AktualitetPolitikëTë fundit

Koçeku ironizon Ramën: Nuk ia ka idenë çka asht besa!

Deputetja e pavarur, Marjana Koçeku ka reaguar përmes një postimi në Facebook ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama, i cili së fundmi u bëri thirrje shqiptarëve t’i japin “besën”.

Në reagimin e saj, Koçeku shprehet se besa është një koncept i shenjtë dhe i lidhur ngushtë me traditën, tokën dhe vendlindjen, duke theksuar se nuk mund të përdoret si slogan politik.

“Flasin për besën njerëz që nuk ia kanë idenë çka asht besa. Së pari, besa asht nji kontratë e pashkrueme mes njerëzish dhe, si e tillë, asht thellësisht natyrore,” shkruan ajo.

Koçeku thekson se të parët e kanë lidhur besën me tokën, malin, gurin dhe vendin ku jetonin, duke i konsideruar ato dëshmitarë të fjalës së dhënë.

Sipas saj, ata që e shohin tokën vetëm si hapësirë për ndërtime shumëkatëshe apo resorte turistike nuk mund ta kuptojnë domethënien e vërtetë të besës.

“Ata që e shohin tokën veç si truall për kulla shumëkatshe e resorte, zor se munden me e kuptu këtë koncept që për ne malsorët asht jashtë mase i shenjtë,” shkruan ajo.

Në postimin e saj, Koçeku shton se edhe në rastet kur persona të përfshirë në konflikte apo krim kërkojnë pajtim, sipas traditës, ata kthehen te kulla e të parëve, te logu apo te kisha e fshatit për të kërkuar besën.

Në përfundim, ajo shpreh qëndrimin se lidhja me tokën dhe natyrën është themeli i besës, duke theksuar:

“Prandaj, njerëzve që e humbin lidhjen me tokën, vendin e tyne dhe natyrën, nuk mund t’u zihet besë!”

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com