AktualitetTë fundit

“Po zihej me gruan”, shqiptari e hedh në det bashkë me makinën: Shpëtojnë në momentet e fundit

Momente paniku në portin e Cattolica-s në Itali, ku një 45-vjeçar shqiptar dyshohet se pas një konflikti të ashpër me bashkëshorten ka drejtuar makinën me shpejtësi drejt ujit, ndërsa gruaja ndodhej brenda. Të dy kanë mundur të dalin nga automjeti dhe janë shpëtuar nga persona që ndodheshin pranë portit.

Ngjarja ndodhi të mërkurën pasdite, rreth orës 16:00, në portin e Cattolica-s. Sipas mediave italiane, çifti ndodhej në një Volkswagen Golf kur, pas një debati të fortë, 45-vjeçari shqiptar, banues në San Giovanni in Marignano, drejtoi automjetin me shpejtësi drejt bregut dhe përfundoi në ujërat e portit.

Në momentin e përplasjes me ujin, dyert e automjetit u hapën dhe burri dhe gruaja arritën të dilnin nga kabina përpara se makina të fundosej. Disa persona që ndodheshin në zonë u hodhën në det dhe ndihmuan çiftin të dilte në breg.

Ndërkohë, 45-vjeçari u largua nga vendi i ngjarjes sapo mori ndihmën e parë, duke u arratisur mes shkëmbinjve. Ai është aktualisht në kërkim nga autoritetet italiane.

Sipas raportimeve, shqiptari ishte i njohur më parë për forcat e rendit. Vetëm një ditë para ngjarjes, ai ishte arrestuar pas një tjetër konflikti me bashkëshorten dhe akuzohej për rezistencë ndaj autoriteteve.

Ndërkohë, ekipet e emergjencës kanë nisur procedurat për nxjerrjen e automjetit nga ujërat e portit, ndërsa policia vijon kërkimet për 45-vjeçarin.

 

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com