Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet e tij sociale një postim ku tregon njeriun që investitorët e Zvërnecit kanë kontraktuar për arkitekturën e peisazhit.
Bëhet fjalë për Dong Yugan, i njohur për punën e tij mbi arkitekturën bashkëkohore kineze dhe kopshtet tradicionale kineze. Ky i fundit, ka prezantuar sot në kryeqytet vizionin dhe gjetjet e studios së tij.
“Njihuni me artistin e madh të natyrës, arkitektin e peisazhit Dong Yugan, pasuesin e legjendarit Kungjan Yu dhe udhëheqësin e konsulencës mbi peisazhin e mbrojtur në projektin e Zvërnecit.
Ai sot prezantoi përpara një audience me plot arkitektë ndërkombëtarë në Festivalin Bread&Heart në Tiranë, vizionin dhe shumë gjetje të studios së tij prestigjioze ndërkombëtare, duke i mbresuar të gjithë me prezantimin e tij.
Nëse do të shihni më shumë nga krijimtaria e studios Turanscape.com do ta krijoni vetë ndjesinë e sigurisë së brendshme, se falë edhe këtij talenti në skuadrën e yjeve që kanë formuar investitorët e projektit të Zvërnecit, ato 4 miliardë euro që forca të caktuara po bëjnë çmos t’ia heqin nga duart Shqipërisë, nuk mundet kurrësesi të sjellin pasoja negative për natyrën, përkundrazi, do të sjellin një nivel të harmonisë me zhvillimin e natyrës që do të jetë një krenari për Shqipërinë dhe një dhuratë e Shqipërisë për vetë Europën”, shkruan kreu i qeverisë.
Më herët, numri një i kabinetit publikoi në rrjetet sociale projektin e ri turistik që parashikohet të ndërtohet në zonën e Zvërnecit.
“Nuk sheh syri sheh mendja. Dy projekte të realizuara tanimë nga fiks bashkëinvestitorët e projektit që ka tronditur armiq të Shqipërisë Europiane, konkurrentë të Shqipërisë turistike, shqiptarë të verbër që po përdoren si vegla qorre kundër Shqipërisë. Po edhe shqiptarë të ndershëm e të ndjeshëm ndaj mjedisit, të cilët fatkeqësisht janë manipuluar nga lufta hibride që po zhvillohet egërsisht në rrjetet sociale nga armiqtë e vendit e tonë”, shkroi ai krahas fotove.
Sa i takon investitorëve, ka zbuluar se bëhet fjalë për dy vëllezër nga Katari dhe bashkëpronarë të konglomeratit global “Power Holding”, të cilët e kanë blerë truallin privat përmes transaksioneve të certifikuara bankare. Ky projekt, sipas Ramës, përfaqëson një zhvillim në harmoni të plotë me natyrën, ashtu si dy ishujt e realizuar më parë nga e njëjta kompani.
Ndërkohë, jo më larg se mëngjesin e sotëm, kreu i qeverisë publikoi një video nga Zvërneci, ku zona shfaqet e ndotur. Rama e ka theksuar vazhdimisht se projekti do ta shndërrojë Vlorën në “beben e syrit të turizmit” në rajon dhe do ta pozicionojë Shqipërinë në një nivel më të lartë të turizmit botëror.
Nga ana tjetër, në kundërshti me ndërtimet në këtë zonë, janë zhvilluar protesra në Tiranë tanimë prej 4 ditësh. Këtë të enjte në orën 18:00 pritet të mbahet e radhës.
Fraksion.com