DW: Izrael – Një vend në gjendje post-traumatike
Paralajmërim: Në këtë reportazh flitet për sëmundje të rënda të shëndetit mendor dhe vetëvrasje. Përmbajtja mund të jetë emocionalisht e rëndë për disa persona.
Ronen Shalev e ndien edhe fizikisht afrimin epërvjetorit të sulmit terroristtë 7 tetorit 2023. “Filloj të dridhem”, thotë ai për DW. “Nuk është thjesht një ditë që kalon dhe pastaj vazhdon jeta. Ka shumë varre që duhet t’i vizitojmë, shumë familje me të cilat takohemi. Është një periudhë e vështirë dhe trupi e ndien këtë.”
Dy fëmijët e tij ndodheshin në festivalin Nova në jug të Izraelit, ku gjatë sulmit terrorist u vranë afro 400 persona. Mbi 1.200 vetë humbën jetën nga sulmi i organizatës terroriste islamiste palestineze Hamas dhe grupeve të lidhura me të nga Rripi i Gazës. Pas sulmit pasoi lufta në Gazë, gjatë së cilës forcat izraelite vranë dhjetëra-mijëra palestinezë. Një pjesë e madhe e popullsisë u detyrua të largohej nga shtëpitë.
Vajza e Shalevit, Lior, i mbijetoi sulmit. Djali i tij, Roee, u plagos nga të shtënat dhe u trajtua në spital, por u detyrua të shihte sesi e vranë partneren e tij, Mapal Adam.
Pak kohë pas sulmit, bashkëshortja e Shalevit, Gavriela, u zhduk. Trupi i saj u gjet në një makinë të djegur, së bashku me një letër lamtumire. “Ajo nuk mundi ta përballonte dhimbjen që shkaktoi ajo ditë”, thotë Shalev.
Ndërkohë te djali i tij Roee filluan të shfaqeshin simptoma të çrregullimit të stresit post-traumatik, kryesisht në formën e luhatjeve ekstreme të humorit. “Ai filloi trajtimin për të më bërë mua një nder, por nuk ishte vërtet i bindur. Mendonte se ishte mirë dhe se ishte i fortë”, kujton Shalev.
Dy vjet pas humbjes së partneres dhe nënës së tij, edhe Roee nuk mundi të vazhdonte më. “Jam gjallë, por brenda meje jam i vdekur”, shkroi ai në një mesazh lamtumire në llogarinë e tij në Instagram. “Më vjen keq.”
Një vend në gjendje post-traumatike
Që nga tetori i vitit 202, Izraeli po përjeton një krizë shëndeti mendor në përmasa të paprecedenta. Sipas një raporti të Kontrollorit Shtetëror izraelit nga shkurti 2025, 39 për qind e izraelitëve vuajnë në masë mesatare ose të rëndë nga simptoma post-traumatike, depresioni, ankthi ose një kombinim i këtyre problemeve.
Kjo do të thotë rreth tre milionë vetë. Nga këta 600.000 janë veçanërisht rëndë. Mes tyre janë të mbijetuarit e sulmeve, por edhe personat që u evakuuan nga shtëpitë e tyre në jug dhe veri të Izraelit për shkak të luftës.
Raporti konstatoi gjithashtu se numri i njerëzve që marrin trajtim psikologjik është rritur vetëm me një për qind që nga 7 tetori 2023, pra me rreth 60.000 persona.
Mjete të pamjaftueshme
Noga Dagan-Buzaglo, studiuese në qendrën kërkimore Adva, e cila merret me pabarazitë në shoqërinë izraelite, ka hartuar një analizë të gjerë mbi kujdesin për shëndetin mendor në Izrael dhe sfidat pas 7 tetorit.
Ajo thotë për DW se buxheti për shëndetin mendor është rritur për shkak të luftës, por fondet ende nuk janë të mjaftueshme dhe janë miratuar me vonesë. Sistemi shëndetësor po përballet me një krizë të zgjatur, e cila nuk është trajtuar siç duhet. “Sfida më e madhe është të bindësh njerëzit të punojnë në sektorin publik të shëndetit mendor, sepse pagat janë më të ulëta se në sektorin privat dhe ngarkesa e punës është shumë e madhe”, thotë ajo.
Qetësuesit si zgjidhje e përkohshme
Edhe specialistët e shëndetit mendor nuk kanë mbetur të paprekur nga situata aktuale. Një studim i Universitetit të Haifës tregoi se 84 për qind e terapistëve që trajtonin të prekurit nga sulmet e 7 tetorit zhvilluan vetë simptoma traumatike. 45 për qind e tyre deklaruan se ndiheshin të rraskapitur psikologjikisht.
Ministria izraelite e Shëndetësisë ka theksuar vazhdimisht se ka rritur fondet dhe numrin e vendeve të punës në sistemin publik, por mungesa e personelit mbetet problem, sidomos në rajonet më të izoluara në veri dhe jug të vendit.
Si pasojë, sipas raportit, pritja për trajtim në sistemin publik shpesh zgjat më shumë se gjashtë muaj. Në disa raste pacientët kanë pritur më shumë se një vit për të marrë ndihmë, thotë Dagan-Buzaglo.
Organizatat joqeveritare dhe vullnetarët që ofrojnë mbështetje psikologjike përpiqen të mbushin boshllëqet, por edhe ata përballen me ngarkesë të madhe pune. Për pasojë, është rritur përdorimi i barnave me recetë.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Izraelit, numri i recetave për qetësues, pilula gjumi dhe antidepresivë është rritur me 13 deri në 17 për qind.
Më së shumti vuajnë ata që nuk kanë mundësi të paguajnë për terapi private. Për Dagan-Buzaglon reagimi i sistemit publik ndaj kësaj krize është “thjesht i dobët”.
Ushtarët në rrezik
Veçanërisht të prekur nga kriza e shëndetit mendor janë ushtarët aktivë. Të dhënat e publikuara nga parlamenti dhe ushtria izraelite tregojnë një rritje të ndjeshme të vetëvrasjeve mes rezervistëve: ndërsa në gjashtë vitet para luftës regjistrohej maksimumi një rast në vit, në vitin 2024 u shënuan njëmbëdhjetë raste.

Në vitin 2025 u hetuan nëntë raste të tjera si vetëvrasje të dyshuara. Në këto statistika nuk përfshihen ish-ushtarët që i kanë dhënë fund jetës pas përfundimit të shërbimit aktiv për shkak të traumave të përjetuara.
Sipas Dagan-Buzaglos pagat dhe kushtet e punës për specialistët në ushtri janë më të mira, por mungesa e personelit ndihet edhe atje. “Edhe në ushtri, kohëzgjatja dhe cilësia e trajtimeve janë larg nivelit të nevojshëm.” Ajo është e bindur se duhen investime të reja për të mbështetur si civilët ashtu edhe ushtarët. “Duhet ta kuptojmë se traumat nuk mbarojnë pas një viti. Kjo do të thotë se duhet investuar më shumë para.”
Thyerja e një tabuje
Ronen Shalev mban rregullisht ligjërata dhe flet, shpesh para ushtarëve, për rëndësinë e shëndetit mendor. Për të kjo është mënyra më e mirë për të vazhduar trashëgiminë e të birit dhe për të luftuar në favor të jetës.
Vetë ai është diagnostikuar me çrregullim stresi post-traumatik, por thotë se ka zgjedhur ta jetojë jetën në maksimum. Ai dëshiron të thyejë tabunë që ende ekziston në shoqërinë izraelite rreth mendimeve për vetëvrasje. “Kjo vlen veçanërisht për ata që mendojnë se janë të fortë. Pikërisht për ta duhet të kemi më shumë frikë, sepse ata kanë më pak gjasa të kërkojnë trajtim.”
Të flasë publikisht për përvojat e familjes së tij është bërë pjesë e procesit të shërimit. Njëkohësisht ai shpreson t’u japë kurajë të tjerëve që të kërkojnë ndihmë përpara se të bien në krizë. “Pavarësisht gjithë dhimbjes sime, jeta ia vlen të zgjidhet”, thotë ai.
Fraksion.com

