AktualitetTë fundit

Operatorët e transportit publik reduktojnë me 30% flotën e autobusëve

Transporti publik në Tiranë ka nisur nga sot funksionimin me një numër më të reduktuar mjetesh.

Operatorët urbanë kanë nxjerrë në qarkullim rreth 20–30% më pak autobusë, një masë që pritet të ndikojë drejtpërdrejt te koha e pritjes së qytetarëve dhe frekuenca e linjave.

Vendimi hyn në fuqi më 1 shtator dhe, sipas operatorëve, lidhet me vështirësitë e theksuara financiare që po përballen kompanitë e transportit. Për pasagjerët, reduktimi i flotës nënkupton intervale më të gjata mes autobusëve dhe, në disa linja, mundësi për mbingarkesë më të madhe.

Masa ishte paralajmëruar më herët përmes një letre drejtuar Kryeministrisë, Bashkisë së Tiranës dhe institucioneve përgjegjëse. Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban kanë kërkuar ndërhyrje urgjente, duke argumentuar se mungesa e mbështetjes financiare nuk u lejon operatorëve të vijojnë aktivitetin me kapacitet të plotë.

Sipas tyre, situata është rënduar nga kostot e operimit, ndërsa ndër kërkesat kryesore drejtuar institucioneve janë realizimi i kompensimeve dhe vijimi i mbështetjes për kostot e karburantit.

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com