“Niko Peleshi, e Gëzim Topçiu bëjnë skenare”, deputetja Alolli: 95% e banorëve janë kundër bashkimit të Maliqit me Korçën
Deputetja e Partisë Demokratike, Ledina Alolli, ka reaguar pas mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit Bashkiak të Maliqit, ku pritej që këshilltarët të mbanin një qëndrim zyrtar lidhur me projektin për bashkimin e Bashkisë Maliq me Bashkinë e Korçës.
Sipas saj, gjatë dëgjesave të zhvilluara me banorët në të gjithë territorin e Maliqit, rreth 95% e qytetarëve janë shprehur kundër bashkimit me Korçën.
Deputetja e PD-së pretendoi se këshilltarët kërkuan informacione të mëtejshme dhe e cilësoi këtë si pjesë të një skenari politik. Ajo përmendi drejtuesin politik të qarkut të Korçës, Niko Peleshi, dhe kryetarin e Bashkisë Maliq, Gëzim Topçiu.
Alolli kritikoi këshilltarët duke theksuar se detyra e tyre është të përfaqësojnë qytetarët dhe jo interesat partiake.
Në vijim, deputetja e PD-së u bëri thirrje banorëve të Maliqit që të kundërshtojnë bashkimin me Korçën, duke deklaruar se opozita do të jetë në mbështetje të tyre.
“Fuqia është e juaja, e keni ju në dorë dhe ne do të jemi mbështetja juaj në mënyrë që Maliqi, Bashkia Maliq, të mos shkrihet dhe të mos bashkohet me Bashkinë e Korçës”, deklaroi Alolli.
Ajo prezantoi gjithashtu qëndrimin e opozitës për reformën territoriale, duke thënë se Partia Demokratike synon një Shqipëri me 100 bashki.
Sipas Alollit, një ndarje e tillë territoriale do të vendoste qytetarin dhe ofrimin e shërbimeve pranë tij në qendër të reformës.
Deklarata e plotë:
“Sapo ka përfunduar një mbledhje e paprecedentë e Këshillit Bashkiak Maliq. Një mbledhje e cila ishte thirrur sot jashtë radhe me firmat e 1/3 së anëtarëve të Këshillit Bashkiak, me objektin dhe qëllimin e vetëm që këshilltarët e Bashkisë Maliq të shpreheshin në mënyrë të qartë në lidhje me atë çfarë ka projekt Partia Socialiste për reformën territoriale. Projekti i tyre është që Bashkia e Maliqit të shkrihet dhe të bashkohet me Korçën. Dhe qëllimi i kësaj mbledhje ishte që të shprehej ky Këshill me një qëndrim zyrtar drejtuar Parlamentit në lidhje me se çfarë mendonin këshilltarët bashkiakë.
Gjatë kësaj periudhe janë zhvilluar dëgjesa, ashtu siç dhe ju e dëgjuat dhe u shpreh dhe në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, me banorët e Maliqit në të gjithë territorin e saj. Nga informacionet që ne sot kemi marrë, 95% e këtyre banorëve janë shprehur kundër bashkimit të Maliqit me Korçën. Dhe sot ne prisnim që të gjithë të merrnim edhe një vendim zyrtar të anëtarëve të Këshillit Bashkiak. Por çfarë ndodhi?
Me një skenar sot të përgatitur nga drejtuesi politik i qarkut të Korçës, Niko Peleshi, nga Gëzim Topçiu, vijnë këshilltarët dhe kërkojnë informacione të mëtejshme. Por një pyetje kam sot: çfarë informacione kërkojnë këta kur vetë Niko Peleshi dhe Gëzim Topçiu kanë qenë në takim me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama?
Një gjë do t’ju them këshilltarëve sot: kur je anëtar i Këshillit Bashkiak, je aty për të përfaqësuar interesin e qytetarëve të tu, janë ata që të kanë zgjedhur, nuk je për të përfaqësuar interesa partiake. Dhe më duket sot se interesat partiake prevaluan mbi interesat e qytetarëve.
Kështu që në këto momente, unë i bëj thirrje banorëve të Maliqit: tani fuqia është e juaja, e keni ju në dorë dhe ne do të jemi mbështetja juaj në mënyrë që Maliqi, Bashkia Maliq, të mos shkrihet dhe të mos bashkohet me Bashkinë e Korçës.
Partia Demokratike dhe opozita shqiptare ka një projekt shumë të qartë: 100 bashki. Çfarë do të thotë? Që qytetari është në qendër të kësaj reforme dhe në qendër të këtij projekti, sepse shërbimet janë ato që na interesojnë sot për të qenë më pranë qytetarëve, dhe sigurisht duhet të jetë bashkia më pranë qytetarit dhe jo qytetari më pranë bashkisë.
Kjo është ajo çfarë ne sot prisnim faktikisht, një vendim unanim të të gjithë këshilltarëve, por ndodhi e kundërta.”
Fraksion.com

