AktualitetNATO/BETë fundit

“Gjermania nuk furnizon”, Pistorius: Kemi shteruar rezervat e sistemeve “Patriot” për Ukrainën

Gjermania i ka shteruar rezervat e saj të brendshme dhe nuk mund të furnizojë më Ukrainën me sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore “Patriot” apo me raketa përgjuese, pa cenuar mbrojtjen e saj kombëtare, njoftoi ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius.

Në një prononcim për revistën “Focus”, Pistorius konfirmoi se Berlini ka arritur kufirin e tij absolut sa u përket dërgesave nga arsenalet e “Bundeswehr”-it, pasi gjatë luftës i ka dorëzuar Kievit disa bateri “Patriot” dhe paketa municionesh.

“Çdo gjë që ofrojmë tani, nuk do të jemi në gjendje ta zëvendësojmë për momentin; kjo do të krijonte boshllëqe në mbrojtjen tonë, për të cilat nuk mund të marrim përsipër përgjegjësinë. Më shumë se kaq nuk është e mundur për momentin,” deklaroi Pistorius.

Pistorius theksoi se aleatët e tjerë ndërkombëtarë dhe vendet partnere duhet të marrin përsipër një përgjegjësi më të madhe për të furnizuar Ukrainën me sisteme të avancuara raketore tokë-ajër dhe rezerva raketash përgjuese.

Ministri i Mbrojtjes bëri të ditur se ndarja e barrës për mbrojtjen ajrore do të jetë një prioritet qendror gjatë takimit të ardhshëm të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës (në formatin Ramstein), të planifikuar për në mesin e nëntorit.

Si propozoi Zelensky pezullimin e sulmeve ndaj rafinerive në këmbim të sistemeve “Patriot”?

Konfirmimi i Pistorius-it lidhur me kufizimet e Gjermanisë në furnizime përkon me propozimet e Presidentit Volodymyr Zelensky për të siguruar municione urgjente për mbrojtjen ajrore, përpara sezonit të ngrohjes dimërore.

Në një intervistë të fundit për Fox News, Zelensky deklaroi se Ukraina do të ishte e gatshme të ndalonte sulmet me dronë me rreze të gjatë kundër rafinerive ruse të naftës, nëse Moska do të pezullonte sulmet ndaj infrastrukturës energjetike ukrainase, ose nëse Uashingtoni do t’i siguronte Kievit një paketë specifike raketash “Patriot”.

“Ne thamë se, nëse doni që ne të mos i sulmojmë rafineritë e Rusisë, atëherë ata nuk duhet ta sulmojnë sistemin tonë energjetik,” i tha Zelensky kanalit Fox News, duke konfirmuar se e kishte paraqitur këtë propozim gjatë bisedimeve me Presidentin amerikan Donald Trump dhe ekipin e tij.

Zelensky propozoi që Uashingtoni të ofrojë një paketë urgjente raketash përgjuese “Patriot” për një periudhë njëmujore, duke theksuar se Ukraina është e gatshme t’i blejë këto municione në treg, në vend që t’i kërkojë ato si ndihmë ushtarake.

“Na jepni këtë paketë. Na duhet kjo paketë; mund të na e jepni për një muaj, jo për tre muaj,” tha Zelensky. “Për një muaj – nëse doni që ne të mos i sulmojmë rafineritë e tyre për një muaj – atëherë më jepni ‘Patriot’-ë për një muaj.”

I pyetur nëse Presidenti amerikan Donald Trump mund ta interpretonte këtë propozim si presion diplomatik, Zelensky u përgjigj se ai mban një komunikim të drejtpërdrejtë dhe transparent me bashkëbiseduesit amerikanë.

Mekanizmi i propozuar nga Ukraina për shkëmbimin e raketave

Mungesa akute në rezervat evropiane vjen gjithashtu pas njoftimit të Zelensky-t për një mekanizëm urgjent “shkëmbimi radhe”, që synon sigurimin e 10 deri në 30 raketa përgjuese nga inventarët aktivë të vendeve partnere. Duke folur me gazetarët ukrainas gjatë një takimi informues në Stamboll, Zelensky shpjegoi se Ukraina synon të marrë hua raketa operative nga rezervat e aleatëve, me garancinë se ato do të zëvendësohen sapo raketat e reja të dalin nga linjat e prodhimit amerikane.

“Disa herë gjatë kësaj lufte, në kuadër të dialogëve të ndryshëm, kemi realizuar një operacion ku kemi ndërruar radhët e pritjes,” shpjegoi Zelensky.

“Do të përpiqem ta bëj këtë me partnerë të caktuar: në këmbim të atij paketi prej 500 raketash, ne mund të marrim 10, 20 apo 30 raketa, duke nënshkruar garancitë dhe kontratat përkatëse që përcaktojnë se më vonë do t’i kthejmë ato nga ai paketi amerikan – me njëfarë interesi, ose ndoshta pa interes.”

Kjo nismë vjen pas miratimit nga administrata Trump, më 30 tetor, të një shitjeje të mundshme ushtarake ndërkombëtare (Foreign Military Sale) me vlerë 2.1 miliardë dollarë, e cila përfshin 500 raketa përgjuese të tipit Patriot Advanced Capability-3 Missile Segment Enhancement (PAC-3 MSE) për Ukrainën.

Megjithatë, burime diplomatike konfirmuan se raketat e kontraktuara janë pajisje të prodhuara rishtazi, dërgesat e të cilave nuk pritet të fillojnë para vitit 2030; kjo do të thotë se ato nuk ofrojnë asnjë mbrojtje të menjëhershme kundër sulmeve që mund të ndodhin këtë dimër.

Përmasat e sulmeve ruse ndaj rrjetit energjetik

Përpjekjet urgjente për të siguruar raketa përgjuese për mbrojtjen ajrore vijnë në një kohë kur forcat ruse po intensifikojnë sulmet nga distanca kundër infrastrukturës jetike civile në Ukrainë.

Të dhënat qeveritare tregojnë se, vetëm gjatë dy javëve të fundit të tetorit, aviacioni taktik dhe strategjik rus ka kryer më shumë se 30 sulme të koordinuara kundër centraleve të prodhimit të energjisë elektrike dhe nënstacioneve të transmetimit të tensionit të lartë.

Zelensky ka deklaruar më parë se Ukrainës i duhet një sasi bazë prej të paktën 100 raketash përgjuese PAC-3 në muaj, për të krijuar një mburojë mbrojtëse efektive që do të mbronte rrjetet energjetike urbane, sistemet e ngrohjes qendrore dhe zonat me popullsi të dendur nga breshëritë e raketave balistike.

Fraksion.com

 

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com