AktualitetKosovaPolitikëTë fundit

Heqja e taksës me Serbinë, Rama: Kurti vendosi një gur kilometrik për të ardhmen e Kosovës në rrafshin ndërkombëtar

“Qeveria e re e Kosovës për mua ka nisur sot dhe Albin Kurti kryeministër ka nisur sot në atë gur kilometrik ku u vendos një gur i ri për të ardhmen e Kosovës në rrafshin ndërkombëtar”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, duke folur për vendimin e Kosovës për heqjen e taksës me Serbinë.

Kryeministri u shpreh se “unë do të bëj gjithçka kam në dorë për të garantuar marrëdhëniet sa më konstruktive”. “Albin Kurtit ia kam thënë jo më larg se dje se e kam mbështetur atë po bën sepse Kosova mua më intereson. Albini është më intelektuali në këndvështrimin tim nga ata që keni aty. E kam vlerësuar gjithmonë si një intelektual  dhe ky vendim që ai po bën me heqjen e taksës, e bën atë Kryeministër”, tha Rama.

Ndërkohë, Rama tha se Ramush Haradinaj ka marrë vendimin më të dëmshëm për Kosovën, pasi po të kishte dëgjuar propozimin e Francës, Kosova sot do të lëvizte pa viza.

“Aty nuk u fol fare për heqje takse, u fol për pezullim. Macron tha pezulloje 4 muaj. Haradinaj ka për detyrë të flasë të vërtetën. Unë nuk e kam çuar në gjyq në Hagë e kam çuar në gjykatë në Prishtinë sepse mendoj se populli i Kosovës duhet të dijë të vërtetën. Lidhja ime me Kosovën nuk është lidhje elektorale, e Ramushit është lidhje elektorale dhe për ato votat e veta bëri theror Kosovën në arenën ndërkombëtare. Ajo taksë u përdor në mënyrën më të gabuar. E kam mbështetur në momentin e parë për të ndihmuar Ramushin dhe Kosovën, por i kam thënë: kush të ka këshilluar nuk e di por nuk është këshillë e mirë, tani e vure përdore si mjet për fituar diçka. U kthye në qëllim në vetvete për të marrë Ramushi vota dhe për të bërë të mundur rënien në pikiatë të reputacionit ndërkombëtar të Kosovës”, tha Rama.

Kryeministri Rama tha se “jam Kryeministër i një shteti tjetër, por jam shqiptar 100% që më dhemb kur e sheh Kosovën të përpëlitet nga veprime dhe sjellje dëmtore”. “E them këtë nga pozitat e një njeriu që jam në komunikim me gjithë lidershipin ndërkombëtar dhe mua më vjen të mbytem dhe më duket e pamundur që Kosova, fitimtarja e luftës të katandiset kështu, ndërkohë që Serbia, humbësja e luftës u bë viktimë, e bëri Haradinaj”, tha Rama.

Rama tha se “Ramushi është ish-kryeministër që i ka bërë një dëm shumë të madh si kryeministër, Kosovës”. “Kur kujtoj luftën, i përulem me respekt komandantit Ramush Haradinaj, kur kujtoj Haradinaj kryeministër them shyqyr që mbaroi ai makth për Kosovën”.

Rama tha se “ne duhet të jemi të mençur e strategjik dhe të gjejmë rrugët për ta çuar para kauzën tonë, njohja përfundimtare e Kosovës, dhe hapi tjetër integrimi i shqiptarëve përmes BE-së”.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com