Kuvendi nisi sesionin e ri, Peleshi: Më shumë përgjegjësi dhe llogaridhënie ndaj qytetarëve
Kuvendi nisi sot punimet e sesionit të tretë të Legjislaturës XI.
Seanca nisi me ekzekutimin e Himnit Kombëtar nga deputetët, ndërsa më pas kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, mbajti fjalën e hapjes së sesionit të ri parlamentar.
Në fjalën e tij, Peleshi theksoi përgjegjësinë e Kuvendit për të vijuar punën në funksion të qytetarëve dhe interesit të vendit, duke nënvizuar nevojën për më shumë llogaridhënie, përgjegjësi dhe rezultate konkrete.
Për sesionin e ri, Peleshi përcaktoi tre drejtime themelore për punën e Kuvendit në funksion të integrimit evropian.
Së pari, ai renditi përafrimin e legjislacionit, duke theksuar se Kuvendi do të shqyrtojë me përparësi projektligjet që lidhen me standardet e BE-së dhe përmbushjen e detyrimeve të negociatave.
Peleshi tha se do të forcohet edhe kontrolli postlegjislativ, pasi, sipas tij, detyra e Kuvendit nuk përfundon me miratimin e një ligji, por vijon gjatë zbatimit dhe vlerësimit të efekteve të tij.
Drejtimi i dytë lidhet me intensifikimin e diplomacisë parlamentare. Peleshi njoftoi se kontaktet me parlamentet e 27 vendeve anëtare do të vijojnë, ndërsa më 28 shtator Kuvendi do të organizojë në Tiranë Konferencën Ndërparlamentare “Agjenda Strategjike e Zgjerimit të BE-së dhe anëtarësimi i Shqipërisë”.
Sipas tij, konferenca do të mbledhë përfaqësues të parlamenteve të vendeve anëtare, kandidate dhe të institucioneve evropiane.
Drejtimi i tretë është përgatitja për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në BE.
“Nuk do të presim ditën e anëtarësimit për të filluar përgatitjet për anëtarësimin. Do të fillojmë që sot”, tha Peleshi.
Kryetari i Kuvendit u ndal edhe te Reforma Zgjedhore dhe Reforma Administrative-Territoriale, të cilat i cilësoi si çështje të rëndësishme të sesionit të ri.
Sipas tij, këto dy procese lidhen me cilësinë e demokracisë, përfaqësimin dhe funksionimin e institucioneve.
“Reformat tona duhet të afrojnë më shumë institucionet me qytetarin”, deklaroi Peleshi.
Në këtë kuadër, ai kërkoi edhe përmirësimin e kuadrit ligjor për të krijuar forma të reja ndërveprimi mes qeverisë, deputetëve dhe zgjedhësve.
“Autoriteti parlamentar nuk është privilegj. Është përgjegjësi”, u shpreh Peleshi, duke e lidhur këtë edhe me nevojën për rishikimin e Statusit të Deputetit, me synimin që mandati parlamentar të shërbejë si instrument llogaridhënieje dhe në funksion të qytetarit.
Peleshi tha se sesioni i ri duhet të shënojë kalimin drejt një kontrolli parlamentar më të orientuar nga rezultatet.
Peleshi u shpreh se Kuvendi do të trajtojë me përgjegjësi edhe çështjet që burojnë nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa gjatë këtij sesioni do të ketë përgjegjësi edhe për zgjedhjen e drejtuesve të institucioneve të pavarura, përfshirë procedurat për Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Prokurorin e Përgjithshëm.
Modernizimi teknologjik do të jetë një tjetër drejtim i punës së Kuvendit gjatë sesionit të ri.
Peleshi tha se do të zgjerohet përdorimi i teknologjisë dhe Inteligjencës Artificiale për të rritur eficiencën, produktivitetin dhe transparencën e veprimtarisë parlamentare.
Në mbyllje të fjalës së tij, Peleshi tha se Kuvendi do të vlerësohet jo nga ajo që premton, por nga ajo që arrin.
“Shqipëria e ka zgjedhur Evropën. Tani duhet të vazhdojmë të bëjmë punën që na çon atje”, u shpreh ai.
Fraksion.com

