Unioni Turistik kundër Paketës Fiskale 2027: Taksa më të larta, goditje konkurrueshmërisë
Unioni Turistik Shqiptar ka kërkuar rishikimin e ndryshimeve të propozuara në Paketën Fiskale 2027, duke paralajmëruar se rritja e TVSH-së për turizmin nga 6% në 10% dhe e tatimit mbi dividendin nga 8% në 15% do të rëndojë sipërmarrjen dhe do të dobësojë konkurrueshmërinë e sektorit me vendet e rajonit.
Në një deklaratë publike, Unioni shprehet se ndryshimet e propozuara “rëndojnë më tej klimën e biznesit, dobësojnë konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare dhe frenojnë investimet private”.
Organizata argumenton se rritja e TVSH-së duhet të rishqyrtohet, duke theksuar se prej tre vitesh ka kërkuar vendosjen e një norme prej 10% për të gjitha shërbimet turistike, me synimin për të thjeshtuar procedurat dhe për të rritur konkurrueshmërinë.
“Ne, si Union Turistik, kemi kërkuar që para 3 vitesh të kemi një TVSH prej 10% për të gjitha shërbimet që përfshijnë sektorin e turizmit, sepse kjo do ta thjeshtonte procedurën dhe do të na bënte më konkurrues me vendet e tjera të rajonit tonë”, thuhet në deklaratë.
Sipas Unionit, bizneset shqiptare përballen me kushte të ndryshme fiskale krahasuar me destinacionet konkurruese. Greqia aplikon një normë prej 13% për shërbimet turistike, përfshirë hotelet, transportin, ushqimin dhe pijet, ndërsa Maqedonia e Veriut aplikon TVSH prej 5% për akomodimin dhe 10% për shërbimet e tjera turistike.
Ndërkohë, rritja e propozuar do ta vendoste Shqipërinë në të njëjtin nivel me Italinë, e cila ka një normë prej 10% për sektorin, por Unioni e konsideron këtë një destinacion të pakrahasueshëm me Shqipërinë.
Shqetësim tjetër për sektorin është rritja e tatimit mbi dividendin nga 8% në 15%. Sipas Unionit, kjo normë do ta vendoste Shqipërinë mbi Greqinë dhe Kroacinë, ku tatimi mbi dividendin është përkatësisht 5% dhe 10%.
“Prandaj, nuk do të ishte normale që të pretendohet se Shqipëria do të konkurronte me këto vende, të cilat e kanë dividendin sa gjysmën e tatimit që paguajnë bizneset tona”, argumenton organizata.
Unioni Turistik nënvizon gjithashtu se bizneset nuk do të kenë mundësi t’ua kalojnë automatikisht klientëve koston shtesë që mund të krijojë rritja e TVSH-së. Sipas deklaratës, kontratat me operatorët ndërkombëtarë për sezonin turistik 2027 janë nënshkruar dhe çmimet janë përcaktuar disa muaj më parë.
Për këtë arsye, organizata kërkon rishikimin e masave që rrisin barrën fiskale, duke vlerësuar ndikimin e tyre të kombinuar mbi investimet, punësimin dhe konkurrueshmërinë. Ajo kërkon gjithashtu hapjen e një procesi konsultimi me organizatat përfaqësuese të biznesit përpara miratimit përfundimtar të paketës, si dhe parashikimin e periudhave tranzitore për ndryshimet që prekin kontratat ekzistuese dhe planet e investimit.
Unioni thekson se nuk është kundër reformës fiskale, por kërkon që ajo të përqendrohet në luftën kundër evazionit, informalitetit dhe konkurrencës së pandershme, si dhe në përmirësimin e administrimit të të ardhurave publike.
“Ne nuk jemi kundër reformës fiskale. Përkundrazi, jemi për një reformë që lufton evazionin, lufton informalitetin dhe konkurrencën e pandershme, përmirëson administrimin e të ardhurave publike dhe garanton drejtësi në taksim, pa dëmtuar zhvillimin ekonomik të vendit”, përfundon deklarata./monitor
Fraksion.com

