“BESA”: Do vendosim bashkë për të ardhmen e projekteve
Ditën e djeshme kryeministri Edi Rama publikoi reflektimet e tij mbi protestat në Tiranë, ku pas 55 ditësh tubim bëri një kthesë politike dhe njoftoi se qeveria ka gati “BESËN” e re për shqiptarët.
Sipas këtij plani të ri të qeverisë, parashikohet që brenda një periudhe 90-ditore të zhvillohen dëgjesa në terren me banorë, studiues, shkencëtarë, por edhe grupet që protestuan, për të marrë më pas një vendim për të ardhmen e projektit.
Sipas dokumentit, testi nuk nis me asnjë paragjykim, as nëse projekti duhet të vazhdojë dhe as nëse duhet ndalur. Çdo mundësi duket se lihet e hapur.
“Alternativat janë vazhdimi me garanci, korrigjimi, kushtëzimi, rikonceptimi ose ndalimi, sipas asaj që lejojnë ligji, kontratat dhe provat. Asnjë hap i Metodës BESA nuk pezullon kompetencat ligjore, procedurat administrative, detyrimet kontraktore ose kontrollin gjyqësor”.
Plani “BESA” i qeverisë synon gjithashtu një transformim të ri, që do të përcaktojë dekadën e ardhshme të zhvillimit shqiptar, me në fokus qytetarin.
“Kthesa e mandatit të katërt është edhe kalimi nga logjika e ndërtimit, te kultura e kujdesit. Nga investimi si ngjarje, te përkujdesja si standard. Nga miratimi i një ligji, te përvoja e përditshme e qytetarit lidhur me ligjshmërinë. Ky është transformimi që do të përcaktojë dekadën e ardhshme të zhvillimit shqiptar. Një shtet i drejtë me njerëzit. Një administratë që respekton afatet. Një shërbim publik që sillet me dinjitet. Një institucion që pranon gabimin dhe garanton reagimin. Një qeveri që e ndan vendimmarrjen me publikun”.
Në përfundim të këtij procesi, do të ketë një analizë të qasjes së para qershorit, kur nisën protestat, për të nxjerrë mësime, gjë e cila sipas dokumentit “nuk pengon përgjegjësinë administrative, kontraktore ose ligjore aty ku ajo provohet”. Çdo element i këtij procesi do të jetë i publikuar në ndërfaqen që do të quhet “Flamingo Mirror” (pasqyra e Flamingove), e cila në të ardhmen do të përdoret për të gjitha dosjet me interes të lartë publik.
Fraksion.com

