“Partizani”, avokatët e Malltezit dhe Berishës pyesin Ballën, gjykata i tërheq vëmendjen socialistit: Mbani vendin, jeni thjesht dëshmitar!
Seanca e radhës në GJKKO për dosjen “Partizani” është shoqëruar me debate dhe replika mes palëve, gjatë dëshmisë së kreut të Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla.
Balla u përgjigj se të gjitha materialet që kishte në dispozicion i kishte bashkëngjitur kallëzimit. Ai theksoi se informacionet i kishte siguruar nga qytetarët, media dhe burime të tjera, përfshirë edhe të drejtën ligjore si deputet për të kërkuar informacion nga institucionet.
I pyetur nëse kishte marrë përgjigje nga Ministria e Mbrojtjes për dokumentet e dorëzuara, Balla tha se nuk i kujtohej dhe se duhej të verifikonte në kallëzim.
Gjatë përgjigjeve, trupi gjykues i tërhoqi vëmendjen Ballës për të respektuar rolin e tij në proces.
“Mbani vendin tuaj, jeni thjesht dëshmitar. Nuk lejohen komentet,” u shpreh gjykata.
Në vijim, avokati Skënderi e pyeti Ballën mbi ekzistencën e dokumenteve për marrëveshje mes shtetit shqiptar dhe atij italian, si dhe për çështje të shpronësimeve.
Balla deklaroi se nuk i kujtohej nëse kishte parë dokumente të tilla, ndërsa për një shkresë të viteve 1993-1994 tha se ishte referuar nga burime publike.
Ai shtoi se, sipas njohurive të tij si qytetar, shpronësimi nënkupton marrjen e pronës për qëllime shtetërore.
Përballja me avokatin e Berishës
Avokatja e Sali Berisha, Klodiana Gjyzari, e pyeti Ballën mbi gjendjen e objekteve në momentin e hetimit.
Balla u përgjigj se ato ishin në gjendje të mirë dhe të rikonstruktuara, por shtoi se sipas tij ishin privatizuar me një vlerë “qesharake”.
I pyetur mbi vlerën reale, ai tha se nuk ishte ekspert, por vlerësoi se duhet të ishte “ndoshta 10 herë më e lartë”.
Nga ana tjetër, avokati Sokol Mëngjesi kërkoi të dinte se kush ishte favorizuar nga procesi i privatizimit.
Balla deklaroi se sipas tij përfitues kanë qenë Jamarbër Malltezi dhe subjekte të lidhura me shoqëritë përkatëse, duke shtuar se dyshimet lidhen edhe me ndikimin e tij si dhëndër i ish-kryeministrit.
“Unë jam këtu si kallëzues. Nëse do të kisha të gjitha faktet, nuk do të kishte nevojë për prokurorinë,” tha ai.
Fraksion.com

