AktualitetBota+Të fundit

Merz e quan vizitën e Schröderit te Putin “të pamoralshme”

Kancelari gjerman është shprehur i indinjuar që paraardhësi i tij në detyrë ishte i pranishëm në festimet e ditëlindjes së presidentit rus Vladimir Putin. Edhe politikanë të tjerë kanë reaguar me kritika.

Kancelari gjerman Friedrich Merz e ka kritikuar ashpër vizitën e ish-kancelarit Gerhard Schröder te presidenti rus Vladimir Putin. Merz është “thellësisht i indinjuar” për këtë takim, deklaroi në Berlin zëvendëszëdhënësi i qeverisë, Steffen Meyer. Sipas tij, kancelari e konsideron si “krejtësisht të pamoralshme” që Schröder të ketë festuar ditëlindjen e Putinit së bashku me të.

“Vetëm Putini” mban përgjegjësi për luftën në Ukrainë. Urdhrat e tij shkaktojnë çdo ditë “vuajtje të pallogaritshme, viktima civile, familje të ndara, të vrarë dhe të plagosur”, tha Meyer. Ai shtoi se Rusia aktualisht nuk po tregon asnjë interes të dukshëm për t’i dhënë fund luftës apo për të zhvilluar negociata serioze.

Ministria e Jashtme gjermane dhe Ministria Federale e Brendshme njoftuan se nuk ishin informuar paraprakisht për udhëtimin e Schröderit. As Ambasada Gjermane në Moskë nuk i kishte ofruar atij mbështetje.Friedrich Merz duke folur para mikrofonit, zyra e kancelarisë, 29.09.2026

Merz shprehet i indinjuar pas vizitës së Schröderit tek PutiniFotografi: Bernd Elmenthaler/ESDES.Pictures/IMAGO

Kritika të ashpra nga të gjitha anët

“Turpi mezi mjafton për ta përshkruar këtë”, shkroi sekretarja e përgjithshme e partisë konservatore në pushtet, CDU, Franziska Hoppermann, në platformën X. Me fjalët “Shampanjë, havjar dhe bomba”, ajo iu referua faktit se gjatë festës në Moskë, fëmijë ukrainas humbën jetën si pasojë e sulmeve ruse. Rusia e sulmoi Ukrainën të mërkurën, ditën e 74-vjetorit të lindjes së Putinit, me raketa dhe dronë luftarakë. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se nga sulmet humbën jetën të paktën 25 persona dhe u plagosën më shumë se 100 të tjerë. Ai e quajti sulmin një “dhuratë ditëlindjeje për Putinin”.

Politikania e të Gjelbërve, Katrin Göring-Eckardt, shkroi në platformën X: “Një turp për Gjermaninë. Një tradhti ndaj Evropës. Një dëm për paqen.”

“Një turp i pashembullt”

Kryetarja e Komisionit të Mbrojtjes në Parlamentin Evropian, Marie-Agnes Strack-Zimmermann nga FDP-ja liberale, e quajti Gerhard Schröderin “pensionisti më i pacipë i Gjermanisë”. “Aq i sëmurë sa të mos paraqitet në komisionet hetimore (me një burnout shumë të rëndë), por për mandatet e paguara mirë në Rusi dhe për festën e ditëlindjes në shtëpinë e kriminelit të luftës Putin, qenka ende në gjendje. Një turp i pashembullt”, tha ajo.

Stegner nga SPD-ja mbron Schröderin

Një vlerësim ndryshe vjen nga vetë partia e Schröderit. Politikani socialdemokrat për çështjet e jashtme, Ralf Stegner, mbrojti vizitën dhe iu referua lidhjeve që ish-kancelari ka me presidentin rus.

“Schröder mund të hapë dyer te Putini”, deklaroi Stegner për gazetën Tagesspiegel. Sipas tij, ish-kancelari është një nga të paktët njerëz në Gjermani që ende kanë qasje të drejtpërdrejtë te Putini.

“Nëse vizita e Schröderit i ka shërbyer paqes qoftë edhe për një milimetër, atëherë kjo vizitë ka qenë e suksesshme”, deklaroi Stegner. Ai tha se është i bindur që Schröder nuk e ka inkurajuar presidentin rus të vazhdojë luftën.

Në një intervistë për portalin e lajmeve t-online, Stegner theksoi gjithashtu: “Gerhard Schröder nuk është politikan aktiv, ai ishte atje si person privat. Nuk duhet të bëjmë në Gjermani gjueti shtrigash sa herë që një ish-kancelar udhëton në Moskë.”

Ndërkohë, kryetari i SPD-së, Lars Klingbeil, e kritikoi vizitën te Putini si “krejtësisht të papranueshme”. Ai i tha gazetës Süddeutsche Zeitung: “Rusia po zhvillon një luftë brutale agresioni kundër Ukrainës dhe ka sjellë vuajtje të pallogaritshme për njerëzit atje.” Që në muajin maj, Putini e kishte përmendur Schröderin si një ndërmjetës të mundshëm në luftën kundër Ukrainës. Qeveria gjermane kishte reaguar atëherë me skepticizëm.

Sipas Kremlinit, Schröder fillimisht kishte udhëtuar në Moskë për arsye biznesi. Thuhet se Putini kishte mësuar për praninë e tij nga raportimet në media. “Presidenti e ftoi mikun e tij të vjetër në shtëpinë e vet”, njoftoi Kremlini në platformën Telegram./DW

 

Fraksion.com

 

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com