“Policia dhunoi dje nëna me fëmijë që s’kishin lidhje me protestën”, Berisha: Rama i plagosur politikisht, t’i japim shtyrjen e fundit
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar për protestën e zhvilluar një ditë më parë, duke akuzuar Policinë e Shtetit për përdorim dhune ndaj protestuesve dhe qytetarëve.
“Dënoj dhunën çnjerëzore të përdorur ndaj protestuesve dje. Janë agresuar gra me fëmijë të vegjël me karroca, janë agresuar qytetarë pa asnjë lidhje me protestën dhe janë kërcënuar qytetarë vetëm sepse po protestonin”, deklaroi Berisha.
Berisha u bëri thirrje anëtarëve dhe mbështetësve të Partisë Demokratike, si dhe qytetarëve, që të vijojnë mbështetjen për protestat.
“Edi Rama nuk ka të ardhme, është i plagosur për vdekje politikisht. Duhet t’i japim shtyrjen përfundimtare”, tha Berisha.
Reagimi i tij vjen pas tensioneve të regjistruara gjatë protestës së fundit, ku pati përplasje mes policisë dhe disa pjesëmarrësve, ndërsa palët kanë dhënë versione të ndryshme për zhvillimet në terren.
Fraksion.com

