Abdixhiku thërret kuvend të jashtëzakonshëm të LDK-së pas kërkesës për shkarkimin e tij
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, e ka thirrur një kuvend të jashtëzakonshëm të partisë për 30 korrik, ku pritet të trajtohet nisma e qindra delegatëve të partisë për shkarkimin e tij, pas pakënaqësive me rezultatin e partisë në zgjedhjet e fundit parlamentare.
Abdixhiku, i cili e caktoi kuvendin për të enjten e 30 korrikut në orën 18:00, e ka cilësuar atë si “të panevojshëm dhe përçarës” dhe tha se tani nuk ishte koha për një të tillë.
Vendimi vjen pasi javë më parë, zyrtarë të partisë dorëzuan rreth 150 nënshkrime të nevojshme të delegatëve të partisë për ta thirrur kuvendin.
“Sekretariati i Përgjithshëm i LDK-së ka kryer verifikimin e të gjitha nënshkrimeve të dorëzuara, në përputhje me dispozitat e Statutit. Nga ky proces është konstatuar se është përmbushur kriteri statutar prej së paku një të tretës (1/3) të delegatëve të Kuvendit, të nevojshëm për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm”, tha LDK-ja të hënën.
Kuvendin e partisë e përbëjnë 354 delegatë të zgjedhur në kuvendet e degëve, plus kryetari aktual i LDK-së, që me automatizëm është delegat i Kuvendit të Përgjithshëm të LDK-së.
Më vonë të hënën në mbrëmje, Abdixhiku shkoi në Facebook se kuvendi i 30 korrikut ishte “i panevojshëm, i pakohë, dhe i pavend”.
Ai shtoi se, megjithëse e cilëson atë si “të dëmshëm dhe përçarës, e thirri sepse “demokracia këtë ka”.
“Si të tillë, më duhet ta pranoj. Edhe kur nuk më duket e drejtë. Une e respektoj demokracinë; sepse e besoj. Prandaj ballafaqohem. Pres të sillen njejtë edhe të tjerët pas të enjtës kur LDK flet përsëri”, shkroi ai.
Nisma për shkarkimin e kryetarit vjen pas përplasjeve të hapura brenda LDK-së dhe pakënaqësive me Abdixhikun, pasi partia doli e treta në zgjedhjet parlamentare të qershorit, duke fituar 18 vende në Kuvendin e Kosovës me 120 deputetë.
Zhvillimet në LDK gjithashtu kanë ndikuar edhe në bisedimet për formimin e institucioneve të reja të vendit, pas zgjedhjeve të 7 qershorit.
Abdixhiku nisi javë më parë bisedimet me liderin e partisë fituese, Albin Kurtin e Lëvizjes Vetëvendosje, në përpjekje për të arritur një marrëveshje për formimin e institucioneve të reja.
Por, ai më pas njoftoi se do t’i pezullonte bisedimet me Kurtin për shkak të zhvillimeve brenda partisë.
Seanca konstituive e Kuvendit do të mbahet më 6 gusht, kur do të nisë edhe rrjedhja e procesit për themelimin e institucioneve të reja dhe pritet të shihet nëse Abdixhiku do të mbetet në krye të LDK-së dhe nëse do të ketë vazhdim të bisedimeve LDK-LVV.
Çfarë pritet të ndodhë në kuvendin e LDK-së?
Në kuvendin e 30 korrikut do të shtjellohet çështja e ngritur nga anëtarët e partisë për shkarkimin e kryetarit.
Abdixhiku do të vazhdojë ta udhëheqë partinë nëse e rifiton votëbesimin, por në rast se e humb atë, atëherë LDK-ja duhet ta zgjedhë një kryetar të ri.
Lidhja Demokratike e Kosovës nuk iu përgjigj menjëherë pyetjeve të Radios Evropa e Lirë për atë se cila do të jetë agjenda e plotë e kuvendit.
Por, sipas statutit të LDK-së, nëse kryetari i tanishëm shkarkohet, atëherë duhet të thirret një kuvend i ri brenda 60 ditësh, ku do të zgjidhej kryetari i ri.
Si erdhi deri këtu?
Pasi LDK-ja, e cila garoi në një listë të përbashkët me ish-presidenten Vjosa Osmani, dështoi të arrijë rezultat bindësh zgjedhor më 7 qershor, filluan zëra pakënaqësish brenda partisë, të cilët nuk ishin diçka e re, gjithsesi.
Në fund të qershorit, së paku dy kryetarë komunash dhe disa drejtues degësh kërkuan publikisht dorëheqjen e Abdixhikut, duke argumentuar se ai duhet të marrë përgjegjësi për rezultatin zgjedhor dhe për mungesën e një rritjeje të ndjeshme elektorale.
Abdixhiku iu përgjigj kritikëve me kundërkërkesë, duke u bërë thirrje atyre që të japin dorëheqje.
Por, tani ai do të përballet me kërkesën e anëtarëve të partisë së vet për shkarkimin e tij në kuvendin e 30 korrikut.
Kjo nuk është hera e parë që kërkohet dorëheqja e Abdixhikut, pasi ngjashëm ndodhi edhe në janar të këtij viti, pas zgjedhjeve parlamentare të dhjetorit.
Në janar ai i mbijetoi një votëbesimi që e kishte kërkuar vetë në Kuvendin e jashtëzakonshëm të partisë.
Por, disa figura partiake kishin kërkuar dorëheqjen e tij të parevokueshme, duke mos u pajtuar me votëbesim. Në mesin e tyre ishte Hykmete Bajrami, e cila ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e nënkryetares së partisë.
Para atij Kuvendi, anëtari tjetër i kësaj partie, Avdullah Hoti e shpalli kandidaturën për kryetar të partisë, por delegatët diskutuan vetëm për performancën e Abdixhikut.
Lidhja Demokratike e Kosovës është një nga partitë më të vjetra në Kosovë, e themeluar në vitin 1989 nga Ibrahim Rugova.
Ajo ka luajtur rol kyç në periudhën e rezistencës paqësore dhe në ndërtimin e institucioneve demokratike të vendit./REL
Fraksion.com

