AktualitetPolitikëTë fundit

Berisha: ADS u ngrit pa vendim qeverie, kapitali shtetëror shkon tek privatët pa tenderim

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot se qeveria ka ngritur një skemë të re korruptive përmes kompanisë Albanian Digital Solutions (ADS).

Në konferencën e sotme për mediet, Berisha deklaroi se krijimi i ADS-së është bërë pa një vendim të posaçëm të Këshillit të Ministrave që të përcaktojë kompetencat, objektin e veprimtarisë dhe mekanizmat e kontrollit të kësaj shoqërie.

Sipas tij, ADS është një mekanizëm për transferimin e fondeve publike drejt kompanive private pa kontroll dhe pa transparencë, duke zëvendësuar në këtë mënyrë AKSHI-n.

Berisha, tha se i vetmi vendim qeverie i miratuar deri tani është ai i 20 majit 2026, që parashikon dhënien e një fondi prej 7 milionë eurosh për kompaninë.

“Ky vendim ka ardhur rreth 15 ditë pas regjistrimit të kompanisë shtetërore në QKB. Pra, ajo që bie në sy është kjo: VKM nuk përcakton objektin e veprimtarisë. Nuk krijon vetë shoqërinë. Nuk miraton statutin. Nuk përcakton kompetencat. Nuk shpjegon marrëdhënien me AKSHI-n. Nuk përcakton modelin e kontrollit, kush do e kontrollojë, si. Nuk sqaron regjimin e prokurimeve dhe çka është më e rëndësishme nuk shpjegon pse nevojitet kompania”, tha Berisha.

Berisha e krahasoi ADS-në me skemën e kompanisë KAYO, duke pretenduar se dokumentet themeluese janë pothuajse identike dhe krijojnë mundësi për transferimin e kapitalit shtetëror drejt subjekteve private pa procedura të rregullta konkurrimi.

“Kjo kompani shtetërore i lejon vetes të përcaktojë pa kufi veprimtaritë e saj. Kjo pikë e statutit është marrë thuajse identike nga kompania KAYO, të cilës i është dhënë e drejta të kanalizojë kapitalin shtetëror tek privatët pa tenderim”, tha Berisha.

Sipas tij formulimi në statut që i lejon kompanisë të kryejë aktivitete “drejtpërdrejt ose tërthorazi” të lidhura me objektin e saj krijon hapësira të mëdha për abuzime.

Berisha shtoi se ADS do të menaxhojë infrastrukturën digjitale të shtetit, përfshirë databazat kryesore dhe sigurinë kibernetike, duke ngritur sipas tij rrezikun e përqendrimit të fondeve dhe kompetencave në një strukturë jashtë kontrollit institucional.

“Ajo mund të krijojë hapësirë për abuzime nëse nuk ka kontroll të fortë institucional, transparencë dhe procedura të qarta”, vuri në dukje ai.

Fraksuon.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com