“Çmim i arsyeshëm”: Brenda tregtisë së paligjshme me foshnje në Iran
Një grua, e cila thotë se drejton një organizatë bamirësie, po ofron shitjen e një foshnjë për tre miliardë rialë (apo rreth 1.100 dollarë). Oferta përfshin gjithçka, nga ekzaminimet me ultrazë deri te certifikata e lindjes dhe letërnjoftimi, ndërsa pagesa kërkohet pas dorëzimit të foshnjës.
Oferta të tilla po qarkullojnë në rrjetet sociale në Iran, pavarësisht se shitja e fëmijëve është e ndaluar me ligj.
Ndërmjetësit në këto kanale përdorin gjuhën e bamirësisë dhe të birësimit për të kërkuar shuma që arrijnë në miliarda rialë, sipas një hulumtimi të Radios Farda të Radios Evropa e Lirë (REL), të bazuar në shqyrtimin e kanaleve në Telegram dhe në intervista me aktivistë, infermierë dhe vetë ndërmjetësit,
Disa shkojnë edhe më tej, duke ofruar regjistrimin e lindjes së një foshnjë në emër të një gruaje që nuk është nëna e saj biologjike. Të tjerë organizojnë vendosjen e foshnjave në familje iraniane që jetojnë jashtë vendit.
Një infermiere, e cila ka njohuri për këto marrëveshje, i tha Radios Farda se tre miliardë rialë konsiderohen “çmim i arsyeshëm për një foshnjë”.
Një “dhuratë” për një djalë të porsalindur
Një kanal në Telegram, i cili mbledh para për gratë dhe fëmijët në gjendje të vështirë, publikoi një thirrje për ndihmë për një grua në muajin e tetë të shtatzënisë, e cila, sipas pretendimeve, ishte dëbuar nga shtëpia. Thirrja shumë shpejt u shndërrua në ofertë: foshnja e saj për 1.5 miliard rialë (rreth 550 dollarë), plus shpenzimet e spitalit.
Administruesja e kanalit, e cila e quan veten “Doktoresha”, i tha Radios Farda se organizon dërgimin e të porsalindurve të braktisur në familje birësuese.
“Do të parapëlqeja që foshnjat të shkonin te familjet dhe jo te Behzisti”, tha ajo, duke iu referuar Organizatës Shtetërore të Mirëqenies Sociale.
Ajo tha se blerësit mund të zgjedhin gjininë e një foshnje deri në 10 ditëshe. Sipas saj, foshnjat janë të shëndetshme dhe prindërit e tyre nuk kanë histori të varësisë nga droga. Ajo shtoi se blerësit mund ta marrin me vete mjekun e vet për ta kontrolluar fëmijën.
Ajo pretendoi se certifikata e lindjes, letërnjoftimi dhe dokumentacioni mjekësor mund të rregulloheshin në mënyrë që blerësit të figuronin si prindër të foshnjës. Shtoi se procesi ishte konfidencial dhe se nuk do të mbetej asnjë gjurmë që do të çonte te blerësi. Radio Farda nuk ka mundur t’i verifikojë në mënyrë të pavarur këto pretendime.
Procesi nis me dorëzimin e dokumenteve të identifikimit nga blerësit dhe hapjen e një dosjeje, për të cilën kërkohen 200 milionë rialë (rreth 75 dollarë).
Në një komunikim tjetër, administruesja e kanalit tha se një djalë të porsalindur e kishin të gatshëm për ta dorëzuar. Pas diskutimit të kushteve, ajo kërkoi tre miliardë rialë. Ajo e quajti këtë shumë parash “dhuratë”, e cila do të mbulonte procedurat ligjore, shpenzimet e spitalit dhe mbështetjen për familjen biologjike të foshnjës.
Gjatë bisedës, versioni i saj për prejardhjen e foshnjave ndryshoi: fillimisht tha se bëhej fjalë për të porsalindur të braktisur në spitale, ndërsa më pas tha se ishin fëmijë të familjeve tepër të varfra për t’i rritur.
Lindja regjistrohet në emër të një gruaje tjetër
Një infermiere në repartin e maternitetit, e cila thotë se në vitin 2021 kishte ndërmjetësuar kalimin e një foshnjë te një familje iraniane në Shtetet e Bashkuara, përshkroi se si mund të funksionojë një marrëveshje e tillë.
Sipas infermieres, nëna biologjike, e cila tashmë kishte katër fëmijë, dëshironte ta ndërpriste shtatzëninë e saj të pestë gjatë tremujorit të parë, për shkak të varfërisë. Por një familje që dëshironte ta merrte foshnjën përsipër fillimisht pagoi vizitat e saj te mjeku, ekzaminimet me ultrazë dhe një pjesë të shpenzimeve të jetesës. Ajo pranoi ta dorëzonte fëmijën për 700 milionë rialëve, shumë që në vitin 2021 vlente rreth 2.560 dollarë.
Sipas infermieres, rezultatet e ultrazërit dhe analizat u regjistruan në emër të nënës birësuese, ndërsa vajza e porsalindur u lirua nga spitali me atë emër. Dy gratë në fjalë nuk u takuan asnjëherë, tha ajo, ndërsa foshnja u dërgua në Shtetet e Bashkuara rreth një muaj pas lindjes. Radio Farda nuk ka mundur t’i konfirmojë në mënyrë të pavarur këto hollësi.
Infermierja tha se disa familje përdorin makijazh, veshje për gratë shtatzëna dhe fotografi të inskenuara për të krijuar përshtypjen se nëna birësuese e ka mbajtur vetë shtatzëninë.
Ajo theksoi se ligji iranian u lejon iranianëve që jetojnë jashtë vendit të aplikojnë për kujdestarinë e fëmijëve përmes misioneve diplomatike të republikës islamike, por disa familje e shmangin këtë procedurë.
Një tjetër kanal në Telegram reklamonte një vajzë tri ditëshe dhe një djalë shtatëditor. Personat e interesuar për t’i marrë u udhëzuan ta telefononin një grua, të cilën kanali e prezantonte si “Zonja Doktoreshë”.
Kur u kontaktua nga Radio Farda, ajo tha se mirëpriste dërgimin e foshnjave në familje iraniane që jetojnë jashtë vendit, por se dikush brenda Iranit duhej të merrej me dokumentacionin dhe procedurat pasuese.
Ajo tha se kërkon gjithashtu dokumentet e identifikimit dhe pagesa paraprake, si dhe sugjeroi që lindja të planifikohej në mënyrë që të përkonte me vizitën e blerësit në Iran.
Sipas saj, në dispozicion kishte edhe binjakë. Ajo tha se foshnjat vinin nga shtatzëni të padëshiruara në familje që nuk kishin mundësi t’i rrisnin. Ajo shtoi se takohet dy ose tri herë personalisht me çiftet e interesuara për të vlerësuar nëse janë të përshtatshme.
Hapja e një dosjeje kushton 100 milionë rialë (rreth 37 dollarë), ndërsa për binjakët kërkohen edhe 300 milionë rialë shtesë (rreth 110 dollarë), tha ajo.
Problem i kahershëm
Një infermiere në repartin e maternitetit të një spitali shtetëror i tha Radios Farda se spitali i saj dërgon të paktën dy të porsalindur në muaj te Behzisti, kryesisht për shkak se nënat e tyre janë të varura nga droga ose familjet nuk kanë mundësi të kujdesen për ta. Ajo shtoi se disa foshnje thjesht braktisen në spitale.
Autoritetet iraniane e kanë pranuar prej kohësh ekzistencën e problemit të shitjes së foshnjave.
Në janar të vitit 2022, një zyrtar i lartë i Behzistit tha se shitja e foshnjave ishte në rritje dhe se marrëveshje të tilla ndonjëherë organizoheshin edhe para lindjes.
Një muaj më vonë, kreu i policisë kundër krimeve kibernetike në Teheran njoftoi arrestimin e një grupi që kishte ofruar foshnja për shitje në internet, me çmimin prej 1.2 miliard rialësh (rreth 4.750 dollarë në atë kohë).
Më shumë se katër vjet më vonë, oferta të ngjashme vazhdojnë të qarkullojnë në Telegram./REL
Fraksion.com

