Çekia heq dorë nga Eurovision 2027 për shkak të shkurtimeve të kostove
Transmetuesi publik i Çekisë po tërhiqet nga Festivali Evropian i Këngës (Eurovision) i vitit të ardhshëm, si pjesë e një nisme për shkurtimin e shpenzimeve.
Sipas faqes së internetit “Eurovision World”, *Česká televize* (ČT) deklaroi se vendimi i saj lidhej me “kërkesa të konsiderueshme programore, prodhuese dhe organizative” në dritën e “rregullimeve të vazhdueshme buxhetore” të kompanisë.
“Ne e vlerësojmë çdo edicion të festivalit veç e veç, ndaj nuk dëshirojmë të spekulojmë tani se kur do t’i bashkohet sërish Televizioni Çek festivalit Eurovision,” citohet të ketë thënë ČT nga “Eurovision World”, ndërsa në një postim në Instagram u tha fansave: “Shpresojmë t’ju shohim sërish në Eurovision një ditë.”
Kompania njoftoi se, përveç mospjesëmarrjes në garë, nuk do të blejë as licencën për transmetimin e finales së madhe që do të mbahet në Burgas të Bullgarisë, në maj të vitit të ardhshëm.
Pasiguria lidhur me financimin
Transmetuesi çek planifikon të shkurtojë kostot me rreth 14,3 milionë euro në vitin 2027 – përfshirë shkurtimin e vendeve të punës dhe ndryshimet në orarin e programeve – për t’u përgatitur ndaj pasigurisë së ardhshme të financimit, ka deklaruar Drejtori i Përgjithshëm i ČT, Hynek Chudárek.
Pasiguria lidhur me financimin publik buron nga legjislacioni që po përgatitet nga qeveria çeke për të zëvendësuar tarifat e licencës televizive me financim të drejtpërdrejtë nga buxheti i shtetit.
Megjithatë, ČT ka deklaruar se mungesa e qartësisë mbi këtë proces bën që ata të mos e dinë as shumën e financimit që do të marrin dhe as kohën kur do të ndodhë kjo.
Që nga debutimi i saj në vitin 2007, Republika Çeke ka marrë pjesë 14 herë në spektaklin televiziv më të dashur të Evropës, duke u kualifikuar për në finalen e madhe gjashtë herë.
Fraksion.com

