Ngjarja e rëndë në restorant në Fushë-Krujë: Dy kamerierët po bënin shaka, 16-vjeçari humbi jetën pasi ashensori u shkëput. Detaje
Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë në Arrameras të Fushë-Krujës, ku 16-vjeçari Enes Isaku humbi jetën pas shkëputjes së ashensorit në restorantin ku punonte si kamerier.
Sipas informacioneve paraprake, në momentin e ngjarjes, viktima dhe kolegu i tij, Endri Stafuka, po bënin shaka me njëri-tjetrin. 16-vjeçari ishte futur në ashensor për të zbritur në katin e parë të lokalit, kur kamerieri tjetër dyshohet se e ka shtyrë me duar dhe ka shtypur butonin për ta zbritur poshtë.
Në atë moment, ashensori është shkëputur dhe 16-vjeçari ka përplasur kokën në pllaka, duke humbur jetën. Sipas të dhënave paraprake, shkëputja e menjëhershme e ashensorit ka rrezikuar edhe jetën e kamerierit tjetër.
Mësohet gjithashtu se vetëm pak çaste para ngjarjes, ashensori ishte përdorur edhe nga pronari i restorantit, Afrim Vathi, i cili është gjyshi i viktimës 16-vjeçar.
Në lidhje me ngjarjen, policia ka arrestuar kamerierin 26-vjeçar, i dyshuar për veprën penale “Vrasja nga pakujdesia”, si dhe pronarin 62-vjeçar, për shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë dhe fshehje të të ardhurave. Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e tragjedisë dhe për të përcaktuar përgjegjësitë për sigurinë e ashensorit.
Fraksion.com

