Pas dëbimit nga Mali i Zi, blogeri rus kthehet nga Serbia në Rusi
Blogeri rus dhe themeluesi i kanalit Rybar në Telegram, Mikhail Zvinchuk, u kthye në Rusi, pasi u dëbua nga Mali i Zi, së bashku me bashkëshorten dhe tre bashkëpunëtorë të tij, për arsye të sigurisë kombëtare dhe të brendshme.
Zvinchuk dhe bashkëpunëtorët udhëtuan fillimisht nga Podgorica drejt Beogradit.
Pas mbërritjes në Moskë, Zvinchuk u tha mediave ruse se në lirimin dhe kthimin e tij ishin përfshirë institucionet shtetërore ruse, përfshirë Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe rrjetin diplomatik.
Ai tha se pajisjet e konfiskuara gjatë ndalimit në Mal të Zi, përfshirë kamerat dhe një dron, ende nuk i janë kthyer dhe se Ambasada ruse po e ndihmon në zgjidhjen e kësaj çështjeje.
Zvinchuk dhe bashkëpunëtorët e tij u ndaluan të premten, më 9 tetor, në territorin e komunës së Kotorrit.
Policia bëri të ditur se pajisjet do t’u nënshtrohen ekspertizave dhe analizave, për të përcaktuar se për çfarë qëllimi janë përdorur në territorin e Malit të Zi.
Vendimi për dëbimin u mor nga Policia e Malit të Zi për, siç u tha, arsye të sigurisë kombëtare dhe të brendshme.
Para se të shkonte në Mal të Zi, Zvinchuk kishte qëndruar në Serbi dhe në Bosnje dhe Hercegovinë, konfirmoi Radio Evropa e Lirë.
Atje, ai dhe ekipi i tij dyshohet se po xhironin një seri dokumentarësh për marrëdhëniet mes Rusisë dhe Ballkanit.
Rybar është një rrjet rus mediatik dhe informativ, i themeluar në vitin 2018 nga Zvinchuk, ish-punonjës i shërbimit për shtyp në Ministrinë ruse të Mbrojtjes.
Gjatë luftës në Ukrainë, Rybar u shndërrua në një nga kanalet ushtarake proruse më me ndikim në Telegram.
Zvinchuk është nën sanksionet e Bashkimit Evropian që nga viti 2023, për shkak të mbështetjes së luftës së Rusisë kundër Ukrainës dhe përhapjes së propagandës.
Sipas BE-së, ai është anëtar i një grupi pune të krijuar nga presidenti rus, Vladimir Putin, për të koordinuar përpjekjet e mobilizimit në lidhje me luftën kundër Ukrainës.
Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe e kanë lidhur rrjetin Rybar me operacione të ndikimit të huaj dhe të luftës informative.
Në vitin 2024, Departamenti amerikan i Shtetit, përmes programit Rewards for Justice, ofroi një shpërblim deri në 10 milionë dollarë për informacione mbi personat e lidhur me projektin Rybar, duke ngritur dyshime se ky rrjet është i përfshirë në operacione të ndikimit të huaj./REL
Fraksion.com

