Kryeministri britanik ul taksat edhe për klubet
Qeveria britanike ka njoftuar se duke filluar nga muaji prill 2027 do ta ulë me 20 për qind taksën e biznesit për klubet, pub-et dhe sallat e koncerteve. Sipas vlerësimeve të qeverisë një pub mesatar mund të kursejë prej kësaj uljeje rreth 1.100 paund në vit (afërsisht 1.290 euro).
Megjithëse bëhet fjalë për shuma relativisht të vogla, kryeministri i ri Andy Burnham synon të tregojë me këtë masë se qeveria mund t’i ulë shpejt kostot e jetesës.

“Për një kohë shumë të gjatë qeveritë kanë qëndruar duarkryq ndërsa lokalet e preferuara nga njerëzit janë zhdukur nga qendrat e qyteteve tona. Sot po e ndryshoj këtë”, tha Burnham.
Paraardhësi i tij, Keir Starmer, i kaloi muajt e parë të mandatit kryesisht duke porositur raporte dhe studime për ndryshime të mundshme politike, pa i zbatuar ato.
Opozita pro nismës
Partia opozitare Konservatore (Tory) e mbështet këtë nismë, por kërkon një plan të qartë financimi. “Ky është tashmë premtimi i tretë për shpenzime pa burim financimi”, deklaroi deputeti Matt Vickers.

Sipas Burnham-it kostoja e kësaj mase që vlerësohet në rreth 100 milionë paund, do të kompensohet përmes rritjes së detyrimeve për disa biznese, siç janë dyqanet e cigareve elektronike, të cilat, sipas tij, “nuk kontribuojnë pozitivisht për komunitetet”.
Përveç uljes së taksës së biznesit Burnham ka njoftuar edhe vendosjen e një çmimi maksimal për biletat e autobusëve dhe heqjen e një tarife shtesë nga faturat e energjisë elektrike për familjet./dw
Fraksion.com

