Një kolonel iranian u vra gjatë protestave të janarit, tani 16 njerëz mund të dënohen me vdekje
Natën e 8 janarit, një kolonel i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) u vra në qytetin qendror të Isfahanit, derisa po zhvilloheshin protesta të mëdha kundër Qeverisë në mbarë vendin.
Disa muaj më vonë, 16 njerëz po akuzohen për moharebeh, ose “armiqësi ndaj Zotit”, dhe mund të dënohen me varje për vrasjen e kolonelit Abbas Kamrani dhe demonstratat e dhunshme të asaj nate në Isfahan.
Ky rast vjen në një kohë kur Irani e ka rritur numrin e ekzekutimit të njerëzve që organizatat për të drejtat e njeriut i cilësojnë si të burgosur politikë – nga protestuesit deri te anëtarët e dyshuar të grupeve të ndaluara dhe personat e dënuar për spiunazh – që nga fillimi i luftës me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin më 28 shkurt.
Aktivistët thonë se shtimi i ekzekutimeve është përpjekje e autoriteteve për të ndjellë frikë në mesin e iranianëve dhe për ta parandaluar përsëritjen e demonstratave mbarëkombëtare që tronditën udhëheqësit klerikë të vendit në fillim të këtij viti.
Organizatat për të drejtat e njeriut kanë dënuar gjykimet e personave të ekzekutuar, duke thënë se shumë prej tyre janë shoqëruar me tortura, rrëfime të detyruara dhe mungesë të një procesi të rregullt ligjor.
Protestat e janarit përbënin sfidën më serioze për autoritetet që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979. Mijëra njerëz u vranë gjatë kur shteti i shtypi protestuesit si asnjë herë më parë. Dhjetëra janë ekzekutuar për përfshirjen e tyre të pretenduar në demonstrata, ndërsa dhjetëra të tjerë presin ekzekutimin, sipas organizatave për të drejtat e njeriut.
Rasti i Sheshit “Shahada”
Një nga rastet më të ndjekura që lidhet me protestat mbarëkombëtare është gjykimi i 16 të pandehurve në Isfahan.
Të akuzuar për moharebeh, ndihmë dhe bashkëpunim në kryerjen e moharebehut, shkatërrim të pronës publike që përbën moharebeh, organizim dhe bashkëpunim për kryerjen e veprave penale, si dhe propagandë kundër Republikës Islamike, ata janë në pritje të vendimit të gjykatës.
Burime në Iran i thanë Radios Farda të Radios Evropa e Lirë se autoritetet kanë përdorur torturën për t’i bërë të pandehurit të rrëfehen dhe se ekziston frika se ata mund të përballen me dënimin me vdekje.
Megjithëse prokurorët pretendojnë se të pandehurit janë përgjegjës për vdekjen e Kamranit dhe të një burri tjetër, i cili përshkruhet si i pastrehë, ata nuk janë akuzuar për vrasje. Në vend të kësaj, ata përballen me akuza për moharebeh, pasi dyshohet se kanë prodhuar koktej molotovi në një dyqan këpucësh pranë Sheshit “Shahada” në Isfahan.
Rasti po shqyrtohet gjithashtu nga një gjykatë revolucionare dhe jo nga një gjykatë penale. Gjykatat revolucionare merren kryesisht me çështje të rëndësishme politike dhe konsiderohen më pak të rregulluara dhe më të ashpra në vendimet e tyre sesa gjykatat e zakonshme.
Mes të akuzuarve është edhe Milad Boueiri, pronari 29-vjeçar i dyqanit të këpucëve. Të tjerët janë punonjës të atij dyqani ose të dyqaneve përreth, si dhe të afërm të tyre. Shumë prej të pandehurve janë nën moshën 23-vjeçare, përfshirë binjaket 20-vjeçare Taraneh dhe Romina Rahimi.
Pretendime për torturë dhe rrëfime të detyruara
Sipas burimeve të Radios Farda, prokurorët nuk paraqitën asnjë provë të pavarur që do t’i lidhte të pandehurit me vrasjet. Në vend të kësaj, akuza u mbështet kryesisht në rrëfimet e vetë të pandehurve.
Gjatë seancave gjyqësore, të pandehurit dëshmuan se rrëfimet e tyre ishin marrë nën torturë, përfshirë rrahje të mëdha, goditje elektrike dhe kërcënime për përdhunim.
Të mbajtur në izolim në burgjet Dastgerd dhe Dovlatabad në Isfahan, 16 të pandehurit kanë përfaqësim ligjor, por avokatëve të tyre u është mohuar qasja në dosjet e çështjes. Burimet i thanë Radios Farda se dy prej avokatëve mbrojtës kanë bërë deklarata kundër klientëve të tyre gjatë gjykimit.
“Rasti i Sheshit ‘Shahada’ në Isfahan është një shembull i qartë i instrumentalizimit të sistemit gjyqësor për të shtypur protestat civile dhe për të mbjellë frikë në shoqëri”, tha në një deklaratë më 23 korrik Iran Human Rights Monitor, një organizatë me seli jashtë Iranit që dokumenton shkeljen e të drejtave të njeriut.
“Mbajtja e gjykimeve me dyer të mbyllura brenda objekteve të burgut, mohimi i qasjes së avokatëve mbrojtës në dokumentacionin e çështjes, injorimi i torturave brutale (përfshirë përdorimin e armëve me goditje elektrike) për të nxjerrë rrëfime dhe ngritja e akuzave të rënda si ‘moharebeh’ pa prova mbështetëse përbëjnë shkelje të hapur” të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut sa i përket të drejtës për një gjykim të drejtë, shtoi organizata.
Rasti po mbikëqyret nga gjyqtarët Morteza Barati dhe Mohammad Reza Tavakoli, ky i fundit i njohur për shqiptimin e dënimeve të ashpra dhe që shkaktoi reagim ndërkombëtar me dënimin me vdekje në vitin 2024 ndaj një reperi të njohur.
Tavakoli së fundmi dënoi me vdekje 12 burra për rolin e tyre të pretenduar në vrasjen e pjesëtarëve të forcave speciale gjatë protestave në Isfahan më 8 janar.
Barati kryesoi një çështje të lidhur me protestat mbarëkombëtare që tronditën Iranin në vitin 2022. Ai i dënoi me vdekje tre të pandehurit në atë rast dhe që të tre u ekzekutuan më pas./REL
Fraksion.com

