Bursa më e madhe e kriptomonedhave në botë goditet nga vjedhja më e madhe në botë
Të enjten, hakerët vodhën mbi 6 miliardë dollarë në kriptomonedha, duke thyer rekordin për vjedhjen më të madhe të këtij lloji, ndërsa hetues të shumtë drejtuan gishtin nga Koreja e Veriut.
Deri të enjten në mbrëmje (sipas orës në SHBA), një grup kompanish të kriptomonedhave kishin arritur të bllokonin rreth 3 miliardë dollarë nga shuma e vjedhur, në mes të një beteje të ashpër me hakerët për të gjetur dhe marrë nën kontroll fondet dixhitale.
Hakerët depërtuan në portofolat dixhitalë që mbaheshin në Binance, platformën më të madhe në botë për shkëmbimin e kriptomonedhave.
Të enjten vonë, Binance deklaroi se hetimet paraprake tregojnë se sulmi u krye përmes laptopit të një inxhinieri, “gjë që i lejoi sulmuesit të fitonte qasje në një ‘kontejner shërbimi’ (service container) dhe të kryente transaksione tërheqjeje të paautorizuara”.
Të premten, bashkë-drejtori ekzekutiv i Binance, Richard Tend, shkroi në platformën X se sulmi nuk ishte një veprim që kryhet me “një klikim të vetëm”, por një proces mjaft kompleks. Ai shtoi se hetimi nuk ka identifikuar ndonjë individ përgjegjës dhe as nuk ka gjetur prova për rrjedhje të çelësave privatë të portofolave.
Binance njoftoi se do t’i “mbulojë të gjitha humbjet” duke përdorur “fondet e kompanisë” dhe një fond emergjence, duke theksuar se “fondet e përdoruesve janë të sigurta”. Platforma gjithashtu bëri të ditur se ka “pezulluar përkohësisht depozitat dhe tërheqjet derisa të përfundojnë kontrollet e sigurisë; ka anuluar autorizimin për adresat e prekura; [dhe] ka angazhuar forcat e rendit e partnerë të specializuar në analizimin e rrjeteve blockchain për të gjurmuar e rikuperuar fondet”.
Analistët mbetën të tronditur nga shuma e parave të prekura nga ky sulm.
“Është sulmi kibernetik më i madh në histori,” tha për agjencinë Reuters, Aravind Srinivasan, drejtues i divizionit OTC në kompaninë GSR, një nga krijuesit kryesorë të tregut të kriptomonedhave.
Kompania TRM Labs, e cila merret me gjurmimin e transaksioneve të kriptomonedhave, ia atribuoi vjedhjen një njësie elitare hakerësh nga Koreja e Veriut, “bazuar në të dhëna të forta të mbledhura si brenda, ashtu edhe jashtë rrjeteve blockchain”.
Pangolin Intelligence, një tjetër kompani me seli në Singapor që monitoron rrjetet blockchain, gjithashtu shprehu bindjen se pas kësaj vjedhjeje qëndron një njësi hakerësh nga Koreja e Veriut.
“Analizimi i veprimtarisë në rrjetet blockchain lidhur me këtë sulm, në kombinim me informacionet nga incidente të mëparshme [që përfshijnë njësinë kibernetike të Koresë së Veriut]”, çoi në këtë përfundim, u shpreh një analist i Pangolin Intelligence, i cili kërkoi të mbetet anonim për arsye privatësie.
“Mendoj se loja e maces me miun sapo ka filluar”, tha analisti i Pangolin Intelligence për CNN, duke shtuar se Koreja e Veriut ka të ngjarë të përdorë një rrjet organizatash për pastrim parash për të provuar të tërheqë fondet e vjedhura.
Chainalysis, një tjetër kompani gjurmimi kriptovalutash, tha se po monitoronte fondet e vjedhura “që lëvizin nëpër blockchain-e të shumëfishta”, duke përfshirë Bitcoin dhe Ethereum. Një zëdhënës i Chainalysis i tha CNN se firma kishte “besim të lartë” se Koreja e Veriut ishte pas sulmit kibernetik.
CNN ka kontaktuar misionin e Koresë së Veriut në OKB për koment. Pheniani më parë ka mohuar akuzat për sulm kibernetik.
CNN ka kërkuar koment nga FBI-ja, si dhe nga Shërbimi Sekret i SHBA-së, i cili gjithashtu heton krimin kibernetik. Në hetimet e kaluara të sulmeve të mëdha kibernetike, FBI ka pasur një ekip analistësh në gatishmëri që kanë punuar për të ngrirë disa nga paratë.
Nëse Koreja e Veriut provohet të jetë fajtorja, nuk do të ishte surprizë për zyrtarët e zbatimit të ligjit në SHBA dhe ekspertët privatë. Hakerat e Koresë së Veriut u fajësuan për sulmin e mëparshëm rekord të kriptovalutave, kur dyshohet se vodhën 1.5 miliardë dollarë nga Bybit, një tjetër bursë e madhe kriptovalutash. Në atë rast, sulmuesit vodhën një shumë të barabartë me një pjesë të konsiderueshme të produktit të brendshëm bruto vjetor të raportuar të Koresë së Veriut brenda pak minutash.
Ekipet e fuqishme të hakerimit të Koresë së Veriut janë një burim kyç i të ardhurave për regjimin e armatosur me armë bërthamore dhe të goditur nga sanksionet, sipas zyrtarëve aktualë dhe ish-zyrtarë amerikanë dhe të Koresë së Jugut. Hakerët e lidhur me Phenianin kanë vjedhur miliarda dollarë nga bankat dhe firmat e kriptomonedhave në vitet e fundit, sipas raporteve nga Kombet e Bashkuara dhe firmat private.
Një hetim i CNN-së i vitit 2023 nxori në pah se si shërbimi i inteligjencës së Koresë së Jugut punoi me ekspertë privatë të ndjekjes së kriptomonedhave për të sekuestruar rreth 1 milion dollarë në kriptomonedha që koreano-veriorët kishin vjedhur nga një viktimë.
Ndryshe nga platformat për tregtimin e aksioneve, bursat e kriptomonedhave kanë tendencë të mbajnë asete dixhitale në emër të përdoruesve të tyre, gjë që i bën ato më të prekshme nga hakerat dhe vjedhjet, veçanërisht duke pasur parasysh mungesën e mbikëqyrjes rregullatore brenda industrisë relativisht të sapolindur.
Binance u bashkëthemelua në vitin 2017 nga shtetasi kanadez Changpeng Zhao, duke u shndërruar në platformën më të madhe në botë për tregtimin e kriptomonedhave brenda një viti nga nisja e saj.
Megjithatë, Zhao u largua nga detyra në vitin 2023, pasi pranoi fajësinë për shkeljen e ligjeve kundër pastrimit të parave në SHBA. Ai u dënua me katër muaj burg federal, ndërsa në tetor të vitit të kaluar u fal nga Presidenti Donald Trump.
Zhao, i cili nuk e menaxhon më platformën por mbetet aksioneri i saj më i madh, deklaroi në rrjetin social X se incidenti duket të jetë një sulm kibernetik dhe se pret që fondet e përdoruesve të mbulohen plotësisht nga platforma.
Çmimet e Bitcoin dhe Ether, kriptomonedhat më të tregtuara, pësuan rënie të menjëhershme pas lajmit për cenimin e sigurisë në Binance, por më pas rikuperuan një pjesë të humbjeve, duke u tregtuar rreth 2-3% më ulët mesditën e së premtes në Hong Kong.

