Nufi: Modernizimi i FA, prioritet strategjik

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi deklaroi sot se modernizimi i Forcave të Armatosura mbetet një prioritet i palëkundur për Shqipërinë, si vend aleat i NATO-s, ndërsa vlerësoi si zhvillim pozitiv marrëveshjet e fundit në fushën e industrisë ushtarake dhe masat për menaxhimin e emergjencave civile në prag të sezonit veror.
Në një konferencë për mediet me gazetarët, ku të pranishëm ishin edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Arben Kingji, drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako dhe kreu i kompanisë “KAYO”, Ardi Veliu, ministri Nufi tha se vëmendje e veçantë po i kushtohet edhe menaxhimit të emergjencave, përfshirë zjarret dhe fatkeqësitë natyrore, që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.
“Angazhimi ynë mbetet i qartë, forcimi i kapaciteteve mbrojtëse, rritja e ndërveprueshmërisë dhe përmbushja e detyrimeve tona në fushën e sigurisë kolektive. Në këtë kontekst, Forcat e Armatosura mbeten një nga shtyllat kryesore të sigurisë kombëtare dhe një kontribut i rëndësishëm për sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare”, u shpreh Nufi.
Ai bëri të ditur se Forcat e Armatosura shqiptare kontribuojnë aktualisht me rreth 250 efektivë në misione dhe operacione jashtë vendit, në kuadër të partneriteteve me NATO-n, Bashkimin Europian dhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
“Ky angazhim është dëshmi e qartë e besueshmërisë së Shqipërisë si aleate dhe partnere, si edhe e profesionalizmit të personelit tonë ushtarak në operacione shumëkombëshe”, theksoi ministri.
Një tjetër prioritet, sipas Nufit, mbetet zhvillimi i bashkëpunimit rajonal në kuadër të NATO-s. Ai nënvizoi se Forcat e Armatosura shqiptare luajnë rol në forcimin e stabilitetit në rajon përmes pjesëmarrjes në operacione të përbashkëta dhe angazhimeve me partnerët ndërkombëtarë.
“Në këtë kuadër, stërvitjet e planifikuara janë hapa të rëndësishëm në rritjen e gatishmërisë sipas standardeve të NATO-s. Ne do të vijojmë angazhimin tonë në stërvitjet e Aleancës, duke synuar rritjen graduale të kapaciteteve dhe kontributit tonë në sigurinë kolektive”, deklaroi ai.
Ministri theksoi se modernizimi i Forcave të Armatosura mbetet një nga prioritetet strategjike të vendit, ndërsa investimet janë përqendruar në kapacitete me ndikim të drejtpërdrejtë operacional dhe në përputhje me objektivat e NATO-s dhe sigurisë kombëtare.
Fokusi i investimeve përfshin sistemet e mbrojtjes raketore me rreze të shkurtër dhe të mesme, sistemet me dronë dhe antidronë, kapacitetet mbrojtëse kibernetike, fuqinë e zjarrit të artilerisë, si dhe mjetet taktike të blinduara.
Nufi vlerësoi gjithashtu rëndësinë e burimeve njerëzore në Forcat e Armatosura.
“Burimet njerëzore vijojnë të mbeten prioritet absolut dhe elementi kyç i gjithë forcës sonë. Pa një trupë të motivuar nuk mund të kemi Forca të Armatosura efektive”, përfundoi ministri.
Fraksion.com
