Ish-gjenerali kryesor i Kievit: Aftësia sulmuese e Rusisë është thyer
Ukraina e ka stabilizuar vijën e frontit dhe e ka “thyer aftësinë e Rusisë për të avancuar” duke shkaktuar vdekjen e një numri të madh të trupave të saj; këtë e ka deklaruar ish-komandanti i përgjithshëm i Ukrainës në një intervistë për BBC-në.
Gjenerali Oleksandr Syrskyi i bëri këto komente në një intervistë ekskluzive, të parën që nga largimi i tij i papritur nga posti gjatë verës.
Ai foli për shkarkimin e tij, duke shprehur mospajtim me kritikët që e cilësonin si dikë të “shkollës së vjetër”, të papërshtatshëm për të komanduar forcat e reja dhe teknologjikisht të avancuara të Ukrainës.
Ai gjithashtu hodhi poshtë pretendimet e ushtarëve që kishin shërbyer më parë nën komandën e tij, të cilët i thanë BBC-së se ishin urdhëruar të qëndronin në pozicionet e tyre edhe kur ishin pothuajse të rrethuar nga rusët, gjë që çoi në humbje të mëdha.
Syrskyi tha se humbjet e përgjithshme të Moskës në luftë ishin gjashtë herë më të larta se ato të Ukrainës. “Nëse llogaritni vetëm të vdekurit, atëherë shifra shkon deri në 11 herë më shumë,” shtoi ai.
As Rusia dhe as Ukraina nuk i publikojnë zyrtarisht shifrat e të vdekurve të tyre. Ushtria ukrainase thotë se në shtator shkaktoi humbje rekord te ushtarët rusë, megjithëse kjo nuk mund të verifikohet.
Shefat e inteligjencës britanike vlerësojnë se Rusia ka humbur rreth gjysmë milioni ushtarë të vrarë në Ukrainë që nga nisja e pushtimit në shkallë të gjerë në vitin 2022. Ndërkohë, Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS) me bazë në SHBA vlerëson se Ukraina ka humbur deri në 150,000 trupa të vrarë deri në qershor të vitit 2026.
Ai thotë se ky ndryshim në numrin e viktimave – si dhe përparimet teknologjike dhe strategjia e sulmit ndaj pikave të dobëta në linjat ruse, krahas frenimit të avancimeve të tyre në zona të tjera – shpjegojnë ngërçin aktual në front.
Në gjashtë muajt e parë të vitit 2026, Rusia arriti të merrte nën kontroll gjithsej 61 kilometra katrorë, tha gjenerali. “Kjo është një tregues se vija e frontit është stabilizuar.”
Instituti për Studimin e Luftës (ISW) e ka konfirmuar gjithashtu këtë trend. Një nga raportet e tij të fundit thotë se në shtator të vitit 2026, Moska humbi më shumë territor sesa fitoi. Syrskyi u emërua komandant i përgjithshëm i Ukrainës në vitin 2024. Ai më parë kishte marrë vlerësime për mbrojtjen e Kievit në fillim të pushtimit rus në shkallë të gjerë në vitin 2022, si dhe për udhëheqjen e kundërofensivës së suksesshme në lindje të Kharkiv-it në vjeshtën e atij viti.
Megjithatë, Presidenti Volodymyr Zelensky e shkarkoi Syrskyi-n këtë verë, pas një mosmarrëveshjeje të madhe me ministrin e atëhershëm të mbrojtjes, Mykhailo Fedorov.
Fedorov kishte deklaruar se, në vend që të përshtatej me realitetet e një lufte në ndryshim, ushtria nën drejtimin e Syrskyi-t kishte penguar iniciativat e tij.
Zelensky fillimisht shkarkoi Fedorov-in, ndërsa tensionet mes dy burrave dolën hapur në shesh. Por protestat masive në rrugë e detyruan presidentin të shkarkonte edhe Syrskyi-n, duke e zëvendësuar atë me gjeneral-majorin 43-vjeçar, Mykhailo Drapatyi.
Syrskyi i tha BBC-së se kishte pasur “mosmarrëveshje” me Fedorov-in, sepse ky i fundit “nuk i merrte parasysh interesat e ushtrisë” gjatë prokurimit të armëve dhe furnizimeve.
Fedorov kishte krijuar një “mosekuilibër” në furnizime, tha Syrskyi. Ai u kishte dhënë përparësi dronëve, ndërsa kishte anashkaluar pajisje kyçe për vijën e frontit, si automjete tokësore pa pilot, kamionçina dhe motoçikleta. Madje edhe sa u përket dronëve, tha Syrskyi, kishte mungesa, pasi ushtria merrte vetëm gjysmën e asaj që i nevojitej.
Fedorov ishte një ministër i ri dhe popullor, i njohur për iniciativat e tij dixhitale dhe teknologjike. Shumë njerëz e krahasonin atë me Syrskyi-n, për të cilin kritikët mendonin se nuk ishte i përshtatshëm për të udhëhequr garën e re të armatimeve teknologjike me Rusinë.
Por Syrskyi nuk pajtohet me këto kritika. Ishte pikërisht gjatë kohës së tij që përdorimi i dronëve arriti në këtë nivel të ri e të paprecedentë, përfshirë sulmet në thellësi, më shumë se 2000 km (1200 milje) pas vijave të armikut, tha ai. Ukraina ishte vendi i parë që krijoi Forcat e Sistemeve pa Pilot si një degë të veçantë të forcave të armatosura, nën komandën e tij; tani, tha ai, dronët përbëjnë 80% të humbjeve të Rusisë. Megjithatë, nën udhëheqjen e tij ushtarake, trupat ukrainase kryen tërheqje kaotike nga qytetet lindore Avdiivka dhe Vuhledar, si dhe nga zona përreth Pokrovskut.
Ushtarët që kanë folur më parë me BBC-në janë ankuar se ishin urdhëruar të qëndronin në pozicionet e tyre me çdo kusht. Kur u jepej urdhri për t’u tërhequr, shpesh ishte tepër vonë, pasi ata tashmë ishin pothuajse të rrethuar nga trupat ruse.
Syrskyi nuk e mohon se situata të tilla ndodhin në vijën e frontit. Por ai i tha BBC-së se Ukraina po luftonte kundër një ushtrie shumë më të fuqishme.
Ai tha se, në vitin 2025, raporti i avionëve dhe bombave ishte 18 me një në favor të Moskës. Në të njëjtin vit, Rusia kishte dyfishin e gjysmë të artilerisë dhe predhave krahasuar me Ukrainën. Gjithashtu, me katër milionë burra të trajnuar ushtarakisht që mund t’i mobilizojë, forcat ruse mund të krijojnë mundësi për të depërtuar, argumentoi ai.
Një nga operacionet më të njohura të Syrskyi-t ishte inkursioni në rajonin rus të Kurskut, i cili nisi në gusht të vitit 2024. Ai përfundoi me një tërheqje dramatike pranverën pasuese, të cilën disa ushtarë e përshkruan si “katastrofike”. Megjithatë, Syrskyi këmbënguli se operacioni në Kursk ishte “një domosdoshmëri”.
“Në verën e vitit 2024, forcat ruse po avanconin përgjatë të gjitha drejtimeve kryesore të vijës së frontit me deri në gjashtë herë më shumë trupa sesa kishim ne,” shpjegoi ai.
Inkursioni në Kursk e ndërpreu ofensivën ruse dhe e detyroi Moskën të ridrejtonte trupat, duke i dhënë Ukrainës një periudhë lehtësimi dhe mundësinë që brigadat e saj të mbingarkuara në lindje dhe jug të rimëkëmbeshin, tha Syrskyi.
Ai gjithashtu shprehu qëndrime të forta ndaj aleatëve evropianë që dyshojnë se Rusia mund të ketë ambicie territoriale përtej Ukrainës. Ai u këshilloi partnerëve evropianë të fillojnë përgatitjet për luftë që tani dhe “të heqin dorë nga çdo iluzion se ajo nuk do të ndodhë”.
Ai tha gjithashtu se besonte se lufta e Ukrainës do të bëhej edhe më teknologjike. Do të ketë më shumë robotë, sisteme të automatizuara dhe inteligjencë artificiale (IA). “Madje edhe armët e zakonshme tani pajisen me sisteme kontrolli të bazuara në IA për të rritur aftësitë e tyre,” tha ai.
Teknologji të tilla mund t’u japin një jetë të re armëve konvencionale, siç janë tanket. Si Rusia, ashtu edhe Ukraina, po garonin tani për të zhvilluar “sisteme aktive mbrojtjeje” për të mbrojtur mjetet e blinduara, tha Syrskyi.
Por ai këmbënguli se “roli njerëzor do të mbetet vendimtar [në fushën e betejës], sepse njerëzit do të duhet t’i kontrollojnë ato sisteme”.
Fraksion.com

