AktualitetBota+Të fundit

SHBA-ja dhe Irani e nënshkruajnë marrëveshjen fillestare për t’i dhënë fund konfliktit

Presidentët e Shteteve të Bashkuara dhe Iranit e kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi si marrëveshje fillestare për paqe, me synim për t’i dhënë fund konfliktit në Lindjen e Mesme.

Presidenti amerikan, Donald Trump, e nënshkroi memorandumin e mirëkuptimit më 17 qershor gjatë një darke nën dritën e qirinjve në Pallatin e Versajës, pas samitit të G7.

Memorandumi hyn në fuqi menjëherë.

Një video e shpërndarë nga Shtëpia e Bardhë dhe presidenti francez Emmanuel Macron në platformën X shfaq Trumpin duke e nënshkruar dokumentin.

“Kjo nuk ishte e lehtë”, tha Trump teksa nënshkruante marrëveshjen, derisa Macroni, si mikpritës i ngjarjes, dhe të ftuarit e tjerë, duartrokisnin.

 

“Kjo marrëveshje hap rrugën për një paqe të qëndrueshme dhe lejon rihapjen e Ngushticës së Hormuzit”, tha Macron në X.

Agjencia shtetërore iraniane e lajmeve, IRNA, publikoi fotografi që tregojnë presidentin iranian, Masud Pezeshkian, duke e nënshkruar marrëveshjen midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara.

Në fotografi, presidenti iranian shfaq faqet e marrëveshjes para kamerave, ku shihen qartë si firma e tij ashtu edhe ajo e presidentit amerikan.

Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, Qeveria e të cilit ndihmoi në ndërmjetësimin e marrëveshjes, njoftoi në platformën X se marrëveshja do të hyjë në fuqi menjëherë.

Nënshkrimi i këtij memorandumi vjen pak orë pasi zyrtarë të lartë amerikanë zbuluan hollësi të marrëveshjes kornizë me Iranin, e cila pritet të nënshkruhet zyrtarisht gjatë një ceremonie në Zvicër, më 19 qershor.

Memorandumi i mirëkuptimit parashikon përfundimin e luftimeve në të gjitha frontet, përfshirë Libanin, rihapjen e Ngushticës së Hormuzit për trafikun tregtar dhe heqjen e bllokadës detare amerikane ndaj Iranit, sipas tekstit të lexuar gjatë një bisede me gazetarë, më 17 qershor.

Ai gjithashtu u kërkon të dyja palëve të angazhohen që brenda 60 ditësh të arrijnë një zgjidhje përfundimtare që përfshin kufizime ndaj programit bërthamor të Iranit dhe heqjen e sanksioneve amerikane ndaj republikës islamike.

Kjo marrëveshje përbën përparimin më të madh diplomatik mes SHBA-së dhe Iranit në vitet e fundit dhe vjen pas disa muajsh lufte, ndërprerjesh të trafikut detar dhe negociatash të fshehta me ndërmjetësimin e aktorëve rajonalë./rel

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com