AktualitetNATO/BETë fundit

DW: Sinjal alarmi për Gjermaninë? Do të shkurtojë SHBA trupat?

Përplasja mes Merz dhe Trump duket se po ashpërsohet: Trump tani kërcënon të reduktojë praninë e trupave amerikane në Gjermani. Një vendim pritet të merret “së shpejti”. Nuk është kërcënimi i parë i Trump.

Sipas presidentit amerikan Donald Trump, SHBA po shqyrtojnë një reduktim të mundshëm të trupave në Gjermani. Një vendim pritet të merret së shpejti, shkroi ai në platformën e tij Truth Social. Njoftimi pason kritikat e ashpra të Trump ndaj kancelarit federal Friedrich Merz, pasi ky i fundit kishte shprehur rezervat e tij për ofensivën amerikane kundër Iranit. “Ai nuk ka asnjë ide se për çfarë po flet!”, shkroi Trump të martën për Merz, duke shtuar se “nuk është çudi që Gjermania po ecën kaq keq, si ekonomikisht ashtu edhe në aspekte të tjera”. Trump e akuzoi kancelarin se pranon që Irani të zotërojë armë bërthamore. Megjithatë, nuk dihet që Merz të ishte shprehur ndonjëherë në këtë mënyrë.

Sipas të dhënave të ushtrisë amerikane nga mesi i prillit rreth 86 mijë ushtarë janë të dislokuar në Evropë, prej tyre afërsisht 39 mijë në Gjermani. Ky numër ndryshon rregullisht, edhe për shkak të rotacioneve dhe stërvitjeve.

Merz dhe Trump takohen në Shtëpinë e Bardhë, Zyrën Ovale, 3 mars 2026
Marrëdhënia personale Trump-Merz ka arritur në një pikë të ulët? Merz kundërshton: “Marrëdhënia personale mes presidentit amerikan dhe meje – të paktën nga këndvështrimi im – mbetet e mirë dhe e pandryshuar”.Fotografi: Mark Schiefelbein/AP Photo/picture alliance

Merz përpiqet të qetësojë situatën

Deklaratat e fundit të Trump, të lenë të kuptosh, se marrëdhënia personale Trump-Merz  ka arritur në një pikë të re të ulët. Megjithatë, kancelari gjerman e kundërshtoi këtë përshtypje të mërkurën. “Marrëdhënia personale mes presidentit amerikan dhe meje – të paktën nga këndvështrimi im – mbetet e mirë dhe e pandryshuar”, tha ai. “Ne vazhdojmë të jemi në komunikim të mirë me njëri‑tjetrin.”

Për muaj të tërë, kancelari federal dhe presidenti amerikan kishin kultivuar një marrëdhënie relativisht të mirë. Së fundmi, megjithatë, Merz ndryshoi tonin dhe kritikoi hapur Uashingtonin. Ai akuzoi qeverinë amerikane se nuk ka një strategji daljeje për luftën me Iranin. Amerikanët, sipas tij, kanë hyrë në këtë luftë “qartazi pa asnjë strategji”, tha Merz gjatë një diskutimi me nxënës në Marsberg, në rajonin Sauerland. Kjo e bën edhe më të vështirë përfundimin e konfliktit. “Sidomos kur iranianët duket se po negociojnë shumë me zgjuarsi – ose po aq me zgjuarsi nuk negociojnë fare”, tha Merz. “Këtu po poshtërohet një komb i tërë nga udhëheqja shtetërore iraniane.”

Trump ka kërcënuar edhe më parë

Gjatë mandatit të parë Donald Trump (2017–2021) kishte paralajmëruar një reduktim të kontingjentit të trupave amerikane në Gjermani. Disa muaj përpara largimit nga Shtëpia e Bardhë, Trump njoftoi se synonte të tërhiqte 12 mijë nga rreth 35 mijë ushtarë amerikanë që ndodheshin atëherë në Gjermani. Disa mijë prej tyre duhej të zhvendoseshin brenda Evropës, të tjerë të ktheheshin në SHBA. Trump e përshkroi atëherë këtë plan si ndëshkim për, sipas tij, shpenzimet shumë të ulëta të Gjermanisë për mbrojtjen. Pasardhësi i tij, Joe Biden, i ndaloi këto plane menjëherë pas marrjes së detyrës.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com