Publikohet fotoja e autorit që qëlloi për vdekjen e fqinjit 40-vjeçar në Laç
Është publikuar fotoja e Emiljan Sutit, i njohur edhe me emrin Artur Suti, i cili është shpallur në kërkim nga Policia e Shtetit si autori i dyshuar i vrasjes së 40-vjeçarit Ilir Gjini, të ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në Laç.
Sipas burimeve, 40-vjeçari, i njohur edhe me mbiemrat Kokaj, Lika dhe Nure, ka qenë në këmbë në momentin kur është qëlluar me shtatë plumba, ndërsa po i drejtohej hyrjes së pallatit ku banonte.
Policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim autorin e dyshuar, Emiljan Suti alias Artur Suti. Sipas të dhënave paraprake, ai ka hapur zjarr menjëherë pasi viktima kishte parkuar automjetin. Edhe pse ka tentuar të largohet, 40-vjeçari është ndjekur dhe është qëlluar sërish pranë hyrjes së godinës.
Gazetarja e Top Channel, Brixhilda Deda, raporton se i plagosur rëndë, ai është transportuar drejt spitalit, por nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë gjatë rrugës.
Burimet bëjnë me dije se viktima dhe autori i dyshuar ishin fqinj, pasi banonin në të njëjtën lagje. Në kuadër të hetimeve, në komisariat janë shoqëruar nëna dhe vëllai i autorit të dyshuar, ndërsa kontrollet për kapjen e tij vijojnë.
Fraksion.com

