AktualitetPolitikëTë fundit

PS refuzoi kërkesën për shtyrjen e afatit të Territoriales, Berisha thirrje qytetarëve për pjesëmarrje në protestë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë se po shmang një proces të rëndësishëm për qytetarët, referuar refuzimit nga mazhoranca socialiste të kërkesës për shtyrjen e afatit të punimeve për Reformën Territoriale.

Ndërsa i bëri thirrje qytetarëve të marrin në dorë fatet e tyre dhe të marrin pjesë masivisht në protesta, Berisha paralajmëroi se pas përfundimit të proceseve të brendshme në parti, PD do të riformulojë strategjinë e saj politike.

“Do të riformulojmë agjendën tonë në funksion të zgjedhjeve të ardhshme, suksesit të protestës dhe largimit të Edi Ramës”, u shpreh kreu i demokratëve.

Berisha akuzoi deputetët e mazhorancës se nuk përfaqësojnë interesat e qytetarëve shqiptarë, por sipas tij, interesa ekonomike dhe struktura që kanë ndikuar në proceset zgjedhore.

“Këta deputetë nuk përfaqësojnë qytetarët. Ata përfaqësojnë miliarda euro të taksapaguesve të përdorura për të ndikuar vullnetin e zgjedhësve, patronazhistët, krimin dhe plaçkitjen e pasurisë publike”, deklaroi ai.

Sipas Berishës, vendimi i mazhorancës për mbylljen e procesit të reformës territoriale është një akt i njëanshëm dhe i papërgjegjshëm.

Ai tha se PD kishte vendosur të merrte pjesë në komisionin e reformës pas kërkesave të qytetarëve nga zona të ndryshme të vendit.

“Dhjetëra dhe qindra qytetarë kanë kërkuar që PD të marrë pjesë në komision për të mbrojtur interesat e tyre. Ne e bëmë këtë dhe përgatitëm një projekt serioz për reformën e ardhshme territoriale”, tha Berisha.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com