Rama: Nis prishja e shtesave të pallateve në Bllokun e Orizit në Vlorë
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga operacioni për prishjen e shtesave të pallateve në Bllokun e Orizit në Vlorë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama bëri të ditur se ka nisur prishja e ndërtimeve të shtuara në pallate, duke i hapur rrugë rehabilitimit të plotë të kësaj zone.
“Ka nisur prishja e shtesave të pallateve, duke i hapur rrugë rehabilitimit të plotë të Bllokut të Orizit në Vlorë”, shkroi Rama.
Operacioni synon lirimin dhe sistemimin e hapësirave të zonës, në kuadër të ndërhyrjeve për rehabilitimin e Bllokut të Orizit.
Operacioni ka nisur nga Bashkia e Vlorës për prishjen e 25 objekteve, shtesave dhe ndërtimeve pa leje në zonën pranë bllokut të Tregut të Orizit.
Ndërhyrja po zhvillohet në bashkëpunim me Inspektoratin e Mbrojtjes së Territorit dhe Policinë Bashkiake, me asistencën e shërbimit zjarrfikës.
Operacioni pritet të vijojë me shembjen e të gjitha ndërtimeve të parashikuara në projekt, duke i hapur rrugë rehabilitimit, sistemimit dhe rikualifikimit të zonës.
Fraksion.com

