Trump thotë se është marrë vesh me Putinin për dizelin rus, Ukraina e quan “dhuratë” për Kremlinin
Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se ka arritur një marrëveshje me presidentin rus, Vladimir Putin, për lehtësimin e përkohshëm të sanksioneve ndaj eksporteve të dizelit rus, një vendim që Ukraina e kritikoi menjëherë, duke e cilësuar si “dhuratë” për Kremlinin.
Në përpjekje për të frenuar rritjen e ndjeshme të çmimeve të energjisë, Trump tha në një postim në rrjetet sociale më 9 tetor se dy udhëheqësit janë pajtuar që Rusia të nxjerrë menjëherë në treg 300.000 tonë dizel, të pasuar nga 500.000 tonë të tjerë në nëntor dhe një milion tonë shtesë më pas.
Sipas Trumpit, kjo masë do të bëjë që çmimet të “bien, në nivel rekord dhe shpejt!”.
Pas njoftimit, çmimet e kontratave të ardhshme për dizelin ranë me rreth 4 për qind, por mbetën mbi 110 për qind më të larta sesa në fillim të vitit. Ndërkohë, nafta bruto Brent tregtohej me rreth 104 dollarë për fuçi, me një rënie prej vetëm 0,3 për qind gjatë ditës.
Vendimi u mor në kohën kur zyrtarë ukrainas, amerikanë dhe evropianë po zhvillonin bisedime në Majami, me synimin për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës. Bisedimet përfunduan pa ndonjë përparim vendimtar.
Lehtësimi i sanksioneve nxiti kritika si në Kiev, ashtu edhe në mesin e ligjvënësve në Uashington, të cilët paralajmëruan se heqja e kufizimeve mund t’i siguronte Moskës të ardhura shtesë për të vazhduar luftën kundër Ukrainës.
Ky vendim ngriti gjithashtu pikëpyetje rreth politikës amerikane ndaj Rusisë, pasi Trump së fundmi kishte nënshkruar një ligj që synon ashpërsimin e sanksioneve ndaj vendeve që mbështesin tregtinë e energjisë me Moskën.
“Dhuratat për Putinin nuk do të sjellin paqe dhe as ndonjë përfitim për botën e qytetëruar”, shkroo presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në rrjetet sociale.
“Rusia do ta ‘shpërblejë’ dizelin me më shumë terror dhe pabesi. Lejimi i Rusisë që të shesë produkte të naftës është investim në një luftë që duhet të përfundojë, jo të zgjatet. Ajo që nevojitet është një ulje e vërtetë e tensioneve me Rusinë, mbi bazën e reciprocitetit”, tha ai.
Për të mundësuar eksportet e dizelit, Departamenti amerikan i Thesarit lëshoi një licencë të përgjithshme të përkohshme, e cila autorizon shitjen, dërgimin dhe importimin e dizelit me origjinë ruse deri më 7 prill 2027.
Trump tha se, pas sasive fillestare, Rusia do të furnizojë tregun edhe me tre milionë tonë të tjerë dizel “brenda një periudhe të shkurtër”.
Zëvendëskryeministri rus, Alexander Novak, tha se Moska është e gatshme t’i rrisë furnizimet gjatë tetorit, ndërsa eksportet pritet të shtohen në nëntor dhe dhjetor, kur rafineritë të rifillojnë punën pas përfundimit të mirëmbajtjes.
Çmimet e dizelit janë rritur që kur Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën sulmet ajrore ndaj Iranit në shkurt, duke shkaktuar një konflikt që tashmë ka hyrë në muajin e tetë.
Trump ka fajësuar sulmet ukrainase ndaj rafinerive ruse për rritjen e çmimeve dhe i ka kërkuar Zelenskyt të ndalojë goditjet ndaj objekteve energjetike të Rusisë.
“Problemi që kam me Ukrainën dhe Rusinë është se, e dini, një pjesë e madhe e dizelit vjen nga Rusia dhe rafineritë ruse po goditen nga Ukraina”, u tha Trump gazetarëve së fundmi.
Zyrtarët ukrainas kanë deklaruar se janë të gatshëm t’i ndalin sulmet ndaj rafinerive ruse të naftës, nëse Moska ndërpret valën e fundit të sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike dhe objekteve të tjera civile në Ukrainë.
Ndërsa ekipi negociator ukrainas ndodhej në Florida, Zelensky vuri në pikëpyetje edhe qëllimin e bisedimeve në Majami, në një kohë kur Uashingtoni po i lejonte Rusisë të siguronte të ardhura nga eksportet e karburanteve.
“Besoj se ekipi ynë thjesht po përdoret si mbulesë”, tha ai.
Më herët, më 9 tetor, Zelensky priti në Kiev një delegacion senatorësh amerikanë nga të dyja partitë dhe bëri thirrje për shtimin e presionit ndaj Moskës.
Ndërkohë, në Kongresin amerikan, vendimi për lehtësimin e sanksioneve ndaj Rusisë shkaktoi reagime të ashpra nga disa ligjvënës.
“Kjo sigurisht që duket keq. Presidenti ka pasur gjithmonë një lloj verbërie morale kur bëhet fjalë për Putinin. Mbështetja e ekonomisë ruse të luftës është e tmerrshme”, tha për Radion Evropa e Lirë kongresmeni republikan, Don Bacon.
Senatori demokrat, Richard Blumenthal, bashkautor i ligjit dypartiak për sanksionet ndaj Rusisë, e quajti vendimin të turpshëm, duke argumentuar se ai do t’i sjellë përfitime Rusisë dhe Kinës, ndërsa do t’i minojë përpjekjet e Kongresit për të ushtruar presion ndaj Moskës.
“Kjo përpjekje e maskuar dobët për të zbutur kaosin e shkaktuar nga lufta e paligjshme e Trumpit në Iran do t’u sjellë përfitime vetëm ekonomive kineze dhe ruse dhe do të çojë në vrasjen e më shumë njerëzve të pafajshëm në Ukrainë”, shkroi ai në rrjetet sociale.
Blumenthal e cilësoi marrëveshjen si “njollë në karakterin e kombit tonë” dhe tha se ajo bie ndesh me qëllimin e Kongresit kur miratoi së fundmi ligjin për sanksionet.
Ai paralajmëroi gjithashtu kompanitë amerikane që po shqyrtojnë mundësinë e blerjes së karburanteve ruse.
“Kongresi po ju vëzhgon”, tha ai.
Edhe Daniel Fried, ish-diplomat amerikan dhe ekspert i sanksioneve, kritikoi kohën kur u mor vendimi.
“Një licencë e përgjithshme që lejon shitjen e dizelit rus, të ardhurat nga e cila mbështesin luftën e Rusisë kundër Ukrainës. Nuk është një fillim premtues për bisedimet e afërta që synojnë përfundimin e luftës”, shkroi Fried në rrjetet sociale.
Kerri Bitsoff, ish-zyrtare e lartë e Departamentit amerikan të Thesarit, e cila ka punuar në Zyrën për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC), tha se vendimi tregon se Trump po i jep përparësi konfliktit me Iranin dhe pasojave të tij ekonomike, në vend të ushtrimit të presionit ndaj Rusisë.
“Ligji për Rusinë ia la në duar presidentit Trump përgjegjësinë dhe mundësinë për të vepruar”, tha Bitsoff për Radion Evropa e Lirë.
“Licenca e sotme për dizelin tregon se Trump po i jep përparësi konfliktit me Iranin, në vend të presionit ndaj Rusisë, dhe se, me shumë gjasë, ai nuk synon të përdorë një pjesë të madhe të kompetencave që i jep ligji”, shtoi ajo.
Komisioneri ukrainas për sanksionet, Vladyslav Vlasiuk, tha se lehtësimi i kufizimeve mund ta minojë gjithashtu argumentin e Trumpit se sulmet ukrainase ndaj rafinerive ruse janë shkaktari kryesor i rritjes së çmimeve të dizelit.
“Nëse kufizimi i sanksioneve ndaj dizelit rus sjell lehtësim në treg, atëherë është e qartë se ndikimi kryesor në tregun global të dizelit ka ardhur nga konflikti me Iranin dhe bllokada, e jo nga sulmet ukrainase ndaj rafinerive ruse, të cilat do të kishin një ndikim dytësor”, tha Vlasiuk për Radion Evropa e Lirë.
“Kjo përputhet edhe me ecurinë kohore të çmimeve”, shtoi ai.
Vendimi ngre pikëpyetje edhe lidhur me Ligjin për Ndalimin e Importit të Naftës Ruse të vitit 2022, i cili ndalon importet e naftës ruse në Shtetet e Bashkuara, përveç rasteve kur presidenti vërteton se Rusia është pajtuar të tërhiqet nga Ukraina, ka njohur sovranitetin ukrainas dhe nuk paraqet kërcënim për NATO-n.
Materialet e ofruara nga zyrtarët lidhur me vendimin nuk sqarojnë se si zbatohet kjo dispozitë në rastin e licencës së re.
Bisedimet në Majami, të cilat fillimisht ishte paraparë të zgjasnin dy ditë, përfunduan të premten, më 9 tetor, sipas të dërguarit amerikan, Steve Witkoff.
Përfaqësues të Shteteve të Bashkuara, grupit E3 të vendeve evropiane, Komisionit Evropian, Ukrainës dhe NATO-s zhvilluan, sipas tij, “diskutime konstruktive” mbi mënyrat për uljen e tensioneve dhe përfundimin e luftës para dimrit.
Witkoff tha se në agjendë ishin përgatitjet për dimër, qëndrueshmëria energjetike, eksportet e drithërave, garancitë e sigurisë, marrëveshjet afatgjata të sigurisë për Ukrainën dhe Evropën, si dhe mbështetja për rindërtimin e Ukrainës pas luftës dhe anëtarësimin e saj të ardhshëm në Bashkimin Evropian.
“Shkëmbimi i pikëpamjeve ishte produktiv dhe ndihmoi në identifikimin e fushave që mund të shqyrtohen më tej, përpara angazhimit të ardhshëm të Shteteve të Bashkuara me Rusinë”, shkroi ai në rrjetet sociale.
Kremlini tha se Trump dhe Putini kishin diskutuar gjithashtu për mundësitë e zgjidhjes së luftës gjatë bisedës së tyre telefonike, krahas situatës lidhur me Iranin dhe çështjeve të tjera dypalëshe./REL

