Rama: PS nuk ka asnjë mundësi të kthehet mbrapa, s’tradhton fëmijët e këtij vendi
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, njëherazi kryeministër, tha se forca politike që ai drejton nuk e ka tradhtuar kurrë çështjen kombëtare.
Në fjalën e tij gjatë aktivitetit të organizuar për 35-vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste në qarkun e Tiranës, Rama tha se “PS nuk ka asnjë mundësi të kthehet mbrapa, sepse nuk ka asnjë shans që të tradhtojë fëmijët e këtij vendi, por nuk ka asnjë shans që t’i tradhtojë të gjithë atë, të cilët i dhanë këtij vendi në të gjitha mënyrat e tyre, qoftë rilindës, dëshmorë, apo martirë të komunizmit, qoftë dhe punonjës të thjeshtë hekurudhash apo bujq të thjeshtë kooperativash, sepse në një mënyrë ose një tjetër, të gjithë atë për arsye të ndryshmen kishin një fiksim në kokë: Shqipëria të bëhet më e mirë”.
Ai u shpreh se PS ka qenë gjithmonë në mbrojtje të interesit kombëtar.
“Që nga dita e parë, deri më sot, kjo parti ka bërë shumë gabime, por nuk ka bërë asnjë të zezë. Të zeza këtij vendi nuk i ka bërë asnjëherë. Gabime dhe faje sa të doni. Ama, nga dita e parë deri më sot, kjo parti kurrë nuk është lëkundur në vijën e drejtë të mbrojtjes së interesit kombëtar. Kurrë!”, theksoi Rama.
Sipas tij, PS ka në arkivën e saj kontribute të rëndësishme për çështjen kombëtare.
“Nëse Shqipëria ka një arkivë për të gjithë kontribuuesit e çështjes kombëtare dhe nëse rilindësit tanë janë në krye të asaj arkive, duhet ta dini mjaft mirë se kush është socialist ka shumë arsye për të kritikuar partinë, por ka një arsye të madhe për të qenë krenar, pasi në atë listë është edhe Partia Socialiste e Shqipërisë, si kontribuuese”, tha Rama.
Kryeministri vlerësoi gjithashtu rolin e socialistëve në mbështetjen e Kosovës gjatë periudhave të vështira.
“Historia ka ende shumë gjëra për të treguar dhe aty do të shihet se faktori shqiptar në këtë rajon mori formë, guxim dhe doli hapur falë mbështetjes që gjeti në Tiranë. UÇK-ja u mbështet jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra”, u shpreh ai.
Rama akuzoi kundërshtarët politikë për qëndrime të dyfishta ndaj çështjes së Kosovës.
“Kush e akuzonte PS-në për tradhti? Kush thoshte se socialistët ishin të Beogradit apo të shitur? Ata që ditën qanin për Kosovën dhe natën çonin naftë te Millosheviçi dhe merrnin para”, deklaroi Kryeministri.
Kreu i PS-së tha se “xhevahiri” i kurorës së arritjeve të socialistëve mbetet anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
“Xhevahiri më i madh i kësaj historie është misioni për ta vendosur Shqipërinë në kurorën e Evropës. Vendosja e gurit të Shqipërisë në atë kurorë do të realizohet nga Partia Socialiste dhe do t’i japë asaj respektin e historisë”, tha Rama.
Ai u bëri thirrje qytetarëve të mbështesin procesin e integrimit evropian.
“Mos dëgjoni ata që nuk dinë çfarë duan, por besojeni këtë gjë. Sot çdo shqiptar i ndershëm dhe patriot duhet të ketë si qëllim ta çojë Shqipërinë në Bashkimin Evropian, tani që dera është hapur”, tha Rama.
Sipas tij, anëtarësimi në BE nuk kërkon sakrifica si ato të brezave të mëparshëm.
“Nuk është një luftë me armë. Nuk i kërkohet njeriut të japë jetën, të shesë pasurinë apo të futet në ilegalitet. I kërkohet vetëm të kuptojë se sot të rreshtohesh me këtë objektiv është të rreshtohesh me interesin kombëtar”, u shpreh ai.
Duke iu përgjigjur kritikëve, Rama tha se nuk ndihet i lodhur nga sulmet politike.
“Mua nuk më lodhin dot. Zgjohem para të gjithëve dhe fle pas të gjithëve, sepse për këtë më kanë vënë në krye. Çfarë nuk keni dëgjuar dhe çfarë nuk do të dëgjoni. Dëgjojini të gjitha, por mbajini sytë tek objektivi”, përfundoi Rama.
Fraksion.com

