriut dhe Frontex-i luan një rol kyç në këtë drejtim. Por në vend të kësaj, Komisioni rrezikon ta shndërrojë Frontex-in në një version evropian të ICE-së”, tha ajo./DW

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com