AktualitetNATO/BETë fundit

Gjermania mbështet kursin e ri pro-evropian të Hungarisë

Pas bisedimeve me kryeministrin e ri të Hungarisë, Peter Magyar, kancelari Friedrich Merz shpreson një fillim të ri pozitiv në marrëdhëniet me BE. Budapesti ka treguar vetëm shenja të pjesshme ndryshimi ndaj Ukrainës.

Kancelari gjerman Friedrich Merz  të martën i premtoi mbështetje të plotë Kryeministrit të ri hungarez, Peter Magyar, për ta kthyer vendin në rrjedhën kryesore evropiane.

Merz-i e lavdëroi Magyar-in në vizitën prezantuese të Kryeministrit hungarez  në Berlin, duke e përshkruar fitoren e tij zgjedhore ndaj Viktor Orbánit si frymëzuese për Evropën dhe duke premtuar se do të ndihmojë për të siguruar një fillim të ri të suksesshëm.

Çfarë thanë Merz-i dhe Magyar-i për Hungarinë dhe BE?

Duke pritur liderin e ri hungarez, Merz-i deklaroi se Magyar është “feneri i madh i shpresës së kohës sonë” për shumë hungarezë.

“Ju është dhënë një mandat i qartë,” tha ai. “Demokracia dhe sundimi i ligjit në Hungari janë sërish të forta. Besojmë që ai do ta kthejë Hungarinë në zemër të Evropës,” shtoi Merz-i.

Magyar-i ka premtuar se Hungaria do të veprojë si një “partner i ndershëm dhe i besueshëm” brenda Evropës. Ai tha se mosmarrëveshjet ishin të pashmangshme, por theksoi se Budapesti nuk do të përdorte veto-n e tij “në parim” dhe shtoi: “Unë besoj te negociatat.”

Orbáni kishte kaluar vite duke bllokuar vendime kyçe të Bashkimit Evropian duke përdorur të drejtën e vetos së Hungarisë, dhe së fundmi vonoi miratimin e një huaje prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën.

Partia konservatore e Magyar-it, Tisza, mundi bindshëm partinë nacionaliste Fidesz të Orbán-it në zgjedhjet e prillit, duke siguruar një shumicë dy të tretash dhe duke premtuar reforma radikale të sistemit.

Çfarë tha Magyar-i për Ukrainën?

Megjithatë, Magyari ka sinjalizuar vetëm një ndryshim të pjesshëm në politikënë lidhje me Ukrainën . Në Berlin, ai riafirmoi se Hungaria nuk do të dërgonte armë apo trupa në Ukrainë, një qëndrim që ka marrë lavdërime nga Moska. Ai gjithashtu planifikon të bllokojë nisjen e negociatave të anëtarësimit të BE-së me Ukrainën derisa të garantohen të drejtat e pakicës etnike hungareze atje, veçanërisht në lidhje me arsimin në gjuhën hungareze.

Sipas vlerësimeve hungareze, deri në 100.000 vetë me etni hungareze jetojnë në rajonin e Transkarpateve, në perëndim të Ukrainës.

Megjithatë, Magyar-i tha se pret përparim së shpejti. Ai tha se bisedimet teknike mund të përfundojnë këtë javë dhe, nëse ndodh kështu, ai do të ishte i gatshëm të takohej me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenski javën e ardhshme për të hapur “një kapitull të ri” në marrëdhëniet dypalëshe. Merz-i tha se kjo duhet të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur.

“Ne e kuptojmë që Budapesti dëshiron të zgjidhë së pari çështjet dypalëshe, siç janë të drejtat e pakicës hungareze në Ukrainë,” tha Merz-i në takimin në Berlin. “Megjithatë, kjo nuk duhet të bëhet në kurriz të mbështetjes evropiane, as të na pengojë nga qëllimi ynë për të nisur zyrtarisht tani negociatat e anëtarësimit me Ukrainën, duke filluar me kapitullin e parë.”/DW

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com