Alarm i kuq! “PRONATYRA TREG” e importoi nga Italia, gjendet objekt i rrezikshëm brenda supës së ngrirë
Një alarm i kuq për sigurinë ushqimore është ngritur në Europë, ndërsa rasti ka prekur edhe tregun shqiptar. Një produkt supë e ngrirë, i prodhuar në Itali dhe i konsumuar gjerësisht, është urdhëruar të tërhiqet nga tregu pasi është konsideruar me rrezik serioz për shëndetin e konsumatorëve.
Alarmi është dhënë pasi një konsumator ka konstatuar praninë e një trupi të huaj dhe potencialisht të rrezikshëm brenda paketimit. Pas këtij raportimi, Sistemi Europian i Alarmit të Shpejtë për Ushqimin dhe Ushqimin e Kafshëve (RASFF) ka aktivizuar njoftimin me nivelin maksimal të rrezikut, duke e klasifikuar produktin si një kërcënim serioz për shëndetin.
Sipas të dhënave të bëra publike, në Shqipëri ky produkt është importuar më 14 maj 2026 nga subjekti “PRONATYRA TREG”. E gjithë sasia e importuar është shpërndarë dhe shitur në dy pika tregtimi në Tiranë.
Pas mbërritjes së njoftimit për tërheqjen e produktit nga tregu, ka rezultuar se e gjithë sasia e importuar ishte shitur.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që nëse e kanë blerë këtë produkt me numër loti L03DK dhe e kanë ende në frigorifer, të mos e konsumojnë. Produkti duhet të kthehet menjëherë pranë pikës së blerjes.

Fraksion.com

