AktualitetNATO/BETë fundit

Pas një serie sulmesh me thikë, alarm në shkollat e Polonisë

Polonia konsiderohet një vend i sigurt. Deri më tani, polakët i njihnin sulmet e përgjakshme në shkolla vetëm nga raportimet e mediave të huaja. Pas një serie sulmesh me thikë, tani po rritet frika nga imituesit.

Një shkollë fillore në qendër të Polonisë u shndërrua të enjten (08.10.2026) në skenën e një krimi të tmerrshëm. Në fshatin Leszczydół-Nowiny, në verilindje të Varshavës, pak pas orës nëntë të mëngjesit, një 15-vjeçar hyri në ndërtesën e shkollës dhe e goditi me thikë në qafë kujdestaren e shkollës. Gruaja 37-vjeçare, nënë e dy fëmijëve, vdiq në vendngjarje pavarësisht përpjekjeve për ta rikthyer në jetë.

Drejtori i shkollës, me ndihmën e një mësueseje, arriti ta ndalë sulmuesin. Të dy u lënduan gjatë ndërhyrjes. Autori nuk ishte i panjohur. Ai vinte nga i njëjti fshat dhe vetëm në qershor kishte përfunduar shkollën fillore.

Pak pas sulmit u bë e ditur se 15-vjeçari mbante një helmetë me kamerë, me të cilën mund ta filmonte sulmin. Ai u arrestua në ambientet e shkollës dhe u dërgua në një komisariat policie. Sipas raportimeve, ai kishte me vete tre thika.

Të mërkurën ndodhi një tjetër sulm me thikë në një shkollë profesionale në qytetin Ostrołęka, në verilindje të vendit. Një 19-vjeçar plagosi nëntë persona me një “objekt të mprehtë” – mediat raportuan se bëhej fjalë për një hanxhar. Mes të plagosurve ishin mësues, nxënës dhe, gjatë arratisjes së tij nga shkolla, edhe dy kalimtarë. Në çantën e shpinës ai kishte një bombë artizanale, që nuk shpërtheu. Pas sulmit, autori tentoi t’i shkaktonte lëndime vetes. Policia e arrestoi pak më vonë në periferi të qytetit.Pamje nga ajri e shkollës fillore në fshatin polak Leszczydół-Nowiny

Pamje nga lart e shkollës fillore në fshatin polak Leszczydół-Nowiny pas sulmit vdekjeprurës me thikë.Fotografi: Wojtek Radwanski/AFP

Po atë ditë, në Sierpc të Polonisë qendrore, u arrestua një 17-vjeçar. Ai dyshohet se po planifikonte një sulm në shkollën e tij. Pasi kishte paralajmëruar më parë se do t’u “bënte diçka të keqe” të tjerëve, shokët e klasës njoftuan mësuesin, i cili më pas lajmëroi policinë. Gjatë kontrollit në banesën e tij u sekuestruan dy thika. Në internet ai kishte kërkuar informacione se si kryhet një sulm në shkollë.

Kryeministri Tusk reagon ndaj “serisë së zezë”

“Seria e zezë”, siç e quajti gazeta Rzeczpospolita, bëri që të enjten të reagonte edhe kryeministri polak Donald Tusk. Në një konferencë të thirrur me urgjencë, ku morën pjesë shefi i policisë Marek Boron, ministri i Brendshëm Marcin Kierwiński dhe ministri i Digjitalizimit Krzysztof Gawkowski, kryeministri lavdëroi guximin dhe heroizmin e mësuesve dhe njoftoi masa më të rrepta sigurie.

Nga tani e tutje, policia jo vetëm që do të forcojë praninë e saj përreth shkollave, por do të kryejë patrullime edhe brenda ambienteve shkollore të paktën një herë në ditë.

“Kjo është një shenjë paralajmëruese. Deri tani, Polonia ka qenë një vend shumë i sigurt sa i përket rrezikut të sulmeve terroriste në shkolla. Me shqetësim të madh kemi ndjekur dramat që ndodhnin në shkollat e vendeve të tjera, veçanërisht në Amerikë”, tha Tusk.

“Për herë të parë kemi të bëjmë me një vrasës të mitur që mbante një helmetë me kamerë. Ai kishte planifikuar ta filmonte sulmin e tij me thikë”, shtoi kryeministri.

Ai paralajmëroi për rrezikun e imituesve, të cilët mund të nxiten nga vala e dhunës që qarkullon në internet për të kryer sulme të tjera.

Sipas policisë polake, në rastin e sulmit të së enjtes nuk mund të përjashtohet mundësia që motivi të ketë qenë një e ashtuquajtur “challenge” (sfidë), megjithëse deri tani nuk ka prova që lidhin drejtpërdrejt incidentet mes tyre. Në këto të ashtuquajtura “challenge”- “sfidë”, të rinjtë i vendosin vetes detyra përmes platformave sociale si TikTok, YouTube ose Instagram dhe më pas dokumentojnë në internet realizimin e tyre.Kryeministri polak Donald Tusk në konferencë shtypi

“Për herë të parë kemi të bëjmë me një vrasës të mitur që mbante një helmetë me kamerë. Ai kishte planifikuar ta filmonte sulmin e tij me thikë”, tha kryeministri Tusk.Fotografi: Lisi Niesner/REUTERS

Siç theksoi Tusk, qeveria aktualisht nuk ka instrumente për të hequr me shpejtësi nga interneti përmbajtje që përbëjnë vepra penale, si nxitja e dhunës, trafikimi i qenieve njerëzore apo gjuha e urrejtjes. Presidenti Karol Nawrocki kishte bllokuar në janar 2026, me anë të vetos, një ligj përkatës. Ai e arsyetoi vendimin e tij me nevojën për të mbrojtur lirinë e shprehjes. Vetoja e Nawrockit ka penguar gjithashtu zbatimin në Poloni të Aktit të Bashkimit Evropian për Shërbimet Digjitale (Digital Services Act – DSA).

E premte e përgjakshme?

Sipas gazetës së përditshme Rzeczpospolita, në rrjetet sociale kanë qarkulluar informacione për një “të premte të përgjakshme”. Ky ditë thuhej se do të ishte kulmi i disa sfidave të supozuara (challenges) mes të rinjve të përfshirë.

Një nxënëse 18-vjeçare me emrin Nikola i tha televizionit Polsat News të enjten se të rinjtë e përfshirë në aktet e dhunës kishin bashkëpunuar në një grup të mbyllur në Facebook. “Ka zëra se nesër pritet të ketë një kulm të ngjarjeve”, tha ajo. Vëllai i saj ndjek shkollën në Leszczydół-Nowiny, ku në mëngjes ndodhi sulmi me thikë. “Në këtë moment po i verifikojmë të gjitha informacionet”, deklaroi lidhur me këto raportime zëdhënësja e policisë polake, Katarzyna Kucharska.

Frika nga imituesit e sulmeve

Për shkak të frikës nga imituesit e mundshëm, të premten të gjitha shkollat fillore në komunën Wyszków, ku bën pjesë edhe fshati Leszczydół-Nowiny, duhej të qëndronin të mbyllura. Edhe në disa rajone të tjera të Polonisë qendrore mësimi u ndërpre.

Ministri i Digjitalizimit, Krzysztof Gawkowski, u përpoq të premten në mëngjes të qetësonte qytetarët. “Nuk ekziston asnjë sfidë mbarëkombëtare në Poloni. Kjo është dezinformatë”, deklaroi ai për televizionin TVN.Poloni Ostrołęka 2026 | Ekipet e emergjencës në Ostrołęka

Ekipet e emergjencës në Ostrołęka pas sulmit me thikë që plagosi nëntë persona më 7 tetor 2026Fotografi: Moja Ostroleka/REUTERS

Pas sulmeve të fundit me thikë, policia polake ka kontrolluar 10.000 shkolla dhe institucione arsimore. Në lidhje me kërcënimet e shpërndara në internet, janë arrestuar 10 persona, mes tyre tre të mitur të moshës 13 deri në 15 vjeç, të cilët në rrjetet sociale kishin bërë thirrje për vrasjen e personave të tjerë, njoftoi Agjencia Polake e Lajmeve PAP.

Në një intervistë në muajin maj për gazetën Rzeczpospolita, drejtori i Shërbimit të Sigurisë së Brendshme të Polonisë (ABW), Rafał Syrysko, kishte paralajmëruar për radikalizimin në rritje të të rinjve. “Radikalizimi i të rinjve ndodh kryesisht përmes internetit, përmes platformave sociale, forumeve ose hapësirave të lidhura me botën e lojërave elektronike, ku anonimiteti është shumë i madh. Shërbimet e sigurisë nuk janë në gjendje ta kontrollojnë të gjithë internetin”, kishte deklaruar Syrysko. Koalicioni qeveritar e shfrytëzoi debatin për sigurinë në shkolla për ta sjellë sërish në votim në parlament ligjin për sigurinë digjitale. Të enjten në mbrëmje, Sejmi (parlamenti polak) e miratoi me shumicë të madhe ligjin, i cili mundëson fshirjen e shpejtë të përmbajtjeve kriminale në internet. Mbetet e paqartë nëse presidenti Karol Nawrocki do ta nënshkruajë këtë herë ligjin.

Polonia deri më tani konsiderohej një vend i sigurt krahasuar me Evropën Perëndimore dhe Shtetet e Bashkuara. Por sulmi me thikë i së enjtes nuk ishte i vetmi kohët e fundit. Disa incidente të ndodhura ditët e fundit po e vënë në pikëpyetje reputacionin e Polonisë si një vend me shkolla të sigurta./DW

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com