Organizatorët u kanë bërë thirrje qytetarëve nga i gjithë vendi t’i bashkohen protestës, duke deklaruar se presioni ndaj qeverisë do të vijojë çdo ditë deri në arritjen e objektivave të tyre politike. Ata akuzojnë qeverinë për korrupsion, kapje të shtetit dhe shpërfillje të kërkesave të qytetarëve.

Një ditë më parë, paraditen, protesta u zhvendos para Kuvendit, ku pati tensione të forta me forcat e policisë. Protestuesit goditën me vezë automjetet që transportonin deputetët, ndërsa efektivët ndërhynë duke përdorur gaz lotsjellës dhe spraj djegës për të shpërndarë turmën dhe për të krijuar korridor për hyrjen dhe daljen e parlamentarëve.

Gjatë incidenteve pati edhe përplasje fizike, ndërsa disa protestues u shoqëruan nga policia.

Në mbrëmje, protesta vijoi përpara Kryeministrisë, ku qytetarët marshuan më pas në rrugët e Tiranës, duke brohoritur vazhdimisht “Rama, jep dorëheqjen”, “Rama në burg, Berisha në burg”, “Shqipëri e re” dhe “Revolucion”. Organizatorët deklaruan se protesta nuk është më vetëm kundër qeverisë, por kundër gjithë klasës politike që, sipas tyre, ka mbajtur peng vendin prej vitesh.

Edhe sot pritet një pjesëmarrje e konsiderueshme në tubimin e radhës, ndërsa organizatorët kanë përsëritur se protestat do të vijojnë pa ndërprerje deri në largimin e qeverisë dhe, sipas tyre, në nisjen e një ndryshimi të ri politik në vend.