Protesta kryesisht paqësore të Brezit Z në Gjermani
Dhjetëra mijëra të rinj iu bashkuan protestave mbarëkombëtare në më shumë se 30 qytete të Gjermanisë. Protestat ishin paqësore, pak incidente.
Kudo në Gjermani të rinjtë e Brezit Zprotestuan të shtunën (31.10). Dhjetëra mijëra vetë dolën në më shumë se 30 qytete gjermane. Protestat u zhvilluan paqësore. Në Berlin që në hapje të protestës organizatorët theksuan, se nuk duan dhunë, nuk sulmojnë policinë, por nuk duan këtë politikë aktuale të partive që na vjedh të ardhmen. Një zëdhënëse e “Gen Z regelt” Lina Friedrich u shpreh për DW, se “jemi këtu për paqen dhe lirinë në vend të luftës e detyrimit. Ne duam më shumë investime në sistemin shëndetësor e arsimor, jemi kundër shërbimit të detyruar ushtarak dheshpërndarje të drejtë të barrës shoqërore.”
Në shumicën e qyteteve, ku u zhvilluan demonstratat, ato filluan e vazhduan në mënyrë paqësore, por disa marshime proteste u ndaluan nga policia. Arsyeja ishin shkeljet e ndalimit të maskimit të fytyrës gjatë protestave. Në fillim të protestave në mjaft qytete numri i pjesëmarrësve ishte më i ulët se sa ishte paralajmëruar. Megjithatë, me kalimin e kohës gjithnjë e më shumë njerëz iu bashkuan demonstratave. Sipas policisë, në periferi të disa protestave u hodhën edhe mjete piroteknike. Por në përgjithësi, situata në shumicën e qyteteve mbeti e qetë.
Për protestat paqësore në më shumë se 30 qytete gjermane bëri thirrje nisma “Gen Z regelt”. Ajo kërkon më shumë fonde për shkollat, ndihmën ndaj personave me varësi dhe psikoterapinë, masa kundër rritjes së kostos së jetesës, më shumë drejtësi sociale dhe mbrojtje të klimës. Nisma kundërshton po ashtu rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, po ashtu edhe zgjerimin e mbikëqyrjes shtetërore.
Bazuar në raportimet e marra fillimisht nga 12 qytete, nisma “Gen Z regelt” njoftoi vonë pasdite se në protesta kishin marrë pjesë gjithsej më shumë se 68.000 persona. Policia ende nuk kishte publikuar shifra për të gjithë vendin deri atë moment. Në disa qytete, megjithatë, të dhënat e policisë rezultuan më të ulëta se ato të organizatorëve.
Thirrje e Gen Z për protesta paqësore
Nisma “Gen Z regelt” u shpreh qartë se mbështet vetëm protestat paqësore dhe se refuzon çdo formë dhune. Edhe në faqen e tyre të internetit ata bënë të ditur se nuk dëshirojnë praninë e grupeve ekstremiste apo simboleve antikushtetuese në demonstratat e tyre.
Ata paralajmëruan pjesëmarrësit të mos sillnin shishe qelqi apo armë, të shmangnin provokimet ndaj policisë dhe rikujtuan ndalimin e maskimit të fytyrës gjatë protestave. Në protesta të ngjashme, veçanërisht në Francë, më parë kishte pasur trazira, dhunë, plaçkitje dhe zjarrvënie.
Nga frika e incidenteve të mundshme si ato në Francë, shumë tregtarë në qendrat e qyteteve dhe sidomos në rrugët luksoze të butikëve në metropolet e mëdha gjermane i mbuluan paraprakisht vitrinat e tyre me panele druri. Policia ishte angazhuar pjesërisht me qindra efektivë shtesë për të treguar prani dhe për të garantuar sigurinë./DW
Fraksion.com

