AktualitetRajoniTë fundit

BE-ja shpreh shqetësim për ndalimin e hyrjes së gazetarëve mes Serbisë dhe Malit të Zi

Bashkimi Evropian shprehu shqetësim për ndalimet reciproke të hyrjes së gazetarëve mes Serbisë dhe Malit të Zi, duke theksuar se masat që kufizojnë punën e mediave, nuk janë në përputhje me vlerat që priten nga vendet kandidate për anëtarësim në BE.

Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, Komisioni Evropian tha se vendet në procesin e zgjerimit duhet të veprojnë në përputhje me vlerat themelore evropiane, përfshirë respektimin e parimeve demokratike, të drejtave themelore, lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias.

“Përparimi në rrugën drejt BE-së kërkon një përkushtim të qartë ndaj këtyre vlerave. Prandaj, masat që mund të kufizojnë punën e gazetarëve, shkaktojnë shqetësim. Nga partnerët në procesin e zgjerimit pritet të sigurojnë që gazetarët të mund ta ushtrojnë profesionin e tyre lirisht, pa kufizime të pajustifikuara dhe të pabazuara”, tha një zëdhënës i Komisionit Evropian për Radion Evropa e Lirë.

Ai shtoi se institucionet evropiane janë në dijeni të raportimeve për ndalimet reciproke të hyrjes së gazetarëve mes Serbisë dhe Malit të Zi dhe se do të vazhdojnë ta ndjekin nga afër zhvillimin e situatës.

Reagimi i Brukselit vjen pasi, gjatë javëve të fundit, disa gazetarëve nga Mali i Zi iu ndalua hyrja në Serbi.

Ndalimet pasuan njoftimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për masa reciproke, pasi autoritetet në Podgoricë ia ndaluan hyrjen kryeredaktorit të tabloidit serb Informer, Dragan Vuçeviq.

Duke iu referuar informacioneve të shërbimeve të sigurisë, Vuçiq tha se Vuçeviqit i ishte ndaluar hyrja në Mal të Zi dhe e cilësoi vendimin e Podgoricës si “gabim të madh”.

Më 23 korrik, drejtorit të Radio-Televizionit Podgorica, Vlladimir Otasheviq, iu ndalua hyrja në Serbi në pikën kufitare mes dy vendeve.

Në fillim të korrikut, hyrja në Serbi iu ndalua gazetarit të Televizionit Vijesti, Petar Komneniq, ndërsa disa ditë më vonë edhe drejtorit ekzekutiv të BIRN-it (Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese) në Mal të Zi, Vuk Marash.

Në fund të majit, Agjencia për Mediat Elektronike e Malit të Zi vendosi të ndalojë për gjashtë muaj transmetimin dhe ritransmetimin e programit të televizionit serb Informer në territorin e Malit të Zi.

Vendimi u arsyetua me pretendimet se përmbajtja e këtij mediumi fyente dinjitetin e popullit malazez, mohonte identitetin kombëtar malazez, nxiste gjuhën e urrejtjes dhe diskriminimin, si dhe cenonte dinjitetin e qytetarëve dhe institucioneve të Malit të Zi.

Më herët, disa organizata ndërkombëtare për mbrojtjen e lirisë së medias dënuan ndalimin e hyrjes së gazetarëve malazezë në Serbi.

Federata Evropiane e Gazetarëve vlerësoi se masa të tilla paraqesin rrezik për gazetarinë hulumtuese, ndërsa organizatat Reporterët pa Kufij dhe Instituti Ndërkombëtar i Shtypit u bënë thirrje autoriteteve serbe t’i shfuqizojnë këto ndalesa.

Institucionet evropiane e shohin këtë çështje edhe në kontekstin rajonal.

Nga Brukseli rikujtojnë se marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe bashkëpunimi rajonal mbeten elemente të rëndësishme të procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian.

“Prandaj, inkurajojmë si Serbinë, ashtu edhe Malin e Zi që t’i shmangin hapat që mund t’i rrisin më tej tensionet dhe, në vend të kësaj, të angazhohen në mënyrë konstruktive për zgjidhjen e çështjeve të hapura”, tha zëdhënësi i Komisionit Evropian./REL

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com