AktualitetPolitikëTë fundit

“Dalja e opozitës jashtë institucioneve i intereson vetëm Ramës”, Berisha: Rruga e vetme për largimin e tij është protesta

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se opozita duhet të vijojë betejën brenda institucioneve, pavarësisht përplasjeve me mazhorancën. Gjatë diskutimit me aleatët për reformën territoriale, Berisha tha se largimi i opozitës nga institucionet do t’i shërbente drejtpërdrejt Edi Ramës, ndërsa protestën e cilësoi si rrugën që, sipas tij, duhet ndjekur për largimin e kryeministrit.

Berisha e përshkroi situatën politike si një përballje mes opozitës dhe një qeverie që, sipas tij, nuk respekton të drejtat e opozitës në Kuvend. Ai tha se opozita ka dy alternativa: të largohet nga institucionet ose të vijojë betejën brenda tyre.
Kreu i PD-së solli si shembull djegien e mandateve nga opozita në vitin 2019, duke argumentuar se kjo i dha mazhorancës mundësinë të vijonte punën parlamentare pa opozitën.  Sipas tij, mazhoranca e ka interes që opozita të largohet nga institucionet, pasi kjo do t’i krijonte më shumë hapësirë për të miratuar ligje dhe për të marrë vendime pa përballjen parlamentare me opozitën.
Ai akuzoi gjithashtu qeverinë se ka penguar opozitën në ushtrimin e të drejtave të saj parlamentare, duke përmendur mocionet për çështje që lidhen me KAYO-n dhe SHISH-in. Në vijim, Berisha deklaroi se nuk pret që largimi politik i Edi Ramës të vijë përmes SPAK-ut. Sipas tij, presioni qytetar përmes protestave mbetet rruga që opozita duhet të ndjekë.

Një moment është këtu themelor, kjo është një opozitë në diktaturë.
Dhe një opozitë në diktaturë ka dy opsione.
Kjo është diktaturë e bazuar në drogën, fuqinë e jashtëzakonshme të saj.
Vetëm Salvator Aliu, që bashkëpunon me Edi dhe Olsi Ramën, ka në dorë të paktën 7 miliardë euro, minimumi, dhe që ka marrë përsipër të ndërtojë zig-zagun në emër të tyre.
Në këto kushte opozita ka dy zgjidhje, ose të dalë jashtë institucioneve, ose të vazhdojë betejën brenda institucioneve.
Asnjë kusht për të qenë në institucione nuk ka.
Asnjë e drejtë e saj nuk respektohet.
Por, braktisja e institucioneve është interesi më i mirë i diktaturës.
Se si e bllokon kur merr 83 mandate, unë nuk e di.
E ka zgjidhur ai problemin, me 83 mandate ai i përdor ato për të gjitha gjërat që i duhen, ligje të kësaj natyre.
Në zgjedhje bllokohet, po nuk more pjesë në zgjedhje, ai zgjedhjet i zhvillon siç i zhvilloi.
Madje duhet të dish një gjë, kur u dogjën mandatet, zotëria e ekzekutoi vendimin për 24 orë, kur hapësira ligjore ishte 3 javë.
Dhe në fakt, duhet ta dimë, në qoftë se PD nuk mori ndëshkimin për precedentin që krijoi, nuk e mori sepse e panë që ky e donte atë punë, dhe e bënë share përgjegjësinë. Se PD mandatet nuk kishte asnjë lloj tagri t’i digjte.
Kështu kemi të bëjmë me një njeri që e do me çdo kusht opozitën jashtë institucioneve.
Kur të doni marrim vendimet dhe i diskutojmë, por dalja e opozitës jashtë institucioneve i shërben vetëm atij.
Se të paktën janë përdorur, për asgjë tjetër, sot ata që numërojnë me shumë të drejtë me dhjetëra e qindra akte kriminale të kësaj qeverie, të gjitha janë të denoncuar në parlament dhe SKAP nga kjo opozitë.
Kjo ka ndodhur. Por vetëm kaq, se ky i ka nën kontroll të gjitha, siç e shihni vetë.
Ky reformën territoriale e ndërpreu vetë, e pa se konsultimet janë kundër tij, tha ik se nuk më duhen konsultimet mua.
Kjo është e vërteta.
Ky fakt është fakt nga i cili përcaktohen qëndrimet.
Këtu kemi të bëjmë me një regjim, i cili nuk njeh as ligj, as Kushtetutë.
Ja tani do mblidhemi si grup parlamentar ne, çfarë do bëjmë ne? Ai nuk pranon mocionet, që janë një e drejtë e sanksionuar në Kushtetutë.
As për KAYO-n, as për SHISH-in. Del bandë ajo dhe opozita nuk ka të drejtë të thërrasë mocion debati.
Këto janë.
Gjithnjë është kjo. Se janë të thjeshta. Duhet të qëndrojmë brenda institucioneve apo të dalim.
Vetëm një gjë, ua them me përgjegjësi të plotë, dalja është interesi i tij absolut. Atë do.
Kjo është, ky është realiteti shqiptar.
Ndaj dhe këtu rruga e vetme është protesta për largimin e tij.
Zgjidhje tjetër, ne këtu do jemi… por të presësh se atë do ta largojë SKAP-i, nuk e largon kurrë, nuk i afrohet dot kurrë.
Të gjitha këto që i bën tani ai, i bën vetëm për veten e tij.
Edhe ligjet që i paraqiti për të ndryshuar, vetëm për veten e tij.
Ky është realiteti!”, tha ai.

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com