AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Fol me Kryeministrin!

Platforma “Fol me Kryeministrin” është një hapësirë e re sociale për komunikim të drejtpërdrejtë me Kryeministrin Edi Rama, e cila është e hapur për studentët dhe çdo qytetar tjetër që kërkon të dialogojë.

Platforma u prezantua pak ditë më parë nga kreu i qeverisë. Rama dot duke ndarë pamje nga platforma, shkruan se është pasqyra e Dialogut në telefonin apo kompjuterin e kujtdo, që dëshiron të shprehë një kritikë, të ngrejë një shqetësim apo të paraqesë një propozim.

Krijimi i kësaj platforme e ka pikënisjen nga nevoja për dialog që diktoi protesta e studentëve.

“Çdo protestë ka një arsye kur nis, por edhe një sfond më të gjerë sesa pankarta e pikënisjes. Nga ana tjetër protesta nuk është vetëm një manifestim shqetësimi, pakënaqësie a zemërimi, po pjesë e bashkëjetesës demokratike, ku qytetarët janë të lirë të shprehen dhe kanë të drejtë të dëgjohen”, shprehet Rama përmes kësaj platforme.

Kryeministri theksoi se në vendet e lira protesta është një e drejtë e pamohueshme, që mbrohet nga shteti edhe kur protestohet kundër qeverisë, parlamentit, gjykatës.

Nga ana tjetër, ai shtoi se dhuna ndaj institucioneve, kërcënimi dhe vandalizmi ndaj pronës publike e private janë krime.

Prandaj, Rama tha se refuzimi i dhunës e distancimi prej saj, është ana tjetër e lirisë dhe së drejtës së protestës.

“Për mua, që i përkas një gjenerate e cila e fitoi me protesta paqësore lirinë e mendimit dhe të pluralizmit politik, ka qenë gjithnjë e qartë: Protesta është një trokitje në veshin e pushtetit dhe pushteti duhet ta dëgjojë çdo protestë, e të jetë kurdoherë gati për dialog”, shtoi ai.

Sipas Kryeministrit, “shpesh, kur një protestë nuk është një demonstrim politik për bazën opozitare, po një manifestim qytetar shqetësimesh, protestuesit e kërkojnë dialogun dhe qeveritë hezitojnë të ulen me ta”.

“Por nganjëherë ndodh e kundërta. Sot ka studentë që duan të flasin, të pyesin, të kundërshtojnë, të kërkojnë shpjegime apo të propozojnë zgjidhje, mirëpo nuk ndihen të lirë ta bëjnë këtë publikisht, për shkak të intimidimit të vazhdueshëm të atyre që nuk duan dialog”, shtoi Kryeministri.

Rama theksoi se as dhuna e disave nuk mund të bëhet arsye për të mos dëgjuar të tjerët, as refuzimi i dialogut nga disa nuk mund të kthehet në pengesë për ata që duan të dialogojnë.

Kështu, sipas tij, lindi ideja e kësaj hapësire të re sociale.

“Një mundësi e thjeshtë komunikimi të drejtpërdrejtë me mua, fillimisht për studentët, por e hapur për këdo që dëshiron të bëjë një pyetje, të shprehë një kritikë, të ngrejë një shqetësim apo të paraqesë një propozim. Pa qenë nevoja të dalë publikisht me emër e mbiemër. Pa qenë nevoja të marrë anën e askujt. Pa qenë nevoja të jetë dakord me mua për asgjë”, tha Rama.

Sipas tij, identiteti i atyre që dëshirojnë të komunikojnë pa e bërë publik emrin e tyre do të ruhet në mënyrë konfidenciale dhe nuk do të publikohet pa pëlqimin e tyre.

Kreu i Qeverisë theksoi se kjo nismë nuk synon të zëvendësojë protestën me një formular digjital, as të kushtëzojë dialogun me dakordësinë për çka mund të mos jemi kurrë dakord.

Synimi, sipas tij, është ngritja e një ure ku pyetjet, kritikat, shqetësimet dhe propozimet, ashtu si përgjigjet, kundërargumentet, mirëkuptimi dhe dakordësitë e mundshme, të thuhen lirisht, të shqyrtohen me respekt dhe të adresohen me përgjegjësi.

“Askush nuk duhet të zgjedhë mes së drejtës për të protestuar dhe mundësisë për t’u dëgjuar. Prandaj, kush do të protestojë paqësisht, le ta bëjë pa asnjë pengesë. Kush do që edhe të dialogojë për çka proteston, bujrum, është i mirëpritur në këtë hapësirë të re sociale. Le ta nisim duke rënë dakord se mund të mos jemi kurrë dakord, por nga mënyra se si e shprehim mosdakordësinë tonë varet edhe sa e mirë ose jo është bashkëjetesa jonë demokratike”, u shpreh Rama.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com