AktualitetPolitikëTë fundit

Gara për kryetar të PD-së, Salianji: Partia nuk meriton të shuhet për shkak të liderit

Ish-deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji, ka reaguar sot në 1 maj pas skualifikimit nga gara për kryetar të PD-së të të gjithë kandidatëve, duke mbetur në garë vetëm lideri aktual, Sali Berisha.

Salianji shprehet në postimin e tij në rrjetet sociale se Berisha dhe njerëzit që e rrethojnë i shërbejnë vetëm interesave të kryetarit aktual të partisë. Ai ngre shqetësimin se PD është duke shkuar drejt shuarjes.

Sipas tij, Berisha është një lider tashmë i konsumuar, i hetuar. i izoluar dhe i paaftë për të bashkuar opozitën. Në fund, Salianji iu bën thirrje demokratëve, që të mos heshtin përballë kësaj situate.

Postimi i Salianjit:

Standardi mizerabël se si Berisha po trajton Partinë Demokratike shpreh mungesën e thellë të përgjegjësisë historike për sakrificat e demokratëve që prej 13 vitesh dergjen në opozitë.

Shpërfaqja e këtij shtetari deri në degradim total me ndasi, me idiotësi, me miq dhe armiq imagjinar…. me rrena dhe gënjeshtra të poshtra që i kanë lënë demokratët 13 vite rrugëve, shprehin humbjen e e “kështjellës” së fundit që ai kishte arritur të fshinte: burrërinë.

Kush mban përgjegjësi për humbjen më të thellë që nga 1997, me 11 Maj 2025? Kush i bëri listat? Kush hartoi programin banal sikur të ishte viti 1995? Kush e drejtoi fushatën?

Edhe demokratët më të fandaksur e dinë që me Sali Berishën dhe këtë lidership, nuk do fitohet kurrë.

Çdo ditë që ai qëndron në krye të Partia Demokratike e Shqipërisë është një humbje për opozitën dhe për Shqipërinë.

Koha punon vetëm për ndryshimin. Sali Berisha nuk mund ta përfaqësojë kurrë atë.

Ai është i konsumuar, i izoluar, i hetuar, i paaftë për të bashkuar opozitën.

Nuk mund të flasim për ndryshim në Shqipëri, duke refuzuar ndryshimin në PD. Ne nuk mund të kërkojmë votën e shqiptarëve kështu.

Partia Demokratike nuk mund të jetë kurrë e fortë pa garë, pa përfaqësim, pa përgjegjësi.

Çdo përpjekje për t’i shmangur këto e dobëson Partinë Demokratike dhe e largon nga qytetarët.

Partia Demokratike nuk mund të jetë parti individi, nuk e meriton të jetë! Ajo duhet të rikthehet në një parti masash dhe pushteti. Ajo është pronë e demokratëve dhe shpresa e mijëra shqiptarëve që presin rotacionin prej vitesh!

PD nuk e meriton të shuhet për shkak të liderit të saj.

Llogaritë i kanë bërë gabim, veçanërisht me mua dhe shumicën e demokratëve.

Koha thërret demokratët të mos heshtin.

Zgjedhjet brenda Partisë Demokratike pritet të jenë thjesht një referendum, ku kreu aktual Sali Berisha mund të konfirmohet sërish si lideri i partisë. Kjo, pasi sot në 1 maj, edhe dy kandidatët e tjerë, që synonin të merrnin pjesë në këtë garë, Vladimir Mulaj e Mereme Sela nuk janë kualifikuar si kandidatë, pasi nuk plotësojnë kushtet e vendosura.

Sela dhe Mulaj nuk kanë përmbushur kriteret, përfundim i sjellë pas shqyrtimit të bërë nga KOKOE. Sipas udhëzimit të PD, përveç integritetit të figurës kandidati duhet të ketë patur dhe një angazhim të paktën 10-vjeçar në PD. Po ashtu, kërkohet eksperiencë drejtuese në nivel kombëtar ose rajonal në beteja politike dhe për çështje qytetare.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com