AktualitetKosovaTë fundit

Kosova shpall persona non grata ministren serbe Paunoviq

Deklarata e ministres serbe Snežana Paunoviq lidhur me shqiptarët e Kosovës nxit reagime të ashpra në Kosovë dhe Bruksel.

Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla, mori vendim dhe e shpalli persona non grata ministren e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale të Serbisë, Snežana Paunoviq, duke ia ndaluar në mënyrë të përhershme hyrjen apo kalimin tranzit përmes Kosovës. Këtë vendim ministri i Brendshëm i Kosovës e mori të martën vonë (14.07.2026) pas një deklarate të ministres serbe Paunoviq, e cila një ditë më parë deklaroi për mediet në Serbi “se po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit do ta spastronte etnikisht Kosovën më 1998”. Kjo deklaratë e ministres serbe nxiti reagime të ashpra në Kosovë dhe Bruksel. Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, në vendimin e tij thotë se “gjuha e Paunoviqit është vazhdimësi e një politike shtetërore që për shumë dekada ka prodhuar dhunë.”

“Kjo gjuhë dhe kjo aspiratë e shpërfaqur nuk është e re. Ajo është vazhdimësi e një politike shtetërore që për shumë dekada ka prodhuar dhunë, krime dhe përpjekje për zhdukjen e shqiptarëve nga trojet e tyre. Urrejtja e tillë e vazhdueshme, e shprehur me tone kërcënuese ndaj rendit kushtetues dhe sovranitetit të Republikës sonë nga ministrja në fjalë, është e papranueshme dhe duhet të dënohet ashpër nga shtetet dhe shoqëritë demokratike që mbrojnë paqen, të drejtat e njeriut dhe nuk tolerojnë retorikë e sjellje që nxit urrejtje, destabilizim dhe përsëritje të politikave kriminale të së kaluarës”, thuhet në vendim.

Kos: “Në Evropë nuk ka vend për retorikë që justifikon apo glorifikon spastrimin etnik”

Deklarata e ministres së Serbisë, Snežana Paunoviq, u dënua edhe nga zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian. Komisionerja për Zgjerim në BE, Marta Kos, tha të martën në Bruksel se “në Evropë nuk ka vend për retorikë që justifikon apo glorifikon spastrimin etnik”.

“Mund të ketë vetëm zero tolerancë për deklarata të tilla çfarë kemi dëgjuar. Dhe nuk ka vend në Evropë për retorikën që justifikon, avokon apo glorifikon pastrimin etnik. Unë jam personalisht e tronditur se kjo duhet të thuhet në këtë situatë. Deklarata të tilla janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me vlerat dhe dinjitetin njerëzor, pajtimin e nevojshëm, llogaridhënien dhe raportet e mira ndërfqinjësore mbi të cilat themele është ndërtuar BE-ja e pa të cilat procesi i anëtarësimit nuk mund të ndodhë”, tha Marta Kos. Komisionerja Marta Kos tha se ajo personalisht “supozon që kjo të jetë vetëm qëndrim personal i një ministreje e jo i Qeverisë së Serbisë”. Edhe zëdhënësja e BE-së për politikën e jashtme, Anita Hiper, tha se “deklarata të tilla janë në kundërshtim me vlerat e dinjitetit njerëzor”.

“Deklaratat e tilla janë në kundërshtim me vlerat e dinjitetit njerëzor, pajtimin, llogaridhënien dhe raportet e mira ndërfqinjësore mbi të cilat është ndërtuar BE-ja. Ato shkojnë edhe kundër detyrimeve që ka marrë Serbia në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE për normalizimin e raporteve me Kosovën”, tha Hiper. Ajo tha se Brukseli pret “nga të gjithë liderët që të përmbahen nga çfarëdo retorike nxitëse dhe të japin kontribut për një ambient të besimit dhe stabilitetit në rajo/DW

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com