“‘Territorialja’, reformë klienteliste”, Kryetari i Bashkisë së Fushë Arrëzit: Do ta bëjmë si në Kosovë dhe Francë nëse Kuvendi voton pro!
Kryetari i Bashkisë së Fushë-Arrëzit, Hil Curri, ka kundërshtuar ashpër reformën e re territoriale, duke e cilësuar atë si një reformë “klienteliste” dhe duke paralajmëruar reagime nëse Kuvendi voton pro ndryshimeve.
“Reformë klientelistëve. Sot jam me kolegët e mi, 15 mijë banorë që preken nga reforma”, u shpreh ai.
Më tej, kryebashkiaku i Fushë-Arrëzit akuzoi mazhorancën se reforma nuk është hartuar në interes të qytetarëve, por sipas tij synon të shkatërrojë bashki me histori.
“Për këtë reformë Maznikun do ta ndjekë historia. Jemi sot këtu t’i kërkojmë mbështetje qytetarëve dhe mediave, nuk është hartë për qytetarët, është për të shkatërruar bashki me histori. Dhe sot vijmë me qëllime paqësore, por përballemi me policinë. Do të jemi këtu që Kuvendi të mos votojë pro. Do t’ju ndodhë si në Ukrainë, Kosovë dhe Francë”, deklaroi Curri.
“Thirrje drejtorit të policisë: Po na provokojnë”, tha kryebashkiaku i Fushë-Arrëzit.
Reforma territoriale është një nga çështjet që ka shkaktuar kundërshtime të forta nga përfaqësues të disa bashkive, të cilët kundërshtojnë ndryshimet e propozuara dhe kërkojnë që Kuvendi të mos i miratojë ato.
Fraksion.com

